Ndërlidhjet

Dënimi me gjobë i një gazetareje nxit reagime në Maqedoni të Veriut

Gazetarja Liridona Vejseli.
Gazetarja Liridona Vejseli.

Prej dy vjetësh, gazetarja Liridona Vejseli është e detyruar të shkojë në gjykatat e Tetovës dhe Gostivarit, pasi po përballet me padi nga gjyqtarë nën pretendimet për keqpërdorim të të dhënave personale në raportimet e saj gazetareske.

Vejseli, e cila raporton për raste gjyqësore me interes publik, këto ditë u bë edhe vetë pjesë e raportimeve mediale, pasi u dënua me 700 euro sepse në një publikim të saj kishte përmendur emrin e një gjyqtari nga Gjykata Themelore në Tetovë.

Vejseli ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe, ndërsa pret lirimin nga akuza, për Radion Evropa e Lirë thotë se i gjithë procesi i ngjan një loje “pingpongu”.

“Prokuroria Themelore Publike në Tetovë fillimisht kërkoi që lënda të tërhiqej dhe e dërgoi në Prokurorinë e Gostivarit, por Prokuroria e Gostivarit u tërhoq dhe e ktheu lëndën përsëri në Tetovë. Më pas, Prokuroria e Tetovës e ngriti procedurën akuzuese, pas çka gjyqtarja Magdalena Mishoska nga Gjykata Themelore në Gostivar më shqiptoi një gjobë prej 700 eurosh. Këtu shihet qartë një përpjekje për të më ndëshkuar”, thotë Vejseli për Radion Evropa e Lirë.

Cili është publikimi i kontestuar?

Dënimi ndaj Vejselit, kryeredaktores së portalit “Pa Censurë”, erdhi pasi ajo trajtoi një temë për një rast ku një burrë i kishte dërguar një të miture materiale pornografike, duke e kërcënuar se do t’i publikonte të dhënat dhe fotografitë e saj personale.

Edhe pse ai ishte dërguar menjëherë në paraburgim, me aktgjykimin e gjyqtarit Nazif Iljazi ai u dënua me vetëm tre muaj burgim.

Ndërkaq, sipas arsyetimit me shkrim të aktgjykimit nga gjyqtarja Mishoska, në tekstet gazetareske të Vejselit, ku përmenden emri dhe mbiemri i tij, thuhet se ato “i dëmtojnë nderin dhe reputacionin në veprimtarinë e tij profesionale prej gati katër dekadash”.

Pra, gazetarja akuzohet për “keqpërdorim të të dhënave personale” sipas nenit 149, paragrafi 1 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse emri i këtij gjyqtari është publikuar në dhjetëra media që e kanë ndjekur rastin, gazetarja Vejseli është e vetmja që është dënuar. Ajo thotë se ka rrezik për sigurinë e saj.

“Unë hulumtoj dhe raportoj për lëshime serioze e të çuditshme, për aktgjykime të diskutueshme. E ndjek punën e gjyqtarëve që i kushtëzojnë palët dhe gjithmonë përballem me presion të madh – telefonata, thirrje në polici, pasi menjëherë hapet rast kundër meje”, thekson Vejseli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Këshilli Gjyqësor po e ndjek rastin

REL-i kërkoi qëndrim nga Këshilli Gjyqësor lidhur me rastin e gazetares Vejseli, por për pyetjen mori vetëm një përgjigje të shkurtër.

“Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut e ndjek rregullisht punën e të gjitha gjykatave, përfshirë edhe veprimin në lëndën konkrete, ku procedura është në vazhdim dhe ende nuk ka përfunduar me vendim të formës së prerë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor.

Reagime nga asociacionet e gazetarëve

Ndërkohë, Vejselit iu ofrua ndihmë juridike nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e cila njoftoi se do ta ndjekë procedurën ankimore.

Shoqata, përmes një komunikate me shkrim, vlerësoi se është “absurde që publikimi i emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari të trajtohet si shkelje e privatësisë”.

Po ashtu, Shoqata paralajmëroi se një ndjekje e tillë penale e rrit presionin ndaj gazetarëve dhe ndaj të drejtës së publikut për t’u informuar.

Në komunikatën me shkrim, SHGM-ja thotë se do ta ndjekë procesin në procedurën ankimore, por kujton gjithashtu se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar “më shumë raste që tregojnë se disa vendime gjyqësore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e mediave”.

Me një qëndrim të ngjashëm doli edhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), nga ku theksuan se “një vendim i tillë dërgon mesazh negativ në lidhje me lirinë e shprehjes dhe liritë mediatike”.

“Të gjithë aktorët relevantë duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive për sigurimin e kushteve për ushtrimin e papenguar të lirisë së shprehjes dhe informimit, si dhe për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirive mediatike”, thuhet në reagimin me shkrim nga ASHMAA.

Mickoski: Liria e fjalës është mbi të gjitha

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e dënoi këtë rast dhe vlerësoi se ai përbën kufizim të lirisë së fjalës, e cila, siç tha, është para të gjithave dhe mbi të gjitha.

“Unë nuk mund të kërkoj përgjegjësi nga gjyqtari, sepse nuk jam unë ai që emëron gjyqtarë, për këtë është Këshilli Gjyqësor. Por, e dënoj ashpër këtë lloj kufizimi të lirisë së fjalës. Apeloj që kjo të mos përsëritet në të ardhmen, pavarësisht nëse vjen nga ndonjë politikan, figurë publike apo gjyqtar në një rast, sepse kjo mund të interpretohet si kufizim i lirisë së fjalës”, tha Mickoski.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski. Fotografi nga arkivi.

Por, ky nuk është rasti i parë që gazetarja Vejseli dënohet me gjobë për këtë vepër penale.

Vitin e kaluar ajo u gjobit me 100 mijë denarë, për shkak të përmendjes së emrit të gjyqtarit Afrim Jakupi nga Gjykata e Apelit në Gostivar.

Dallimi mes atij rasti dhe këtij të fundit, lidhur me emrin e Iljazit, është se emrin e Jakupit nuk e ka përmendur vetë gazetarja, por bashkëbiseduesi i saj, i cili po ashtu mori të njëjtën gjobë.

Në padinë nga gjyqtari Jakupi, është përmendur se Vejseli dhe personi tjetër i paditur, në një video të publikuar në rrjetet sociale TikTok dhe Facebook, kanë bërë “shpifje dhe pretendime të pavërteta që dëmtojnë reputacionin dhe nderin e paditësit”.

Para kësaj padie, kishte pasur një tjetër në vitin 2023, kur për të njëjtën vepër penale, Vejseli u akuzua nga një mjeke nga Spitali i Tetovës.

“Unë përmenda emrin e një mjekeje që nuk e kishte vizituar pacientin gjatë turnit të natës, për çka ekziston edhe një vendim zyrtar i Spitalit të Tetovës, me të cilin mjekja u ndëshkua me ulje prej 20% të pagës së fundit për ‘mosdhënien e ndihmës mjekësore’”, tregon Vejseli për REL-in, duke shtuar se në këtë rast gjoba kishte qenë 800 euro.

Gazetarja thotë se këto raste krijojnë një klimë të keqe pune për gazetarët, duke e bërë profesionin joatraktiv për të rinjtë. Pikërisht për këtë arsye, thotë ajo, në Katedrën e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku ajo ligjëron, tani ka vetëm një student që ndjek studimet e vitit të parë.

Çfarë tregojnë raportet ndërkombëtare?

Sipas Indeksit të Lirisë së Mediave të organizatës Reporterët pa Kufij, Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e 42-të. Në vitin 2025 është shënuar një rënie prej gjashtë vendeve krahasuar me vitin paraprak sa i përket lirisë së mediave.

Megjithatë, Reporterët pa Kufij e ka vlerësuar situatën e lirisë së mediave në Maqedoni të Veriut si “të kënaqshme”.

“Edhe pse gazetarët nuk punojnë në një ambient armiqësor, dezinformatat e përhapura gjerësisht dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në uljen e besimit të shoqërisë te mediat, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Po ashtu, përfaqësuesit qeveritarë kanë tendencë të shfaqin qëndrime negative dhe poshtëruese ndaj gazetarëve”, thuhet në vlerësimin e përgjithshëm për Maqedoninë e Veriut.

Në raportin e fundit, të publikuar në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka arritur “ndërmjet një niveli të caktuar përgatitjeje dhe një niveli të moderuar përgatitjeje për lirinë e shprehjes”.

Sipas KE-së, Maqedonia e Veriut ka arritur një përparim të kufizuar në këtë fushë, por edhe pse “ka siguruar garanci ligjore adekuate për lirinë e shprehjes, duhet të përmirësohet mjedisi i favorshëm për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave”.

XS
SM
MD
LG