Ndërlidhjet

Kushtetuesja hedh poshtë ankesën e Listës Serbe për ndarjen e ministrive


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe për ndarjen e ministrive për komunitetet në Qeverinë e Kosovës.

Sipas Gjykatës vendimi i kryeministrit (Albin Kurti) që komunitetit serb t’i takojë një ministri, ndërsa dy të tjera t’i takojnë komuniteteve tjera jo shumicë, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në njoftimin e saj për vendimin, Gjykata konstatoi që “vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës”.

Më 29 mars, partia Lista Serbe paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për, siç tha, mbrojtjen e interesave të popullit serb.

Ankesa u paraqit në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane.

Në njoftimin për media thuhej se ankesa “sfidon vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, më 22 mars, 2021, me të cilin popullit serb i është dhënë vetëm një ministri nën menaxhim, edhe pse duheshin dy”.

Ankesa kishte pretenduar se vendimi për zgjedhjen e Qeverisë ishte jokushtetues “sepse Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është zgjedhur pas konsultimit të shumicës së deputetëve të cilët përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës”.

Sipas vendimit të Kushtueses kjo nuk qëndron.

“...bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Në përbërjen e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për Listën Serbe është ndarë Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Kushtetuta e Kosovës parashikon një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë.

Nëse Qeveria ka më shumë se 12 ministri, Kushtetuta e Kosovës thotë se ajo duhet të ketë një ministër të tretë për të përfaqësuar komunitetet joshumicë në Kosovë.

Përveç ministrit nga komuniteti serb, Qeveria e re e Kosovës ka dy ministra nga komunitetet e tjera joshumicë.

Ministër për Zhvillim Rajonal është Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministër i Administrimit të Pushteti Lokal është Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian.

Emilija Rexhepi, nga komuniteti boshnjak, është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt.

Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese theksoi se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend.

Lista Serbe është partia kryesore serbe e Kosovës, dhe mban pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kjo parti është e afërt me Partinë Përparimtare Serbe në pushtet të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, kjo parti, ka 10 deputetë në Parlamentin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG