Ndërlidhjet

Kuvendi ia lë në duar Qeverisë nismën për shfuqizimin e Speciales


Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale ta kthejë në Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se "një vendimi i tillë është marrë në bazë të Rregullores së Kuvendit".

"Kemi vepruar në bazë të Rregullores. Iniciativa e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i është dërguar për mendim Qeverisë. Kjo është ajo që mund të them, përndryshe qëndrimet politike i kemi dhe nuk ka pasur nevojë askush të dalë nga mbledhja”, tha Veseli.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se nisma e deputetëve tash kalon te Qeveria.

"Topi është në dorën e Qeverisë së Kosovës", u shpreh Konjufca.

"Kësaj here Kryesia e Kuvendit e kishte kuorumin prej katër anëtarëve dhe morën vendim që nisma e deputetëve për shfuqizim t’i shkojë për shqyrtim Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi një avancim të kësaj nisme", tha Konjufca.

Debati rreth shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale ka ndikuar që Lidhja Demokratike e Kosovës ta lëshojë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në momentin kur është hapur për debat kjo pikë e rendit të ditës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë, ngase nuk pajtohet me një vendim eventual të Kuvendit, për shfuqizimin e këtij ligji.

“Në pikën e tretë u diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët”, deklaroi Hoti para mediave në Kuvendin e Kosovës.

Hoti theksoi se LDK-ja, vazhdon të mbajë qëndrim kundër kësaj nisme.

Kryesia e Kuvendit gjatë javës së kaluar nuk ka arritur ta shqyrtojë kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale.

Në gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit për punë, që është shkaktuar me mungesën e anëtarëve të saj në mbledhje.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pati ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kjo nismë, kishte nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Kuintit në përgjithësi.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG