Ndërlidhjet

Kurti e Abdixhiku nuk arrijnë marrëveshje për presidentin e ri të Kosovës

E përditësuar
Fotografi e kombinuar e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Fotografi e kombinuar e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe partia opozitare Lidhja Demokratike (LDK) kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës gjatë një takimi të hënën, dhe palët paralajmëruan se ky ishte takimi i fundit mes tyre.

Duke folur për media pas takimit, lideri i LVV-së, kryeministri Albin Kurti, tha se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i pranoi ofertat e tij për një marrëveshje dhe tregoi se ai tashmë i ka shkruar liderit të partisë kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për një takim të mundshëm.

“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, tha Kurti duke paralajmëruar se vendi rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 28 prill.

Ai tha se ia ofroi LDK-së, në bashkëqeverisje me partnerët e tjerë, ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera.

Në një ofertë tjetër, Kurti tha se ia ofroi LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, theksoi Kurti.

Ndërkohë, Abdixhiku theksoi se nuk do të takohet më me Kurtin pas dështimit të bisedimeve.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij, që një parti nuk mund t’i udhëheqë tre institucionet kryesore në vend: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej partisë së tij.

Kurti, në anën tjetër, nguli këmbë se nuk dëshiron që partia e tij t’i udhëheqë tri institucionet kryesore të vendit.

Ndërkohë, i pyetur nëse ka një përafrim mes LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilës i skadoi mandati më 4 prill, Abdixhiku ka deklaruar se diçka e tillë do të ishte lajm i mirë edhe për Kosovën edhe për LDK-në.

“Është qëllimi im dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”.

Takimi Kurti-Abdixhiku vjen teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit do të skadojë më 28 prill, dhe nëse nuk përmbushet, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Takimi i mundshëm Kurti-Hamza

Ndërkoh, Kurti tha se i ka shkruar kryetarit të PDK-së, për një takim të mundshëm.

“Unë i dërgova mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara", tha Kurti.

I pyetur nëse do t'i bënte ndonjë ofertë të ngjashme edhe PDK-së, Kurti nuk deshi të tregojë, por shtoi se "oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”.

Zyrtarë të PDK-së kanë thënë rishtazi se po presin shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.

Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.

Ai e përsëriti këtë edhe të hënën, duke thënë: "PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëjë marrëveshje politike blanko ku ata i propozojnë dy kandidatët e ne ua votojmë".

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

XS
SM
MD
LG