Ndërlidhjet

Mungesa e Kurtit shtyn vazhdimin e seancës për dialogun


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka nisur sot debat parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas mbi tri orë diskutimesh, me kërkesë të opozitës, seanca u shty për një ditë tjetër, për shkak të mungesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në sallën plenare. Ai u largua nga salla, siç u tha, për shkak të një takimi tjetër që kishte në agjendë.

Në seancën e 13 shkurtit të Kuvendit u tha se Kurti duhet të jetë “i sinqertë dhe transparent” për këtë proces.

Debati parlamentar lidhur me dialogun është iniciuar nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në kërkesën e shkruar ka thënë se në dy vitet e fundit, dialogu ka hyrë në rrugën që nuk çon drejt marrëveshjes finale.

“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale? A është ky vazhdim i dialogut apo pikënisje e re? A ka kornizë kohore ky dialog?”, këto ishin disa nga pyetjet e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, drejtuar kryeministrit Kurti.

Krasniqi shtroi dhe pyetje tjera, që kryesisht lidheshin me propozimin evropian.

“Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi dhe a e parasheh njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve i njëjti? Si dhe, a parashihet vazhdimi i dialogut edhe pas marrëveshjes?", pyeti ai.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.

Qëllimi i parë, siç tha ai, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve, në fushëveprimin e dialogut. Ndërkaq, qëllimi i dytë, sipas tij, është hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazojnë marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Kurti tha se më 9 shtator ka marrë propozimin e njohur si franko-gjerman nga i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, dhe nga i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, në praninë e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimet e qarta të së drejtës ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ai shtoi, pavarësisht se i ishte kërkuar nga emisarët që konfidencialiteti i dokumentit të respektohet, ai i kishte ftuar kryetarët e tri partive opozitare, për t’i njoftuar ata me përmbajtjen e propozimit.

Kryeministri Kurti më tej shpjegoi se mbi çfarë bazash ishte dokumenti i propozuar nga dy emisarët, gjerman dhe francez.

“Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të ngjashme të njohjeve de facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore, si për shembull: marrëveshja Japoni-Kore Jugore”, tha Kurti

Ai theksoi se propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazimit në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i kartës së Kombeve të Bashkuara, për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

Siç tha Kurti, Qeveria e Kosovës e komentoi versionin e parë të propozimit dhe kërkoi “avancimin të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de jure në qendër të saj”.

Kryeministri Kurti tha se në parim pikat e propozimit janë bazë e mirë për diskutim. Por, sipas tij, “e vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat, fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin monoetnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi”.

Karakteristikat e propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:

1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.

2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

3. Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.

5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.

7. Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.

8. Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.

Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.

9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Kurti tha se më 6 dhjetor, Lajçak i kishte ofruar një version të dytë të propozimit, në të cilin ishin përfshirë vërejtjet e palës së Kosovës, por pa lëvizur prapa nga parimet që ngërthente propozimi i parë.

“Dokumenti shoqërohej me një plan zbatimi, që kishte referencë të qartë te një statut që do ta hartonte ekipi menaxhues, obligim që rrjedh nga marrëveshja [e Brukselit] e vitit 2013, gjë që është një tregues i një hapi të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe", tha ai.

Kurti tha se më 20 janar të vitit 2023, emisarët e Gjermanisë,Francës, Italisë, SHBA-së dhe BE-së i dorëzuan planin përfundimtar të propozimit evropian.

“Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor, këtë herë është fare pranë formatit’merre ose lëre. Nuk do të lejohet, praktikisht, hapja apo negocimi i tij... Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i propozimit, do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovën”, tha Kurti.

Ai shtoi se megjithatë, kishte shtruar vërejtjet dhe kërkesat e tij se “propozimi duhet të përfshijë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shtimit të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve, në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve”.

Sipas Kurtit, këto kërkesa ishin sqaruar më 6 shkurt, në takimin me Lajçakun, në Prishtinë dhe më pas atij ia kishte konfirmuar që propozimi i BE-së “është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara”.

“Plani kryesor nuk ka asnjë referencë të një asociacioni, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre. Tash, hapi kryesor, ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit”, tha Kurti

Ai shtoi se qëndrimi i tij është që çështja e Asociacionit mund të merret në konsiderim “nëse plotësohen gjashtë kushtet, parimet”.

Kurti, rreth një javë më parë, kishte paraqitur gjashtë kushte për të shqyrtuar mundësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryetari i LDK-së: Kurti është kundërthënës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kurti është kundërthënës në ato që thotë.

“Në njërën anë thotë që ka një draft të dytë, që tha se është dokument merre ose leje, por njëkohësisht e ka pranuar si bazë të mirë. Tani, nuk mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është merre ose leje. Ose është bazë përfundimtare, ose është bazë fillestare”, tha ai.

Ai tha se një tjetër kundërthënie është që Kurti, sipas tij, flet që ka rend dhe ligj në katër komunat në veri të Kosovës, por në anën tjetër kërkon “çarmatosjen e veriut dhe dorëzim të armëve”.

Më 2 shkurt, Kurti kishte vendosur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit. Mes tjerash që “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

Abdixhiku tha se shpërputhja më e madhe dhe logjike e Kurtit është “mes refuzimit që provon t’ia bëjë themelimit të Asociacionit dhe pranimit brenda draftit të marrëveshjeve paraprake”.

“Pra, respektimi i marrëveshjeve paraprake është pranim i Asociacionit”, tha ai.

Ai tha se Kurti ka dy rrugë përpara, zhbërjen e Marrëveshjes së Asociacionit, ose implementimin e saj sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë rritur presionin ndaj Kosovës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Uashingtoni ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë asociacion që do t’i ngjasonte një Republika Sërpska, siç është në Bosnjë e Hercegovinë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Në këtë debat parlamentar për propozimin evropian, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kanë premtim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova do të ndihmohet në anëtarësim në NATO.

“Do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s”, tha ai, që sipas tij është arsyeja kryesore pse propozimi evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, përkrahet nga partia e tij.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Tahiri: Marrëveshja me Serbinë të regjistrohet në kuadër të Sekretariatit të OKB-së

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi nga Kurti që të vendosë një kusht shtesë, i cili sipas tij, do të ishte një lloj garancie që do të mundësonte zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.

“Kërko nga aleatët, pra ndërmjetësuesit, që Republika e Serbisë ta regjistrojë këtë marrëveshje, nëse arrihet, në kuadër të Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara. Pra, Karta e OKB-së e ka ndërtuar një mekanizëm pas Luftës së Dytë Botërore, që marrëveshjet që arrihen nga shtetet anëtare të OKB-së mund të regjistrohen në sekretariat... Ne s’jemi anëtar, por nëse ata [Serbia] do ta regjistronin [këtë marrëveshje], ky do të jetë një mekanizëm që ne do që mund ta përdornim dhe ta kontestonim atë në kuadër të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në rast se Serbia nuk do ta respektonte marrëveshjen”, tha ai.

Pas debatit mbi tri orësh, kryeministri Kurti iu përgjigj disa prej pyetjeve të deputetëve lidhur me procesin e dialogut dhe për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se më 18 gusht të vitit 2022 ishte arritur pajtimi që të paktën një herë në muaj të mbahej një takim në Bruksel ndërmjet ati dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kurti tha se nuk është fajtor për dinamikën e ngadalshme të dialogut dhe takimeve të nivelit të lartë politik në Bruksel. Fajtor, sipas tij, ishte pala serbe.

Lidhur me propozimin e BE-së, Kurti theksoi, se në rast se del një marrëveshje mbi bazën e propozimit, nuk thuhet që është marrëveshje finale.

“Por, nuk është e vërtetë që [marrëveshja] nuk është kontraktuale. Madje, në krye të herës përdoret togfjalëshi ‘contracting parties’ (palët kontraktuese). Pikërisht, na konsiderojnë si palë kontraktuale. Pra, marrëveshja është kontraktuale”, tha Kurti.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai tha se sa herë që flet për të, si një marrëveshje e nënshkruar rreth një dekadë më parë, ai e përmend edhe Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë në këtë kontekst.

Por, sipas tij, kur flitet për Asociacionin, duhet të përfshihen dy elemente të tjera të domosdoshme: reciprociteti, si dhe shkelja e marrëveshjes së Brukselit nga pala serbe.

“Nëse ata flasin për komunat me shumicë serbe në Kosovë, ne duhet të flasim edhe për komunitetet joshumicë, joserbe në Serbi. Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në njërën anë dhe Sjenica, Tutinji dhe Novi Pazari në anën tjetër... Sa herë që thirren në marrëveshjen e parë të parimeve, të 19 prillit 2013, ju lutem përmendeni që e ka shkelur presidenti i Serbisë”, tha Kurti duke ju referuar kërkesës së Serbisë ndaj pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që të mos e pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, e cili aplikim ndodhi në fund të vitit të kaluar.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të evoluar një vit më pas në dialog politik.

Aktualisht, të dyja palët janë duke e shqyrtuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që më herët njihej si plani franko-gjerman.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.

Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG