Ndërlidhjet

Kuvendi i Shqipërisë voton ndryshimet në Qeveri nën tensione


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme pasditen e së mërkurës për të votuar dekretet për emërim dhe shkarkim të presidentit Ilir Meta mbi ndryshimet e fundit të ministrave në Qeveri.

Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar kanë rikthyer opozitën në sallë, e cila regjistroi të gjithë emrat e deputetëve për të folur në Parlament, në mënyrë që të debatohet mbi emërimet dhe shkarkimet.

Edmond Spaho nga Partia Demokratike dhe Petrit Vasili nga Lëvizja Socialiste për Integrim, të dyja parti opozitare, kërkuan shqyrtimin e dekreteve me debat.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi nuk e lejoi një gjë të tillë, duke thënë se rregullorja e Kuvendit nuk përcakton debat mbi emërime dhe shkarkime të ministrave.

Ai po ashtu bëri të ditur se ka shikuar për precedentët parlamentar në 37 seanca që lidhen me dekretet që nga viti 1999 dhe se asnjëherë nuk ka pasur debat mbi dekretet presidenciale.

“Nga viti 1999 deri në 2018 janë zhvilluar 37 seanca plenare për emërime dhe shkarkime ministrash”, tha Ruçi duke numëruar gjithsej 162 dekrete për të cilat nuk është debatuar.

Zoti Ruçi pas këtij numërimi hapi votimin për dekretet për shkarkim dhe emërim te ministrave.

Opozita shqiptare doli menjëhere nga salla, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha foli nga foltorja e Kuvendit, por me mikrofon të ndalur.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Shqipëria ka “emergjencë kombëtare” dhe i vlerësoi emërimet e reja si “emërime të kukullave të oligarkëve dhe kriminelëve”.

“Opozita parashtroi kërkesë, asnjë rregull i procedurës parlamentare nuk e pengon opozitën të marre fjalën. Opozitën e pengon të marrë fjalën një kryetar kuvendi i marrë peng nga një hajdut”, tha Basha.

Monika Kryemadhi, nga LSI po ashtu tha se opozita do marrë masa për rrëzimin e qeverisë.

Deri më sot opozita ka marre damkën si zjarrfikës, por tashmë nuk ka për të fikur zjarrin e protestës, por opozita do të vazhdojë dhe do të ngrihet në krye të protestës”, tha Kryemadhi duke shtuar se qeveria e tashme duhet të rrëzohet.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se ai vetë do të ushtrojë detyrën e shefit të diplomacisë së vendit, në mungesë të një ministri të Jashtëm, mirëpo presidenti i vendit ende nuk ja ka mundësuar një gjë te tillë.

Ditë më parë presidenti Ilir Meta nuk ka dekretuar ministrin e emëruar për Punë të Jashtme Gent Cakaj, por as kërkesën për shkarkim nga ky post të ish-ministrit Ditmir Bushati.

Mosdekretimi i shkarkimit dhe emërimit ka shkaktuar një ngërç mes dy institucioneve të larta dhe përplasje fjalësh mes dy krerëve të shtetit.

Seanca e jashtëzakonshme e së mërkurës u thirr nga kryeministri Edi Rama.

XS
SM
MD
LG