Ndërlidhjet

Lakuriqi dhe kafshët e tjera, pjesë e enigmës së koronavirusit


Një lakuriq i parë në Jordani.
Një lakuriq i parë në Jordani.

Lamat duket se kanë anti-trupa të rrallë, që mund të ndihmojnë në përpjekjet për të rritur imunitetin e njerëzve ndaj koronavirusit të ri.

Stërvitësit e kafshëve besojnë se qentë mund të identifikojnë sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ende pa u zhvilluar simptomat.

Vidra në anën tjetër, po del të jetë tejet e rrezikshme, për arsye të cilat ende nuk i kemi kuptuar.

Më poshtë kemi renditur disa krijesa që na infektojnë neve, që mund të infektohen nga ne, na paralajmërojnë, apo i japin formë betejës globale kundër koronavirusit.

Origjina

Lakuriqi

Ata janë analizuar dhe studiuar në veçanti prej kur është kuptuar se kanë bartuar sëmundjen SARS, e cila pati rezultuar me një shpërthim vdekjeprurës më 2002.

Duke përfshirë rreth 1,400 krijesa dhe gjitarët e vetëm që kanë aftësi të fluturimit, lakuriqi konsiderohet jashtëzakonisht rezistent ndaj të gjitha sëmundjeve të lindura virale, përveç tërbimit, duke i kthyer ata në shpërndarës idealë të patogjeneve të tilla.

Mirëpo pandemia me sëmundjen Covid-19, ka hedhur dritë në një lloj specifik të lakuriqit, (Rhinolophus).

Virologët besojnë se ai mund të jetë burimi i koronavirusit të ri.

Sipas hulumtuesve, gjeni i koronavirusit të ri sugjeron se virusi ka kaluar prej lakuriqit, në ndonjë kafshë ndërmjetësuese, ndoshta shumë kohë më parë, para se të infektojë njerëzit në fund të vitit të kaluar.

Mirëpo ende ka pyetje të hapura për rrugën e saktë para infektimit të të paktën 7 milionë personave me koronavirusin e ri dhe vdekjes të më shumë se 400,000 pacientëve.

Kjo çështje është subjekt i një debati intensiv, ndoshta edhe për shkak të qëndrimit gjeopolitik që ekziston rreth Kinës.

Disa ditë më parë, shkencëtarët kanë hedhur poshtë pretendimet e një ekipi britanik dhe norvegjez, që po punojnë në një vaksinë potenciale për Covid-19, se shumë përpjekje globale për vaksinë do të dështojnë, sepse ato injorojnë gjurmët e acidit ribonukleik, që sugjeron se koronavirusi është krijuar nga njeriu.

Të vërtetat dhe gënjeshtrat për koronavirusin

Të vërtetat dhe gënjeshtrat për koronavirusin

Testoni njohuritë tuaja!

Derisa shkencëtarët të gjejnë se çfarë përputhet, apo se çfarë dyshojnë se mund të jetë kafsha ndërmjetësuese, lakuriqi do të jetë në qendër të studimit të Institutit të Vuhanit për Virologji, i cili u ka kushtuar vëmendje të madhe viruseve të lidhura me këtë krijesë, dhe madje është akuzuar nga disa zyrtarë amerikanë për lëshim të koronavirusit jashtë objektit.

Pangolina

Në muajin shkurt, hulumtuesit nga Universiteti për Bujqësi Guangzhou, kanë pretenduar se kanë identifikuar pangolinën të lidhur gjenetikisht me këtë virus.

Hulumtuesit kanë gjetur se një pjesë e koronavirusit, e bartur nga luspat e këtij gjitari, dhe që përdoret për t’u fiksuar në qeliza, ka qenë gati identike me koronavirusin e ri.

Kjo gjallesë po konsiderohet si burim i mundshëm i përhapjes së virusit, mirëpo shkencëtarët nuk duken më afër sesa muaj më parë, për të krijuar lidhje speficike të virusit me pangolinën.

Mishi i pangolinës konsumohet në Kinë ose përdoret për qëllime mjekësore.
Mishi i pangolinës konsumohet në Kinë ose përdoret për qëllime mjekësore.

Kjo kafshë rritet në Azinë Juglindore dhe Afrikë, dhe tregtimi i mishit të saj është i ndaluar ndërkombëtarisht, mirëpo autoritetet kineze supozohet se gjejnë mënyra për ta bërë këtë gjë.

Këto supozime kanë nxitur idetë që zyrtarët kinezë kanë tentuar të fshehin prezencën e pangolinës në tregjet e Vuhanit – ku shiten shumë kafshë për konsumim – të cilat janë lidhur me shpërthimin e koronavirusit të ri në Provincën Hubei.

Macet e llojit civet

Macet e llojit civet njihen për namin e zi pas shpërthimit të SARS-it në 2002-04, dhe për rolin e tyre si ndërmjetësuese të këtij virusi.

Ato zakonisht shiten në tregjet kineze për mishin e tyre dhe besohet se kanë qenë burim fillestar i transmetimit të SARS-it në njerëz, pas kontaktit të ngushtë me lakuriqin në tregje të tilla.

Macja e llojit civet, duke u shitur për konsumim në Kinë.
Macja e llojit civet, duke u shitur për konsumim në Kinë.

Kjo pasi, shkencëtarët kanë gjetur në trupat e këtyre maceve dozë të virusit, e që ka qenë gati identike me SARS-in.

Për to shumë shpejt është krijuar ideja se janë të lidhura me koronavirusin, ndonëse ende nuk ka të dhëna që mbështesin këtë supozim.

Infektimet e reja

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ka thënë se ndonëse ka ende “informacion të kufizuar, rreziku që kafshët e kanë përhapur sëmundjen Covid-19 në njerëz është e vogël”.

Problemi me këtë lloj testimi qëndron te fakti se nuk ka rrugë etike për të krijuar procese, përmes së cilave, mund të kuptohet nëse kafshët mund të infektojnë njerëzit.

Një numër kafshësh – lakuriqi, macja, dhe dy lloje të minjve – janë infektuar në eksperimente dhe kanë përhapur virusin në kafshë tjera brenda llojit të tyre.

Asnjëri prej tyre nuk e ka kaluar virusin në njerëz.

Vidra

Vidrat janë të vetmet përgjegjëse për kalim eventual të sëmundjeve të kafshëve në njerëz, mirëpo edhe nuk dihet lidhja kafshë-njeri, që shumë besojnë se ka shkaktuar pandeminë në fund të vitit të kaluar.

Të paktën dy persona besohet se kanë marrë virusin nga dy kafshë të infektuara në një fermë holandeze të vidrave, pasi ato fillimisht janë infektuar nga njerëzit në fund të muajit prill.

Disa vidra në një fermë në Kopenhagë.
Disa vidra në një fermë në Kopenhagë.

Andaj personat që kanë pasur këto gjallesa nëpër rançet e Holandës, janë duke i vënë në gjumë këto kafshë, pavarësisht deklaratave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Autoritetet holandeze janë duke shikuar edhe nëse macet e infektuara mund të kenë pasur rol në transmetimin e koronavirusit nëpër ferma.

“Burime” të reja

Ndërkohë, koronavirusi apo viruset tjera të ngjashme me të, mund të jenë duke qarkulluar në botë pa u vërejtur.

Përveç lakuriqit, të paktën dhjetëra kafshë tjera, kanë treguar shenja të dyshimta kur janë studiuar nëpër laboratore për lidhje të mundshme me koronavirusin e ri: qentë, macet, tigrat, lepujt, dhe një lloj majmuni (marmoset).

“Teksa virusi është duke u përhapur në gjithë botën, ai mund të gjejë burime të reja për transmetim jashtë Kinës”, ka thënë virologu, Ralph Baric nga Universiteti i Karolinës Veriore, për National Geographic.

Macet

Shkencëtarët e kanë ditur nga koronaviruset e mëparshme se macet mund të infektohen, mirëpo ekspertë për kontrollin e sëmundjeve, ulin rrezikun që njerëzit të infektohen me Covid-19 nga një kafshë shtëpiake.

Macet dhe kafshët tjera shtëpiake mund të kenë virusin e tyre nëpër qime, nëse janë infektuar nga personat që kujdesen për to, mirëpo nuk është e qartë nëse ato janë burim i infektimit, sidomos prej kur shkencëtarët nuk janë të sigurt se çfarë sasie e koronavirusit nevojitet, ashtu që njerëzit të sëmuren.

Në muajin mars, një mace në Belgjikë ishte kthyer në rastin e parë të infektimit të një kafshe përmes njeriut.

E njëjta kafshë është përballur me diare, të vjella dhe probleme me frymëmarrje, një javë pasi i ishte sëmurë pronari.

Macja është shëruar dy javë më vonë.

Infektimet tjera të maceve më vonë janë raportuar në Hong Kong dhe shtete tjera.

Rasti i parë i infektimit të maces në Rusi është bërë i ditur në muajin maj.

Tigrat

Rastet e para të infektimit të kafshëve në një kopsht zoologjik në Shtetet e Bashkuara, kanë qenë të lidhura me tigrat në muajin prill në Bronks.

Ndërkohë është raportuar se edhe tre luanë tjera janë infektuar me këtë virus.

Ata duket se janë infektuar nga mirëmbajtësit e tyre dhe janë testuar vetëm pasi kanë shfaqur simptoma, të cilat kanë kërcënuar jetën e disa kafshëve tjera.

Tigri i infektuar me koronavirus në Bronks.
Tigri i infektuar me koronavirus në Bronks.

Askush deri në atë kohë nuk e ka ditur nëse tigri mund të infektohet me koronavirus.

Vetëm vendimi për testimin e tyre ka qenë kontravers, në kohën kur ky qytet ka qenë në krizë të testeve për njerëz.

Qentë

Një qen i llojit pomeranian, ishte kthyer në qenin e parë që ishte prekur nga koronavirusi, në shkurt të këtij viti në Hong Kong.

Kjo kafshë shtëpiake, e një pacenti të shëruar nga sëmundja Covid-19, ka dalë pozitive pas pesë testimeve të kryera përgjatë muajit shkurt dhe mars.

Mirëpo në testime është parë se nuk janë krijuar as anti-trupa, duke sugjeruar se nuk ka pasur përgjigjje të organizmit ndaj virusit.

Qen i racës, Pomeranian.
Qen i racës, Pomeranian.

Studiuesit ende nuk e dinë nëse kjo kafshë mund të ketë infektuar njerëzit, ndonëse shumica prej tyre hedhin poshtë një rrezik të tillë.

Qeni ka ngordhur vetëm disa ditë pasi është liruar nga karantina, sipas autoriteteve të Kong Kongut.

Mirëpo në mungesë të analizave shtesë, vdekja e kafshës mbetet mister.

Devet

Ne e dimë se devet kanë qenë burim i sëmundjes MERS, që ka lënë të vdekur 866 persona, prej kur është zbuluar më 2012.

Infektimi i njerëzve me MERS vazhdon ende në shkallë të qindra personave në vit, dhe gati të gjithë raportohen në Gadishullin Arab. Shumica e tyre lidhen me kontakt të afërt të deveve apo konsumimit të mishit të tyre.

Disa deve në Irak.
Disa deve në Irak.

Devet besohet se janë infektuar me virusin MERS, nga një lakuriq i varrezave të Egjiptit, ndonëse shkencëtarët nuk janë të sigurt si ka ndodhur një gjë e tillë.

Deri më tani nuk ka të dhëna që devet janë infektuar me koronavirusin e ri.

Trajtimi dhe vaksinat

Lamat

Një lamë belge, e quajtur Winter (Dimri), është në qendër të një studimi rreth rezistencës që po tregon ndaj koronavirusit dhe trajtimeve të mundshme.

Hulumtuesit nga Teksasi dhe Belgjika, kanë vazhduar studimet që kanë treguar se anti-trupat e lamave mund të jenë efektive kundër viruseve si SARS-i dhe MERS-i, madje edhe kundër gripit sezonal dhe AIDS-it.

Lamat kanë anti-trupa të dytë, të njohura si “nano-trupa”, që janë shumë më të vogla sesa secili anti-trup njerëzor, dhe të cilat kanë aftësi për të “shpuar proteinat” që koronavirusi përdor për të hyrë në qelizat e shënjestruara.

Lamat.
Lamat.

“Ky është një prej anti-trupave të parë që dihet se neutralizon koronavirusin”, ka thënë një prej studiuesve të lamave për të përditshmen Houston.

Institutet amerikane për Shëndetësi dhe organizatat tjera, kanë mirëpritur studimet tjera për lamat, lidhur me këtë çështje.

