Në seancën plenare të 10 prillit, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan katër marrëveshje ndërkombëtare, por një rezolutë që kërkonte uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën nuk kaloi.
Katër marrëveshje në vlerë prej miliona eurosh
Deputetët ratifikuan katër marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh.
Mbi 80 vota mori Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e zhvillimit të sektorit financiar të Kosovës.
Po ashtu kaloi edhe Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e kredisë të bazuar në politika. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo marrëveshje është në vlerë prej 80 milionë eurosh.
Dritën jeshile e mori edhe Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Qeverisë gjermane për kredi në sektorin e energjisë dhe klimës.
Ministri Murati tha se kjo marrëveshje, po ashtu në vlerë prej 80 milionë eurosh, mbështet politikat dhe reformat në sektorin e energjisë.
U ratifikua edhe Marrëveshja e kredisë me Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0".
Murati tha se marrëveshja është në kuadër të një projekti rajonal që parasheh 35 milionë euro si kredi dhe 12 milionë në formë të grantit.
Rezoluta për naftën s'kalon
Gjatë seancës u hodh në votim edhe rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) parti në opozitë, përmes së cilës kërkohej ulja e akcizës dhe heqja e TVSH-së për naftën.
Për të 34 deputetë votuan për, 49 kundër dhe 7 abstenime.
Debati për rezolutën u zhvillua më 3 prill, por votimi për të ishte shtyrë në mungesë të kuorumit.
Çmimet e naftës në mbarë botën, përfshirë edhe në Kosovë, janë rritur që kur ka nisur konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin më 28 shkurt. Më 8 prill, palët kanë arritur marrëveshje për armëpushim dyjavor.
Gjatë debatit për këtë rezolutë, nga kabineti qeverisës kundërshtuan kërkesat e partive opozitare për uljen e akcizës dhe heqjen e TVSH-së, me kryeministrin, Albin Kurti që tha se në të kaluarën kur është hequr apo zvogëluar TVSH-ja nuk ka pasur asnjë efekt.
Në tekstin e rezolutës kërkohej: ulja e akcizës nga 36 centë në litër në 20 centë në litër derisa të stabilizohen çmimet në bursat ndërkombëtare dhe ulja e përkohshme e TVSH-së në karburante nga 18 në 8 për qind deri në stabilizim të çmimeve.
Sipas Ministrisë së Tregtisë, nafta në Kosovë më 10 prill mund të shitet me çmimin më lartë prej 1.89 eurosh.
Rreth një javë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Kosova vendosi masa mbrojtëse për çmimin e naftës.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.
Rezoluta për "mbrojtjen e të vërtetës së luftës" në Kosovë
Për dallim prej rezolutës për naftën, të premten u miratua një rezolutë përmes së cilës kërkohet të mbrohet “e vërteta historike e luftës në Kosovë më 1998-1999”.
Rezoluta u miratua me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Rezoluta u propozua nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, pas një ekspozite të vendosur në sheshin e Prishtinës në mars, mbi masakrat në Kosovë, që u tha se kishte të dhëna të pasakta.
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, lexoi tekstin e rezolutës, ku dënohet shtrembërimi, relativizimi apo paraqitja e pasaktë e fakteve që lidhen me luftën e fundit në Kosovë.
“Rezoluta dënon nismat, si ekspozita e fundit e organizuar në hapësirat publike në Prishtinë që me pasaktësi mbi të dhënat për masakrat në Kosovë nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve, duke rrezikuar deformimin e së vërtetës dhe fakteve”, u tha në tekstin e rezolutës.
Rezoluta po ashtu kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë nëse ka vepra penale lidhur me paraqitjen e fakteve në këtë ekspozitë.
Ekspozita u largua nga Komuna e Prishtinës ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, që kishte financuar një pjesë të ekspozitës të organizatave joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, tha se organi ligjvënës mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por kjo mbështetje jepet “pa ndërhyrë në përmbajtje të projekteve të tilla”.
Pas reagimeve të shumta, Shkëlzen Gashi, në emër të organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA se ekspozita është realizuar bazuar në librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024, ndërsa për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, organizatat janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar duke thënë se dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë që krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por "me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave".
Ndërkaq, me urdhër të Prokurorisë Speciale, banesa e Gashit është bastisur më 30 mars dhe ai është marrë në pyetje nën dyshimet se ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.