Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë miraton kërkesën për ndryshimet kushtetuese


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kuvendi i Maqedonisë, me 80 vota për, miratoi propozimin e qeverisë për qasje në ndryshimet kushtetuese.

Kundër votuan 39 deputetë të partisë opozitare VMRO DPMNE, por 8 deputetë të koalicionit opozitar votuan për kërkesën e qeverisë, me çka u siguruan votat e nevojshme prej dy të tretash, aq sa janë të domosdoshme për të kaluar kërkesa e ekzekutivit.

Kryeministri Zoran Zaev në një konferencë për media i shoqëruar nga deputetët tha se Maqedonia me këtë votim ka bërë një hap të madh në drejtim të realizimit të marrëveshjes me Greqinë për emrin që garanton të ardhme për shtetin dhe qytetarët.

“Sot është një ditë historike për vendin tonë. Së bashku kemi shkruar historinë. Pasi shumica e qytetarëve miratuan marrëveshjen në referendum, sot Kuvendi me dy të tretat mundësoi të ecin para në aleancat më të mëdha perëndimore në Botë. Maqedonia do të jetë pjesë e Botës”, deklaroi Zaev.

Sa i përket mbështetjen që mori nga grupi i deputetëve të VMRO-së që janë të akuzuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill. Zaev tha se vota e tyre për ndryshimet kushtetuese nuk nënkupton edhe lirimin e tyre nga procesi gjyqësor, i cili do të vazhdojë duke respektuar në tërësi ligjet në fuqi.

“Kam biseduar unë edhe me deputetët që janë të paditur për synimin e tyre që të marrin jetën time në këtë sallë, dhe i kemi shtrirë dorën, kështu kemi biseduar dhe do të vazhdojmë të bisedojmë pasi është koha që të ketë pajtim në shtet", tha Zaev.

"E gjitha procedura e mëtejmë do të jetë transparente dhe pa dyshim se do të punojmë për të ardhmen e vendit, për anëtarësimin në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi kryeministri Zaev.

Por, lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski aktin e votimit e ka quajtur “kriminal dhe të dhunshëm”. Ai tha se pushteti përmes dhunës dhe kërcënimeve ndaj deputetëve të VMRO-së ka arritur që të siguroj votat e tyre. Kreu i opozitës tha se kjo që ka ndodhur është “veprimi më i turpshëm që ka mundur të ndodhë në vend dhe se një ditë Zaev do të përgjigjet për të gjitha të këqijat që i sjellë Maqedonisë”.

“Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë betejën kundër këtij pushteti kriminal dhe të dhunshëm. Në vend të zgjedhjeve, ata përmes dhunës po tentojnë të shkatërrojnë gjithçka".

"Me votimin e sontëm, Zaev po zbaton marrëveshjen e dëmshme dhe kapitulluese për vendin, do të ndërrohet emri i shtetit, historia, identiteti dhe gjithçka tjetër... Por ne do të vazhdojmë të kundërshtojnë këtë regjim” tha Mickovski duke njoftuar nisjen e procedurave për përjashtimin nga partia të shtatë deputetëve që kanë votuar ndryshimet kushtetuese.

Pas këtij votimi, komisionet duhet të hartojnë ndryshimet, për t’u rikthyer më pas në votimin e dytë dhe të fundit në seancë plenare.

Këto ndryshime janë të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoni e Veriut.

Marrëveshja, që u arrit verën e këtij viti në Prespë, pritet t’i hapë rrugë Maqedonisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Qëkur Maqedonia ka shpallur pavarësinë në vitin 1991, Greqia i ka bllokuar përpjekjet e saj për euro-integrim, duke këmbëngulur se me emrin Maqedoni, fqinji i saj mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër.

Ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë parashohin ndryshimin e preambulës dhe të neneve tjera.

Votimi në Kuvend është përshëndetur nga Athina Zyrtare e cila gjithashtu duhet të ratifikoj marrëveshjen pas përfundimit të procedurave në Maqedoni.

“Urime, miku im, Zoran Zaev! Votimi i sotëm është një hap i madh drejt suksesit tonë të përbashkët. Një hap shumë i rëndësishëm drejt të ardhmen paqësore dhe prosperuese të popujve tanë”, ka shkruar në twitter, kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Reagime kanë ardhur edhe nga Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg dhe komisioneri për zgjerim dhe fqinjëri të mirë, Johannes Hahn

“Ditë e madhe për demokracinë në Shkup! Uroj të gjithë ata që kanë vendosur të ecin rrugës drejt BE-së. Pres që zgjedhja e lirë e të gjithë deputetëve është respektuar tërësisht, në veçanti të atyre që sonte kapërcyen barrierën, Na duhen lojëra të burrështetasve dhe jo politike” ka shkruar në twitter, komisioneri Hahn.

XS
SM
MD
LG