Ndërlidhjet

Liderët e partive ‘shfajësohen’ për rezultatin zgjedhor


Votim gjatë raundit të balotazhint në zgjedhjet lokale në Maqedoni
Votim gjatë raundit të balotazhint në zgjedhjet lokale në Maqedoni

Sikur në të kaluarën ashtu edhe pas këtij cikli zgjedhor, asnjë nga liderët e partive politike nuk ka marrë përgjegjësinë, apo të japin dorëheqje për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje. Kjo, para se gjithash vlen për VMRO-DMNE-në e cila pësoi disfatën më të thellë në zgjedhjet e tanishme lokale.

Njohësit e çështjeve politike, thotë se përkundër presionit të anëtarësisë dhe të opinionit në përgjithësi, Nikolla Gruevski do të vazhdojë të drejtojë partinë. Në hezitimin e tij për të dhënë dorëheqje, Arsim Sinani nga qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, përmend edhe hetimet që po zhvillohen ndaj tij për keqpërdorime të shumta në kohën e qeverisjes së partisë së tij.

Sa i përket dorëheqjes së Gruevskit unë nuk e mendoj se ai do ta bëjë një gjë të tillë. Ai dorëheqje mund të japë vetëm nëse i jepet ndonjë garanci se nuk do të shkojë në burg, e garanci të tillë nuk do të mund të marrë, pasi ka shumë procese gjyqësore të hapura kundër tij. Pra, më parë e mendoj se ai mund të shkojë në burg dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet që ka bërë në të kaluarën, sesa të japë dorëheqje për shkak se nuk shoh në VMRO forcë që dikush t’i kundërvihet, për shkak se mjaft mirë i kontrollon atë struktura në piramidën të cilën e ka ndërtuar”, thotë Sinani.

Nenad Markoviq, njohës i çështjeve politike, thotë se dorëheqja do të ishte akti më i lartë moral i një lideri në rast të disfatës. Ai, por edhe kryesia më e ngushtë e partitë, në rast të pranimit të përgjegjësisë dhe dorëheqjes, do të ndihmonte konsolidimit të partisë, por edhe demokracinë në përgjithësi.

Do të ishte e ndershme që ai të japë dorëheqje dhe të mos kërkojë fajtorë të tjerë për disfatën në zgjedhje. Në ciklet zgjedhore, Maqedonia mund të thotë se ka pasur parregullsi, por një humbje kaq e thellë e VMRO-s nuk mund të arsyetohet me asgjë tjetër pos me marrjen e përgjegjësisë nga drejtuesit e tyre. Marrja e përgjegjësisë i ndihmon edhe forcimit të demokracisë, por fatkeqësisht diçka të tillë nuk po shohim në Maqedoni”, thotë Markovqi.

Nga ana tjetër, Arsim Sinani, thotë se situata krejt ndryshe është në bllokun politik shqiptar, ku sipas tij, fituese morale janë partitë shqiptare që bënë koalicionin “Aleanca me Besë”, pasi në zgjedhjen morën votat e elektoratit shqiptarë, për dallim nga Bashkimi Demokratik për Integrim që doli e para në zgjedhje, por me ndihmën e LSDM-së maqedonase.

Në një situatë të tillë, sipas Sinanit, nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga liderët e tyre për shkak të specifikave në ambientin politik në Maqedoni, ku partitë garojnë në etnitetet e tyre, por që kësaj radhe kishte një prishje të këtij parimi që ka ekzistuar në të gjitha ciklet zgjedhore.

Por, edhe sikur zgjedhjet të zhvilloheshin mes entiteteve të tyre, liderët sipas Sinanit vështirë se do të jepnin dorëheqje, gjë që është dëshmuar në proceset e deritanishme zgjedhore, ku partitë disfatat gjithmonë i kanë interpretuar si fitore.

Nuk shoh tek liderët në Maqedoni, tek asnjë prej tyre, prej tek Zaevi e deri tek Gruevski apo prej Ahmetit e deri tek Thaçi, nuk kanë edukatë që të japin dorëheqje morale. Një standard i tillë nuk mund të vendoset pa shkuar kjo gjeneratë e këtyre politikanëve, pasi janë politikanë që thënë kushtimisht janë rritur në rrethana jugosllave dhe si të tillë funksionojnë”, thekson Sinani.

Përveç refuzimit të liderëve të partive për të marrë përgjegjësinë e rezultatit të dobët, asnjë kryetarë komune, me përjashtim të atij për Gostivarin, Nevzat Bejta, nuk ka uruar kundërshtarët e tyre për fitoren në zgjedhje. Bejta jo vetëm që uroi kundërkandidatin e tij Arben Taravari, por edhe njoftoi largimin nga politika. Njohësit e çështjeve politike urojnë që rasti me Bejtën të shërbejë si pikënisje që edhe liderë të tjerë të marrin përgjegjësinë, si vlerë themelore e demokracisë.

XS
SM
MD
LG