Ndërlidhjet

Për katër vjet, rreth 350 mijë aplikime për viza


Ambasada hungareze në Prishtinë, fotografi nga arkivi.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian (BE) aplikon regjimin e vizave. Shtetasit e Kosovës për të udhëtuar në këto vende duhet të aplikojnë për viza në misionet diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë dhe në vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme në raportin e titulluar “Profili i zgjeruara i migrimit 2013 – 2017”, që si burim ka Sistemin e Informimit për Viza Shengen, brenda katër vjetësh, thuhet të jenë regjistruar 337,322 kërkesa të përgjithshme për viza.

Në këto të dhëna përfshihen vitet 2013 - 2017, me përjashtim të vitit 2014 për të cilin vit mungojnë të dhënat. Kurse të dhënat për vitin 2018 ende nuk janë publikuar.

Gjermania prin me numrin më të madh të kërkesave për viza Shengen, pasur nga Zvicra, Italia, Greqia, Hungaria, Sllovenia dhe shtetet tjera.

Nga numri i përgjithshëm i aplikimeve për vizë Shengen, vendime pozitive apo viza të lëshuara janë rreth 80 për qind, derisa janë refuzuar vetëm 20 për qind e kërkesave të aplikantëve.

Një qytetari të Kosovës, aplikimi dhe marrja e një vize Shengen i shpenzon kohë dhe para. Po ashtu, rezultati i pritjes për vizë, jo gjithherë është pozitiv, derisa shpenzimet nuk i kthehen aplikuesit.

Verona, një profesoreshë e gjuhës angleze, tregon se ka aplikuar shumë herë për t’u pajisur me vizë Shengen. Ajo thotë se nuk i është refuzuar asnjëherë viza për cilindo shtet ku ka aplikuar, por sipas saj, procedurat i kanë marrë kohë dhe kanë qenë të mundimshme.

“Mos të them, por gati çdo vit aplikoj për vizë në ndonjë nga shtete e Bashkimit Evropian. Kam bërë aplikim për vizë në Gjermani, Zvicër Itali, më së shumti vizën ma kanë lëshuar për 3 muaj. Zakonisht kam kërkuar vizë turistike, pasi që kam dashur të vizitojë të afërmit e mi dhe të shëtis këto vende. Është maltretim i madh, dokumentet të cilat i kërkojnë në shumë raste janë të panevojshme, por që duhet t’i kesh, nëse nuk i ke ato dokumente që i kërkojnë normal që ta refuzojnë vizën”, thotë ajo.

*Video: Deri kur viza për qytetarët e Kosovës?

Deri kur viza për qytetarët e Kosovës?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

Për t’u pajisur me një vizë Shengen, qytetarët detyrohen të shpenzojnë para, për të cilat Verona thotë se janë shuma jo të vogla.

“Po ashtu janë pastaj shpenzimet, nuk po flas për shpenzime kur dal jashtë vendit se ato kuptohen, por për shpenzimet që kam në plotësimin e dokumentacionit, kohën, dhe çdo vizë ka çmimin. Çmimi që kam pagur për një vizë kryesisht ka qenë 30 euro, por për disa vende p.sh për Londër ka kushtuar 130 euro. Më e keqja është se nganjëherë kam aplikuar për një vizë njëvjeçare, por më është lëshuar viza vetëm për aq ditë sa kam pasur të qëndrojë në atë vend”, thekson ajo.

Gjatë periudhës katërvjeçare, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i kërkesave për vizë Shengen ishte lineare, duke u rritur për 2 për qind krahasuar vitin 2017 me vitin 2013.

Viti 2017 kishte shënuar numrin më të madh të kërkesave për vizat dhe atë në mbi 90 mijë aplikime.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i madh i kërkesave të qytetarëve për viza ka implikime si ekonomike ashtu edhe shoqërore.

“Procedura e aplikimit për vizë është jashtëzakonisht e lodhshme për qytetarët e vendit. Numri i madh i dokumenteve që kërkohen për tu pajisur me një vizë Shengen dhe kostoja e lartë kanë implikime të mëdha, qoftë financiare, qoftë dhe administrative. Pamjet që shohim tek ambasadat, me numrin e madh të qytetarëve që presin për të dorëzuar dokumentacionin për vizë në cilëndo nga ambasadat të vendeve të BE-së, janë pamje degraduese, atë e kemi përjetuar secili nga kur na është dashur të kemi një vizë. Këta qytetarë e meritojnë lëvizjen e lirë në zonën Shengen”, thotë Kryeziu.

*Video nga arkivi: Vizat mbajnë peng ëndërrat e qytetarëve

Vizat mbajnë peng ëndërrat e qytetarëve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:36 0:00

Qytetarët të cilët aplikojnë për viza jo çdo herë marrin vendime pozitive.

Bujari, një i ri nga Prishtina është një në mesin e shumë të tjerëve të cilët kanë aplikuar për vizë disa herë dhe ju është refuzuar. Ai tani është në pritje të marrjes së vizës në ambasadën gjermane në Prishtinë, që nga viti 2017.

“Tani e sa kohë kam aplikuar për një vizë pune në ambasadën e Gjermanisë. Kam një të afërm që më ka siguruar një punë, por që ende nuk kam arritur të marr vizën dhe të shkoj. Edhe në ta kaluarën kam aplikuar për vizë në vende të ndryshme, por që më është refuzuar. Paratë që i kam paguar për vizë nuk më janë kthyer”, thotë ai, duke shtuar se shpenzimet deri në marrjen e vizës janë të mëdha.

“Koha, pritjet e gjatë, dokumente të shumta që kërkojnë, e kështu me radhë, janë të mundimshme. Do të ishte mirë ta kemi liberalizimin, së paku të mos humbim kohë e mund me këto pritje nëpër ambasada”, thotë ai.

Një hulumtim për shpenzimet për viza që bëjnë qytetarët e Kosovës, ishte bërë vite më parë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP). Në këtë raport ishte theksuar se për mbi 200 mijë aplikime për viza që kishin bërë qytetarët e Kosovës për tri vjet (2010, 2011 dhe 2012), kishin shpenzuar rreth 15 milionë euro.

“Vetëm për këto tri vite, (2010, 2011 dhe 2012) kosovarët kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro, prej të cilave 9 milionë euro janë shpenzuar për pagesë direkte për vizat në ambasada, kurse së paku 5.8 milionë euro janë shpenzime tjera të ndërlidhura me kompletimin e dokumentacionit për vizë, shpenzimet bankare dhe ato të rrugës”, thuhet në raportin e GAP.

Sipas këtij raporti të GAP-it, më së shumti para ishin shpenzuar për sigurime shëndetësore dhe atë në afër 3.2 milionë euro.

Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, por që ende si proces nuk është finalizuar.

Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën tani ka mbetur te Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG