Ndërlidhjet

Kundërthëniet e Ligjit për Prokurorinë Publike


Ndërtesa e Prokurorisë Publike në Shkup. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Prokurorisë Publike në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Përmbajtja e Ligjit për Prokurorinë Publike të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, pas disa debateve publike, nuk paraqet formën më të mirë për ngritjen e profesionalizmit, por edhe procedimin e të gjitha lëndëve gjyqësore, qofshin ato edhe në fazën para hetimore.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar përplasjet e ashpra mes partive politike lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili ka nisur të debatohet që nga përfundimi i afatit të Prokurorisë Speciale për ngritjen e padive deri më 30 korrik të vitit 2017, e që kanë vazhduar edhe pas shuarjes së kësaj prokurorie, për shkak të përfshirjes së drejtuesve të saj në vepra të rënda penale.

Dallimet kryesore mes partive kanë të bëjnë me nenin 110 të ligjit që përjashton përdorimin e bisedave telefonike të përgjuara në mënyrë ilegale si bazë për ngritjen e padive të reja, por lejon përdorimin e tyre vetëm si indikacione. Kjo zgjidhje shpëton nga ndjekja disa zyrtarë të opozitës të akuzuar për disa vepra penale, por jo edhe shumë të tjerë që po ashtu janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

VMRO-DPMNE-ja e ka kundërshtuar ligjin pasi kërkon që të gjitha veprat penale të ngritura mbi dëshmitë e materialeve të përgjuara telefonike të anulohen, ndërsa gjithashtu ka akuzuar se përmbajtja e ligjit është hartuar në atë mënyrë që amniston zyrtarët e qeverisë aktuale, përfshirë sipas saj, edhe vetë kreun e partisë qeverisëse të LSDM-së, Zoran Zaev.

Profesori i Fakultetit Juridik në Shkup, Gordan Kallajxhiev, thotë se dispozitat e ligjit lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, ndërsa vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me pjesën që përgjimet të mos përdoren si prova, por vetëm si indikacione.

“Ky term përdoret gabimisht duke tentuar ta paraqesë gjoja si njohuri të mbledhura në mënyrë joformale. Mendoj se ky është kulmi i injorancës ligjore. Por, kjo tashmë është pjesë e ligjit. Kjo tregon se kualiteti i procedurës përmes së cilës kalon ligji, nuk është filtër, andaj edhe përmes tij kalojnë marrëzira juridike. A do të thotë kjo amnisti, vështirë se mund të thuhet qartë, por është e sigurt se kur disa dëshmi nuk do të mund të shfrytëzohen për një procedurë të caktuar, atëherë vështirë se do të dëshmohet fajësia ”, thotë Kallajxhiev.

Ish-prokurori publik, Aleksandar Nakov, tërheq vërejtjen se ligji i ri nuk duhet të sillet në mënyrë të përshpejtuar për të evituar gabimet sikur me Ligjin për Prokurorinë Speciale, i cili ishte miratuar me pëlqimin e të gjitha partive, por që kishte më vete zbrazëtira të shumta juridike.

“Partitë vetëm se dëshirojnë të pastrojnë punët e pista, ndërsa përmbajtja e ligjit nuk është juridikisht e qëndrueshme. Me rëndësi është që të kemi ligj kualitativ, ligj që nuk lë hapësirë për dyshime se me të do të ketë amnisti për persona të përfshirë në vepra penale”, deklaron Nakov.

Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut, thotë se është koha që drejtësia përfundimisht të vendoset në vend.

“Ligji i Prokurorisë Publike duhet të kthejë në jetë drejtësinë e vdekur. Opozita e ka kundërshtuar miratimin e këtij ligji me arsyen e vetme pasi nuk dëshiron që të nxirren para drejtësisë të gjitha ata që në një mënyrë kanë bërë shkelje të rënda, ata që kanë rrënuar për shumë vite sistemin e drejtësisë. Drejtësia duhet të vendoset në vend, një orë e më parë pasi qytetarët kanë nisur të humbin besimin edhe në institucionet aktuale. Çdo zvarritje, çdo tendencë për ndonjë amnisti do të ishte e papranueshme”, ka deklaruar Najçevska.

Bisedat e përgjuara telefonike të ish-zyrtarëve të qeverisë që drejtohej nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski janë publikuar për disa muaj rresht në fillim të vitit 2015.

Kjo aferë e publikuar nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, kishte shkaktuar krizë të rëndë politike në Maqedoninë e Veriut, gjë që kishte çuar në formimin e një Prokurorie Speciale, e cila ka ngritur dhjetëra padi kundër ish-zyrtarëve për keqpërdorime të shumta, përfshirë edhe Nikolla Gruevskin, i cili për një nga veprat e akuzuara është dënuar me 2 vjet burgim, por që i ka ikur vuajtjes së dënimit duke u arratisur në Hungari ku ka fituar statusin e azilit politik.

XS
SM
MD
LG