Ndërlidhjet

Pushteti kundërshton kërkesën e opozitës për uljen e akcizës dhe heqjen TVSH-së për naftën

E përditësuar
Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Anëtarë të kabinetit qeverisës i kanë kundërshtuar kërkesat e opozitës për uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën gjatë një debati parlamentar të premten, në një kohë kur çmimet e karburantit janë rritur bujshëm si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) paraqiti një rezolutë për këtë në Kuvend, përmes së cilës gjithashtu i kërkohet Qeverisë të gjejë mënyra për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Rezoluta - e cila po mbështetet edhe nga dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – synon parandalimin e krizës ekonomike dhe sociale në vend si pasojë e çmimit të lartë të naftës.

Në tekstin e rezolutës kërkohet: ulja e akcizës nga 36 centë në litër në 20 centë në litër derisa të stabilizohen çmimet në bursat ndërkombëtare dhe ulja e përkohshme e TVSH-së në karburante nga 18 në 8 për qind deri në stabilizim të çmimeve.

Në fillim të seancës morën pjesë anëtarët e kabinetit qeverisës dhe deputetët e LVV-së, por pas pauzës munguan pothuajse të gjithë deputetët e pushtetit dhe kabineti qeverisës. Më vonë në sallë ishte i pranishëm kryeministri Albin Kurti, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila dhe disa deputetë të LVV-së.

Gjatë fjalës në Kuvend, Kurti argumentoi se në të kaluarën, kur është hequr apo zvogëluar TVSH-ja nuk ka pasur asnjë efekt.

“Kërkesat e parashtruara në thirrje të kësaj seance nuk janë të reja, e as të papritura. Në vazhdimësi në secilin krizë apo luhatje që kanë qenë shumë në këto gjashtë vjet të fundit, të parat masa të propozuara kanë qenë heqja apo ulja e TVSH-së dhe në këtë rast edhe akcizës për naftën”, u shpreh Kurti.

Ai po ashtu tha se heqja e TVSH-së dhe akcizës, apo ulja e tyre, do të shkaktonte boshllëk financiar “që nuk mbushet lehtë”.

“Me një kalkulim të thjeshtë, nëse hiqen vetëm 16 centë në litër të akcizës nga të hyrat aktuale, kostoja mujore do të ishte minus 10 milionë euro për buxhetin e shtetit”, tha kryeministri i Kosovës.

Kërkesa për këtë rezolutë vjen në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike.

Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri naftë në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehohna Lushaku Sadriu, tha se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës “nuk është thjesht në lëvizje në treg, por është baza e një krize ekonomike me ndikim të drejtpërdrejtë në çdo familje dhe çdo biznes të Kosovës”.

Ajo i ka kritikuar autoritetet se nuk kanë ndërhyrë për të bërë diçka për ketë, duke thënë “Qeveria nuk guxon të qëndrojë si spektatore dhe të përfitojë nga rritja e taksave në këto produkte”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e kritikoi Qeverinë se nuk është duke e marrë parasysh “ndikimin e kësaj dukurie në përkeqësimin e standardit të jetesës të qytetarët”.

“Kjo Qeveri nuk është duke u përkujdesur për zhvillimin ekonomik dhe standardin e jetesës por është duke bërë veprime vetëm si të konvertohen në votë. Blerjen e votës përmes parasë publike”.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria e tanishme “nuk është e aftë” të përballet me krizat.

“Duhet ta themi hapur se krizën të cilën sot e kemi në Kosovë, është barra më e madhe për qytetarët e Kosovës dhe se kjo krizë po kthehet në një mundësi të lojës së numrave, gjoja se për zhvillim ekonomik”, tha Tahiri.

Megjithatë, rezoluta dhe pretendimet e opozitës u kundërshtuan nga anëtarë të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, të cilët argumentojnë se rekomandimet e tyre nuk janë zgjidhje.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, argumentoi sesi, sipas saj, ulja e akcizës apo heqja e TVSH-së nuk janë zgjidhje, duke thënë se ato do të ndikonin në buxhetin e shtetit dhe rrjedhimisht në shtesat për qytetarët.

“Tani ju çka po propozoni, ta heqim akcizën, ta heqim TVSH-në? Dhe, cilën nga masat ta heqim? Shtesat për lehonat? Shtesat për fëmijë? Cilën nga kategoritë e caktuara ju mendoni se ne duhet ta ulim që ta kompensojmë për uljen apo heqjen e TVSH-së apo akcizës”, tha Kusari drejtuar opozitës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e akuzoi opozitën se i dëshiron këto masa “jo për qytetarët, por për bizneset që mbështesin partitë tuaja”.

Ai argumentoi se ulja e akcizës nuk do të ndikonte te qytetarët kur ata blejnë naftë.

“Ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon 50 litra naftë në muaj përkthehet në 8 euro. A ju kujtohet kur kemi filluar shtesat e fëmijëve me 10 euro, këta [opozita] thoshte se janë vitra, e tash propozimi i tyre është uleni akcizën t’i kursejnë 8 euro në muaj, e për shtetin kjo përkthehet në 10 milionë euro më pak të hyra në muaj”, u shpreh Murati.

Qeveria e Kosovës synon që rritjen e çmimeve ta kontrollojë përmes një ligji për çmimet tavan, projektligjin për të cilin pritet ta dërgojë në Kuvend së shpejti, pasi e miratoi atë në një mbledhje të premten.

Rreth një javë pasi filloi rritja e çmimeve - kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën bombardimet ndaj Iranit më 28 shkurt, dhe Teherani u përgjigj duke goditur Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza amerikane - Qeveria e Kosovës vendosi masa mbrojtëse për çmimin e derivateve.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.

Ky vendim është në fuqi vetëm deri më 4 prill.

XS
SM
MD
LG