Rashiti kërkon që partitë të veprojnë shpejt për zgjedhjen e presidentit
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha se nëse oferta e LVV-së për partitë opozitare është serioze, ato duhet që sonte të propozojnë emra “me urgjencë”.
“Takimet e liderëve të katër subjekteve parlamentare duhet të ndodhin në një tavolinë. Jo ndaras. Negociatat deri nesër dhe zgjedhja e presidentit/es duhet të ndodhë nesër”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se LVV-ja në një rast të tillë duhet të tërheqë dy kandidaturat.
Më 25 prill, LVV-ja ka kërkuar që PDK-ja dhe LDK-ja të propozojnë tre emra për president dhe ata të jenë figura unifikuese dhe jopartiake.
PDK e ka refuzuar ofertën, teksa LDK ka thënë se mund ta propozojë ish-presidenten Vjosa Osmani, me kushtin që LVV-ja ia siguron 66 vota.
Emillija Rexhepi: Kosova po përballet me testin e pjekurisë institucionale
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, tha se Kosova ndodhet përballë një testi të pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë.
“Kjo nuk është koha për çfarëdo kalkulimesh, as hapësirë për partitë politike që të mbledhin pikë politike parazgjedhore”, tha Rexhepi.
“Çdo shtyrje, çdo pengesë dhe çdo tërheqje taktike e ka çmimin e vet. Këtë çmim do ta paguajnë partitë politike në zgjedhje, por mbi të gjitha do ta paguajnë qytetarët tanë, si dhe kredibiliteti ndërkombëtar i shtetit tonë në tërësi”, shtoi ajo.
Ajo shtoi se nëse sot nuk dëshmohet pjekuri politike dhe përgjegjësi institucionale, “rrezikojmë të hyjmë në një cikël të paqëndrueshmërisë së madhe”.
Kur përfundon afati për zgjedhjen e presidentit?
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, afati 34-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër në mesnatë.
“Kjo pasi që, sipas Rregullores së Punës së Gjykatës [Rregulli 29(1b)], kur periudha shprehet në ditë, ajo llogaritet nga dita vijuese pas ngjarjes, në këtë rast – vendimit përkatës”, shkroi ai në Facebook.
Cakolli tha se meqë aktgjykimi për këtë çështje hyri në fuqi më 25 mars, afati fillon të rrjedhë nga 26 marsi “dhe dita e 34-të përmbyllet nesër në mesnatë”.
Kurti: LVV nuk e ka përgjegjësinë e plotë për zgjedhjen e presidentit
Në vazhdim të fjalës së tij, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.
“Në terma të përqindjes, LVV i ka 51.1 për qind të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por nuk e ka 100 për qind”, tha Kurti.
Ai shtoi se fakti që një parti ka më pak deputetë, nuk e përjashton nga përgjegjësia në zgjedhjen e presidentit.
Kurti tha se bazuar në peshën politike, si parti fituese, LVV-ja ka ushtruar përgjegjësinë e saj, duke i ftuar në takime krerët opozitarë e duke ofruar propozime.
“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen”, tha ai.
“Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, shtoi Kurti.