Abonohuni falas në newsletter-in e REL-it...
Në pritje të seancës për presidentin, deputetët vazhdojnë seancën e rregullt plenare
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë brenda këtyre dy ditëve presidentin e ri, legjislatura e dhjetë shpërndahet siç është përcaktuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, më 25 mars.
Në këtë situatë Kuvendi i Kosovës po vazhdon punën me seancën e rregullt plenare teksa po miratohen projektligje të reja.
Në seancën e 27 prillit u miratua Marrëveshja për tregti të lirë midis Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.
Me 93 vota u ratifikua Marrëveshja me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare 2030.
Gjithashtu u miratuan emërime të reja në disa institucione publike.
Gjatë seancës u emëruan tre anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Derisa në rend dite drejt miratimit është edhe formimi ikomisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe po ashtu emërimi i drejtorëve në bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Mirëpo nuk u miratua shmangia e afatit procedural për ta miratuar më herët Projektligjin për energjinë elektrike, pasi munguan votat dy të tretave të deputetëve të pranishëm, siç parashihet me Rregullore të Kuvendit.
Ngjashëm nuk ishte pranuar as në seancën e së shtunës nga ana e partive opozitare kërkesa e partisë në pushtet që të shmangeshin afatet procedurale për t’i miratuar në lexim të parë tri projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligjin për energjinë elektrike, si dhe në lexim të dytë Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ofertat e LVV-së për opozitën
Më 25 prill, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet u kërkoi partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të propozojnë tre persona unifikues dhe jopartiakë për t’u zgjedhur president.
PDK-ja e cilësoi si “ofertë joserioze” dhe e refuzoi atë, ndërkaq LDK-ja tha se mund ta propozojë ish-presidenten, Vjosa Osmani, me kushtin që LVV-ja t’i sigurojë 66 vota për të.
Paraprakisht, LVV-ja u kishte bërë edhe nga një ofertë këtyre dy partive, të cilat po ashtu u refuzuan.
Kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.
Po ashtu, këto parti kishin mbajtur disa takime me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja, por ato përfunduan pa një marrëveshje.