Ndërlidhjet

Kushtet e punës në sektorin privat, shtyjnë punëtorët ta braktisin Kosovën


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Besart Beqiri, rreth 27 vjeç, punon kamerier në një nga lokalet në Prishtinë. Besarti është i interesuar dhe po mundohet që të largohet nga Kosova për të gjetur, siç thotë ai, një punë më të mirë në vendet perëndimore.

Ai tregon se dy herë ka aplikuar për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Herën e parë ka arritur ta marrë vizën Schengen, kurse aktualisht është në pritje të marrjes së ndonjë përgjigjeje në lidhje me kërkesën e re.

“Herën e parë e kam marrë dhe kam punuar atje. Por, tash hera e dytë është pritje shumë e gjatë. Në muajin mars të vitit 2017, kam bërë termin, kam pritur një vit për t’i dorëzuar dokumentet e nevojshme, dhe ka një vit e gjysmë që pres ndonjë përgjigje nga ambasada”, tregon Beqiri.

Kushtet e pavolitshme të punës në sektorin privat janë një ndër arsyet që po përmenden si problem kryesor nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK) që po detyrojnë të rinjtë të ikin nga vendi.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në sektorin privat, punëtorët vazhdojnë të ndihen të shpërfillur nga punëdhënësit, qoftë për kushtet e tyre të punës, sigurinë, mosrespektimin e orarit apo edhe për pagesat që pranojnë.

Ajdini thotë se edhe pse në Kosovë është në fuqi Ligji i Punës, në këtë sektor ky ligj jo gjithmonë është zbatuar. Për këtë arsye, sipas tij, vetë politikëbërësit në Kosovës i kanë zhgënjyer të rinjtë në Kosovë, e sidomos duke lënë të “ngrirë” pagën minimale nga 130 deri 170 euro në muaj që nga viti 2011.

“Të rinjtë janë dëshpëruar. Në sektorin privat, punëtorët punojnë 12 orë, kurse paguhet për 8 orë, punëdhënësi e keqpërdor punëtorin, madje as pushim nuk ka. Në kontratë është 8 orë dhe paguhet për tetë orë. Pagat janë shumë të vogla. Kështu që punëtorët janë dëshpëruar dhe për këtë arsye rinia jonë po tenton ta braktisë Kosovën. Paga në sektorin privat duhet të jetë rreth 500 euro”, thotë Ajdini.

Ai konsideron se me zbatimin e Ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive dhe me marrjen e masave ndaj punëdhënësve që shkelin të drejtat e punëtorëve, situata në këtë sektor do të përmirësohej dhe, sipas tij, do të zbehej interesimi i të rinjve nga ky sektor që ta braktisin Kosovën.

“Askush nuk do ta braktiste vendin e vet, nëse paguhet rreth 500 euro në muaj. Institucionet e Kosovës kanë shumë mundësi për ta përmirësuar gjendjen në këtë sektor. Por, atyre nuk u intereson çështja e punëtorëve. Nëse rinia jonë ikë në vendet e Bashkimit Evropian, është një disfatë shumë e madhe edhe për Kosovën, edhe për ekonominë”, konsideron Ajdini.

Edhe Besarti, i cili aktualisht pagë mujore merr 250 euro në muaj, thotë se po të kishte pagë më të leverdishme dhe kushte më të favorshme për punë, asnjëherë nuk do të mendonte ta braktiste Kosovën.

“Po të kisha kushte më të mira(pune), nuk do të ikja nga vendi. Mendoj se askush nuk e braktis me dëshirë vendin e vet, por kushtet, rrethanat, politika ka bërë që në Kosovë mos të ketë të ardhme për askënd”, shprehet ai.

Sektori privat në Kosovë konsiderohet punëdhënësi më i madh. Në këtë sektor llogaritet që punojnë më shumë se 250 mijë punëtorë me një pagë mesatare 384 euro në muaj.

Rritja e interesimit te qytetarët për të ikur nga Kosova në kërkim të një vendi pune në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian apo edhe më gjerë, kishte nxitur edhe Kuvendin e Kosovës që të diskutonte në një seancë të jashtëzakonshme.

Aty, deputetët e kanë konsideruar këtë fenomen si mjaft shqetësues. Megjithatë, sipas tyre, ndryshe nga e kaluara, kur qytetarët e Kosovës kanë emigruar në mënyrë ilegale, tani po ndodh një migrim legal ku qytetarët po shkojnë në vende të ndryshme të Evropës me viza pune.

Diskutimi i 'pafund' për vizat
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Ndryshe, të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Përgjatë viteve 2013-2017 nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Kosova mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qytetarëve të së cilës nuk u është mundësuar lëvizja e lirë pa viza, nga ana e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG