Ndërlidhjet

Vuçiq zhvillon bisedime “të vështira” me Lajçakun, paralajmëron vazhdimin e tyre


I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 13 mars 2023.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 13 mars 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar “një bisedë të vështirë dhe domethënëse”.

“Ne do të vazhdojmë sonte dhe nesër bisedimet për Kosovën dhe Metohinë dhe të ardhmen evropiane të Serbisë”, shkroi ai në llogarinë e tij në Instagram.

Zyrtari evropian më 13 mars nisi vizitën e tij në Serbi, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Të dy liderët do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Lajçak u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, pas qëndrimit dyditor javën e kaluar Prishtinë, ku bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe aktorë të tjerë politikë.

Në një njoftim nga zyra e Vuçiqit, thuhet se ai ka diskutuar me Lajçakun “për propozimin evropian, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe hapat e tjerë të nevojshëm që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

Vuçiq theksoi se “Serbia po punon me përgjegjësi dhe se është e përkushtuar ndaj bisedimeve për të arritur kompromis dhe zgjidhje të qëndrueshme, të nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me kufizime të përcaktuara qartë".

Sipas njoftimit, Vuçiq po ashtu tha se formimi i Asociacionit është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb në Kosovë.

Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Më 9 mars, Lajçak ka thënë se ka pasur bisedime konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes, dhe ka shtuar se takimi i ka përmbushur pritshmëritë e tij.

Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak ka thënë se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, sepse Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht obliguese pa të.

Më 10 mars, Lajçaku ka thënë se beson që Marrëveshja do të zbatohet të paktën pjesërisht, nëse jo plotësisht, dhe se harmonizimi “i një pjesë të mirë” të udhërrëfyesit do të përbënte sukses.

Më 9 mars, Vuçiq ka thënë se Lajçak do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën për të biseduar drejt normalizimit.

Një ditë më vonë, Vuçiq e ka përsëritur se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk e ka të qartë” se çfarë do të diskutojë me Lajçakun.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

XS
SM
MD
LG