Ndërlidhjet

Trysnitë ndërkombëtare zmbrapsin sërish nismën për Specialen


Hagë: Ndërtesa ku do të vendoset Gjykata Speciale

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë edhe për një javë shqyrtimin e nismës së 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale.

Kryesia e Kuvendit nuk ka arritur ta shqyrtojë fare kërkesën, për shkak të mungesës së kuorumit për punë, që është shkaktuar me mungesën e anëtarëve të saj në mbledhje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është mirë që anëtarët e Kryesisë të marrin pjesë në mbledhje.

“Është e domosdoshme të jenë të pranishëm për të gjitha temat sepse e kemi obligim edhe para qytetarëve të Kosovës”, tha Veseli.

Paraprakisht, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie i kishte paralajmëruar se mund të përballen me pasoja të ashpra të gjithë ata deputetë dhe politikanë që qëndrojnë prapa nismës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke thënë se shfuqizimi i ligjit, po kërkohet për interesa individuale dhe në dëm të interesave të shtetit të Kosovës, të ardhmes së saj dhe në dëm të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.

“Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra” ka deklaruar Delawie.

Po ashtu, para se të fillonte mbledhja e Kryesisë, ambasadori Delawie është parë të ketë realizuar edhe një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Thirrje liderëve të Kosovës dhe deputetëve për të mos e shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale u kanë bërë edhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme lidhur me ketë çështje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi, pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se AAK është kundër kësaj gjykate, e cila sipas tij, e dëmton Kosovën.

"Ne edhe në mandatin e kaluar kemi votuar kundër. Edhe tani kur është proceduar lista me nënshkrime jemi nënshkrues të kërkesës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale sepse edhe atëherë edhe tash e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë të dëmshme për Kosovën sepse janë akuza të fabrikuar në Beograd", tha Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk deshi të komentojë fare deklaratat e ambasadorit Delawie.

"Ne nuk i komentojmë deklarata e askujt sepse në ketë rast ne e shohim interesin e Kosovës", tha Isufi.

Mirëpo, qëndrime tjera në raport me fillimin e punës së Gjykatës Speciale ka Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është tragjike për vendin për mënyrën se si po funksionojnë institucionet e shtetit.

“Çështja që lidhet me Ligjin e Gjykatës Speciale, ju e dini qëndrimin e LDK-së. Normalisht në atë pikë ne do të jemi në mendimin e tonë dhe në atë pikë do ta lëshonim mbledhjen e Kryesisë”, tha Hoti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i tha Radion Evropa e Lirë, se Vetëvendosje vazhdon të ketë dyshimet e saj lidhur me nismën e disa deputeteve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

"Ne konsiderojmë se kjo iniciativë është e dominuar prej motiveve personale. Nuk mendoj se ka qenë një iniciativë për të mirën e Kosovës. Po të ishte për të mirën e Kosovës, këta njerëz do të ishin ata që do ta kishin ndalur themelimin e saj qysh në vitin 2015. Por, pikërisht ata që vetë insistuan në themelimin e saj më 2015 tash e kanë ndryshuar mendjen”, tha Konjufca.

“Duhet t'i pyesni ata pse e kanë ndryshuar mendjen”, theksoi ai.

Konjufca, tha po ashtu, se në ditën kur kjo pikë eventualisht do të shqyrtohet në Kuvend, Vetëvendosje do të marr pjesë në seancë.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

XS
SM
MD
LG