Ndërlidhjet

Libani tërheq vërejtje kundër "synimeve agresive" të Izraelit


Presidenti i Libanit, Michel Aoun.
Presidenti i Libanit, Michel Aoun.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, ka akuzuar të enjten Izraelin për përshkallëzim të armiqësive, pasi aeroplanët izraelitë kanë kyer sulme ajrore një natë më par në këtë shtet.

Bombardimet e Izraelit kanë qenë të parat që kanë shënjestruar Libanin nga viti 2006, dhe pritet të ndikojnë në rritje të tensioneve me Iranin, i cili përkrah militantët aktivë në këtë zonë.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, i ka konsideruar sulmet edhe si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Libanit, si dhe në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Izraeli ka thënë se është përgjigjur me artileri dhe më pas ka goditur vendet e nisjes së dy raketave drejt territorit izraelit më 4 gusht.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për raketat, të cilat janë nisur nga jugu i territorit të Libanit, ku militantët e Hezbollahut - të përkrahur nga Irani - kanë fuqi të konsiderueshme.

Zona kufitare ka qenë kryesisht e qetë prej luftës së Izraelit më 2006 kundër Hezbollahut.

Shkëmbimet e reja vijnë në kohën e qeverisjes së re në Izrael dhe disa muajve të një armëpushimi të cenueshëm me militantët e Hamasit në Gaza.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantaz ka fajësuar një fraksion palestinez për nisje të raketave.

“Ky sulm izraelit mëton të dërgojë një mesazh”, ka thënë Gantz.

“Dihet se ne mund të bëjmë më shumë, por shpresojmë se nuk do të arrijmë në atë pikë”.

Tensionet në mes të Izraelit dhe Iranit janë rritur edhe teksa fuqitë botërore tentojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Një sulm ndaj një anijeje izraelite afër Iranit po ashtu ka rritur presionin ndërkombëtar ndaj Teherani, pasi disa vende të Perëndimit e konsiderojnë fajtor për incidentin.

XS
SM
MD
LG