Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)
Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)

Pa praninë e opozitës, Kuvendi voton për presidentin

  • Kuvendi i Kosovës nisi natën e së hënës seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në seancë munguan deputetë të opozitës, të cilët bojkotuan edhe një seancë të mëhershme diskutimi për çështjen.
  • Partia e kryeministrit Albin Kurti propozoi dy kandidate të reja për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
  • Në rundin e parë, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
  • Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të rundit të parë të votimit, tha se seanca do të vazhdojë të martën.
  • Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
20:55 27.4.2026

Gola: Kandidatja Feride Rushiti do të duhej të prodhonte konsensus

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se kandidatja e propozuar për Presidente, Feride Rushiti, do të duhej të pranohej nga të gjithë.

Gola foli para hyrjes në seancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur për në orën 20:30 për votimin e dy kandidateve për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoti.

Para mediave, Goli tha se Rushiti u zgjodh si kandidate “për shkak të një biografie të jashtëzakonshme”

Feride Rushiti, e propozuar për presidente të Kosovës.
Feride Rushiti, e propozuar për presidente të Kosovës.

“...Një kontribut të jashtëzakonshëm që e ka bërë në drejtim të mbrojtjes së viktimave të luftës. Autoritetet e tilla besoj që do duhej të prodhonin një konsensus në spektrin politik”, tha ai.

Ai tha se opozita është njoftuar për këtë seancë por nuk e dijnë se si do të veprojnë karshi këtyre kandidaturave.

“Po provojmë me seancën e parë, do të shohim si do të përfundojë”, tha Gola.

21:02 27.4.2026

Çitaku publikon ftesën për seancën e presidentit, kritikon LVV-në

Nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku, ka publikuar ftesën për seancën për presidentin, që në emailin e saj i arriti në ora 20:26.

Seanca për zgjedhjen e presidentit është thirrur nga LVV-ja për në orën 20:30, por ende nuk ka filluar.

“Pra, në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në ora 20:30. Kaq serioz janë këta për të zgjedhur presidentin”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Në sallën plenare deri më tani nuk ka hyrë asnjë deputetë opozitarë.

21:04 27.4.2026

Nis seanca, Haxhiu fton opozitën të vijë në sallën plenare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ftoi deputetët opozitarë që të vijnë në sallë për seancën e zgjedhjes së presidentit.

Sipas saj, ata janë "nëpër zyrat e tyre" në Kuvendin e Kosovës.

21:11 27.4.2026

LVV prezanton kandidaturat për presidente

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka nisur që të shpalosë para deputetëve biografinë e Feride Rushitit, drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

“Ajo kontribuoi në thyerjen e heshtjes, luftimin e stigmës dhe ndryshimin e perceptimit shoqëror ndaj viktimave të dhunës seksuale”, tha Nagavci për punën e Rushitit.

Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit, kujtoi Nagavci.

Rushiti, dhe së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, shtoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu propozoi kandidaten e dytë për Presidente, Hatixhe Hoxha.

Ndër tjera, ai tha se Hoxha ka kontribuar në punë që ndihmuan persona me aftësi të kufizuara.

“Kontributi i saj në periudhat e ndërtimit të institucioneve të vendit e bëjnë atë një kandidate të denjë në këtë pozitë. Lidershipi i saj do të kontribuojë në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës brenda dhe jashtë vendit”, tha Aliu.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG