Ndërlidhjet

Kuvendi, në fundvit, merr me prioritet ligjet e kërkuara nga BE-ja për integrim


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Njohësit e çështjeve politike thonë se ngjarjet në fundit në Maqedoni, përkatësisht arrestimi i dhjetëra personave që ishin pjesë e dhunës në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, në përpjekje për të penguar zgjedhjen kryetarit të këtij institucioni, do të kenë impakt pozitiv në realizimin e reformave që i hapin rrugë zhbllokimit të procesit të integrimit.

Kjo do të bëhet pavarësisht se VMRO DPMNE-ja ka bërë të ditur se do të shqyrtojë pozitën e kësaj partie kundrejt qasjes konstruktive të paralajmëruar sa i përket miratimit të ligjeve evropiane në bazë të planit të Qeverisë së Maqedonisë të njohur si plani 3-6-9.

“Në të gjitha raportet dhe në të gjitha vlerësimet e faktorit ndërkombëtar, përfshirë këtu dhe institucionet e BE-së, si vërejtje kyçe për Maqedoninë kishin funksionimin e drejtësisë dhe gjyqësorit. Kështu që, duhet të bëhet zbardhja e plotë ngjarjeve të 27 prillit dhe deklaratat e perëndimorëve janë se në këtë drejtim duhet të veprohet ‘pa pardon’ ”, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike.

Për realizimin e reformave në disa segmente të shoqërisë, të parapara me planin e Qeverisë 3-6-9 , përkatësisht për ndryshimet ligjore, nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, që nënkupton dhe votat e deputetëve të partisë maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE-së.

Nenad Markoviq, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkupit, vlerëson se pajtimi mes pushtetit dhe opozitës mund të ndodhë vetëm pasi të kenë marrë epilog gjyqësor ngjarjet e dhunshme të 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë, përkatësisht ndriçimi i plotë i këtyre ngjarjeve.

“Mbase në njëfarë mënyre, mund të thuhet, njëherë do të duhet administrohet drejtësia, e pastaj madje të flitet për ndonjë proces pajtimi - ajo për të cilën paralajmëruan shumë njerëz, edhe ditën kur më 27 prill ndodhën këto ngjarje të pakëndshme në Kuvend”, thekson Markoviq.

Ndërkaq, Mersel Billalli konsideron se pas paralajmërimit të liderit të VMRO DPNE-së, Nikolla Gruevski, se do të largohet nga drejtimi i kësaj partie, flet qartë kjo parti më nuk ka kapacitet t’u kundërvihet proceseve të cilat janë përcaktuar si detyra nga Brukseli dhe Uashingtoni, për Maqedoninë sa i përket realizmit të reformave dhe procesit integrues.

“Unë mendoj se VMRO DPMNE-ja nuk ka kondicion dhe energji t’u kundërvihet proceseve të nevojshme që çojnë kah zhbllokimi i integrimit të vendit në NATO dhe BE, aq më tepër kur kjo strukturë partiake ka vlime brenda saj. Në të ardhmen gjithnjë e më shumë do të dominojë struktura pro perëndimore, pro integrimit” , vlerëson profesor Bilalli.

Nga ana tjetër, Nenad Markoviq, njohës i çështjeve juridike, thotë se në dhjetor Kuvendi pritet t’i intensifikojë punimet për të miratuar ligjet në bazë të planit qeveritarë 3-6-9, dhe me këtë t’i plotësojë detyrimet e përcaktuara nga faktori ndërkombëtar, madje edhe në kurriz të mungesës së një debati më të gjerë për këto ligje dhe përfshirjes së mendimit të ekspertëve në to.

“Ne jemi të njohur me ata precedentët e famshëm, kur nxirren nga 200 ligje në ditë, kështu që, nëse e kemi ngushtë, mbase kah fundi i vitit pak do ta ngjeshim orarin e ligjeve me flamur evropian e kështu me radhë, gjë që ka konsekuenca të tjera negative – nuk kemi kohë për valorizim publik, nuk kemi kohë për analizë, nuk kemi kohë për atë çka thellësisht është plotësuar; të mos i përmend reformat, të cilat kanë të bëjnë me sektorin e sigurimit, të cilat janë të ndjeshme, e kështu me radhë - si do të kryhen, kush do të përgjojë, çka do të përgjojë e kështu me radhë”, shton Markoviq.

Ai konsideron se për këtë çështje, faktori ndërkombëtar do të tregohet më fleksibil duke treguar mirëkuptim.

Zyrtarët e lartë të vendit në vazhdimësi theksojnë se pas realizmit të reformave të inkorporuar në planin e Qeverisë të njohur si plani 3-6-9, presin që Maqedonia të marrë rekomandim të pakushtëzuar për integrimin e vendit në familjen evropiane.

Ndërkohë, që mosfunksionimi i drejtësisë është apostrofuar si një nga pikat më nevralgjike për Maqedoninë nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG