Ndërlidhjet

Gazetarët pa Kufij: Kosova dhe Shqipëria në mesin e vendeve problematike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Organizata Gazetarët Pa Kufij shprehu shqetësim për gjendjen e lirisë së mediave, duke përmendur si arsye kryesore për keqësimin e situatës: luftën e Rusisë në Ukrainë, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, si dhe kërcënimet nga përmbajtja e rreme dhe propaganda.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij u publikua të mërkurën, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Ai arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe “e mirë” ose “mjaft e mirë” në 52 vende.

Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tri nga dhjetë vende.

Organizata Gazetarët Pa Kufij i radhiti Kosovën dhe Shqipërinë në mesin e vendeve problematike. Megjithatë, sipas indeksit që u publikua të mërkurën, të dyja vendet kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.

Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të - një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.

Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë, kur radhitej e 103-a.

Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandë ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë - për 12 vende - në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.

Maqedonia e Veriut e radhitur në vendin e 38-të dhe Mali i Zi në vendin e 39-të janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë” ose të kënaqshme.

Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.

Bosnje dhe Hercegovina, e radhitur në vendin 64, ka një rritje prej tri vendesh në krahasim me një vit më parë.

Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tri vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë, janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.

XS
SM
MD
LG