Krimbat

Mjekët francezë është thënë se janë duke kryer testime në gjakun e krimbave, me qëllim të trajtimit të pacientëve të sëmurë seriozisht me Covid-19, pas miratimit të dhënë nga rregullatorët për eksperimente klinike në dy spitale.

Mbështetësit e kësaj ideje besojnë se injektimi mund të ndihmojë në rritjen e niveleve të oksigjenit te njerëzit, bazuar në një molekulë që gjendet në gjakun e krimbave, e cila i ndihmon kësaj kafshe të qëndrojë gjatë pa marrë frymë.

Krimbi.
Krimbi.

Hulumtuesit kanë pranuar se testimet me krimba janë “të pazakonshme dhe në fazat e para të testimit”.

Testimet fillestare kanë pasur për qëllim të vërtetojnë nëse është i sigurt injektimi i gjakut të krimbave në njerëz.

Kafshët laboratorike

Testimi në kafshë është i rëndësishëm sidomos tani teksa zhvillohet garë për gjetje të vaksinës.

Pothuajse secili ilaç fillimisht testohet në kafshë për të parë efektet biologjike dhe ndryshimet e mundshme në sjelljet e gjallesave, para se të mundësohet testimi klinik në njerëz.

Pamje nga testimet laboratorike në Tajlandë.
Pamje nga testimet laboratorike në Tajlandë.

Testimet të tilla mund të bëhen për trajtime eventuale apo vaksina.

Pra, ata janë heronj të padiskutuar, të papërmendur dhe gjithmonë testohen në mënyrë të pavullnetshme për një mori pikash kyçe mjekësore.

Minjtë

Disa prej lajmeve më shpresdhënëse për Covid-19, ka ardhur nga disa eksperimente të kryera nga Moderna, në minj dhe njerëz, në SHBA.

Minjtë konsiderohen tejet të rëndësishëm për dekada në testimet e ilaçeve, për shkak të shpenzimeve të vogla dhe riprodhimit të lartë.

Studimet në minj kanë prodhuar të gjetura rreth asaj sesi koronavirusi sulmon sistemin nervor, rrugët e infektimit, dhe sesi patogjeni infekton në përgjithësi trupin e njeriut.

Majmunët dhe qelbësit

Edhe kafshë tjera të zakonshme, janë përfshirë në eksperimentet e fundit.

Majmunët dhe qelbësit në veçanti, kanë luajtur një rol të madh në kërkimet për vaksinë.

Gjurmimi

Qentë

Qentë dhe macet janë të njohura tashmë për nuhatjen e tyre dhe aftësi tjera të ngjashme, që ndihmojnë në identifikimin e sëmundjeve në njerëz.

Disa prej tyre e kanë të shprehur nuhatjen 50 herë më shumë sesa hunda e njeriut, duke e bërë shqisën e tyre mijëra herë më të ndjeshme sesa atë të njerëzve.

Qentë në veçanti besohet se kanë aftësi të vërejnë shenjat e kancerit në njerëz, andaj në disa vende janë të trajnuar për qëllime mjekësore, përfshirë edhe paralajmërimin e personave që kanë probleme me epilepsi, për sulmet e mundshme.

Prandaj edhe ka projekte për anagazhim të këtyre kafshëve në analizimin e njerëzve me Covid-19.

Në Britani, hulumtuesit janë duke punuar me qentë, me shpresën se do të mund të vërejnë infektimin përpara se të shfaqen simptomat.

“Ne përdorim mostra njerëzore për projekte të ndryshime biologjike”, ka thënë Gemma Butlin, zëdhënëse për një projekt në qendrën për bamirësi, Qentë për Identifikim Mjekësor, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Projekti Covid-19 do të përfshijë frymëmarrjen dhe djersën, mirëpo për kancerin e prostatës shembull, do të nevojitet mostra e urinës”.

Ky grup ka nisur “trajnimet fillestare” me tri lloje qensh, dhe shpreson që të shtojë ende teksa vazhdon projekti.

“Pas trajnimit të mostrave joinfektuese, qentë tani do të nuhasin aromën e një personi të infektuar, pa pasur kontakt me të njëjtin”, ka thënë Bultin.

“Ata do ta nuhasin ajrin rreth atij personi”.

Projekte të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në Finlandë dhe Gjermani.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG