Ndërlidhjet

LVV i fton PDK-në dhe LDK-në të paraqesin emra jopartiakë për presidentin e ri të Kosovës, PDK refuzon

E përditësuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltorën e Kuvendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltorën e Kuvendit.

Partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), njoftoi të shtunën herët se u ka kërkuar dy partive më të mëdha opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Thirrja e partisë në pushtet të shtunën - e cila sipas saj vlen deri të dielën në mbrëmje - vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron të martën dhe ajo u refuzua menjëherë nga PDK-ja.

LVV theksoi në Facebook se do t’i tërhiqte kandidatët e vet - zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku - nga gara për president, nëse dy partitë opozitare i sjellin tre emrat e kërkuar.

Ajo shkroi se ky vendim u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë të premten mbrëma.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, shkroi ajo.

Ajo tha se që të tre kandidatët duhet të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.

Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha për gazetarë para një seance parlamentare se “unë e kam thënë edhe më herët se çështja e presidentit është e mbyllur për PDK-në”.

Ai e cilësoi ofertën më të re të LVV-së si "joserioze”, duke thënë: “Nuk është ofertë. Për ne nuk është ofertë. Çfarë oferte? Aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. LDK është subjekt politik në vete. PDK është subjekt politik në vete”.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur LDK-në nëse do ta shqyrtojë ofertën e LVV-së, por nuk ka marrë përgjigje ende.

Emini: Oferta e LVV-së për opozitën, jo e mirëfilltë

Donika Eminit, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, tha për Radion Evropa e Lirë se oferta e LVV-së për opozitën mund të lexohet si “një lëvizje taktike dhe jo si një hap i mirëfilltë drejt kompromisit”.

"Po të kishte pasur vërtet gatishmëri që opozita të propozojë kandidatët e saj, kjo do të ishte bërë shumë më herët dhe në mënyrë më konstruktive, jo në moment të fundit dhe nën presion afatesh. Vetë koha e ofrimit, në prag të afatit dhe gjatë fundjavës, e kufizon hapësirën e opozitës për t’u koordinuar, gjë që duket e qëllimshme”, tha Emini.

Ajo vlerësoi se oferta është pothuajse “një ultimatum” dhe se njëkohësisht e vendos opozitën përballë nevojës për t’u bashkuar shpejt, ndonëse PDK dhe LDK kanë pasur vështirësi të vazhdueshme për të bashkëpunuar, madje në disa raste edhe për t’u takuar mes vete.

“Kjo i shërben narratives së Vetëvendosjes ‘ne kundër të gjithëve’, një narrativë që opozita deri tani ka arritur disi ta kundërshtojë përmes bashkëpunimit”, theksoi Emini.

Emini shpjegoi se partia në pushtet nuk jep garanci as në ofertën më të fundit se një kandidat i opozitës do të votohej nga ajo dhe ngriti një paralele me rastin e ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilës i ishte premtuar ndihma për të garuar, po jo edhe për t’u zgjedhur.

“Nga njëra anë, opozita ftohet të propozojë emra dhe u garantohen nënshkrimet për nominim. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë garanci që këta kandidatë do të marrin votat në Kuvend. Pra, nominimi hapet, por zgjedhja mbetet nën kontrollin e Vetëvendosjes. Në të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me figura si Vjosa Osmani, të cilës iu garantuan nënshkrimet për nominim, mirëpo jo për votim”, nënvizoi ajo.

Oferta e LVV-së vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës së PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit.

Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.

Kryeministri e ka përsëritur se oferta e tij e hedhur poshtë ishte “gjeneroze” dhe ka paralajmëruar zgjedhje të njëpasnjëshme, nëse s’ka marrëveshje për president.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Në një seancë më 5 mars, partia në pushtet i kishte paraqitur për votim Konjufcën dhe Kollçakun, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Më 6 mars, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.

XS
SM
MD
LG