Ndërlidhjet

Pa opozitën, Kuvendi i Maqedonisë zgjedh kryeprokurorin


Kuvendi i Maqedonisë, foto nga arkivi

Kuvendi i Maqedonisë ka zgjedhur Lubomir Joveskin kryeprokuror të ri. Zgjedhja e tij ka kaluar me një votim të ngushtë, pasi shumica për tre orë nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, aq edhe sa kanë votuar për propozimin e Qeverisë.

Opozita e drejtuar nga VMRO-ja nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa nuk kanë marrë pjesë as deputetët e Lëvizjes Besa, partisë opozitare shqiptare.

Kryeprokurori i ri, Joveski thotë se do të angazhohet për rikthimin e dinjitetit të gjyqësorit në vend, apo ngritjen e profesionalizmit dhe largimin e ndikimeve politike. Institucioni i Prokurorisë Publike republikane ka rol të madh, si në caktimin e prokurorëve në të gjithë gjykatat themelore të vendit, por edhe vendos për çështje të rëndësishme në ndjekjen dhe procedimin e lëndëve të ndryshme penale.

Zgjedhje e kryeprokurorit pa praninë e opozitës, nga shumica parlamentare nuk është komentuar, por paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev tha se VMRO-DPMNE-ja duhet të jetë pjesë e reformave, pasi vetëm në këtë mënyrë sipas tij, vendin mund të ecë në rrugën e integrimit euroatlantik.

Zaev në veçanti tha se pret mbështetjen e opozitës kur në rend ditë do të jenë ligjet që kërkojnë dy të tretat e votave.

“Kuvendi ka shumë çështje serioze për të vendosur, një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me procesin e reformave. Përveç Prokurorit Publik, kemi edhe shumë punë të tjera, nga mesi i janarit dhe muaji shkurt në procedurë do të jenë ligjet që kërkojnë mbështetjen e dy të tretave si për gjyqësorin, për punët e brendshme, Ligjin për mediat, ndryshimet në ligjin për administratë publike. Unë jam i bindur se opozita duhet të jetë pjesë përbërëse e gjithë asaj që quhet proces i reformave, por edhe perspektivë më të mirë për Maqedoninë. Atje ku do të arrin të merremi vesh unë pres edhe mbështetjen e tyre, e atje ku nuk do të kemi marrëveshje, pres të jenë kundërshtar dhe kritik, por e gjithë kjo të jetë në mënyrë konstruktive”, tha Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim nga prokurori i ri pret që të merret seriozisht edhe me proceset që vlerësohet se janë të montuara e që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Presim nga Joveski që me guxim t’i adresojë të gjitha rastet jashtëzakonisht të ndjeshme për shoqërinë tonë, të politizuara dhe të kontestuara në publik në veçanti për opinionin publik shqiptarë, siç janë rastet, ‘Sopoti’, ‘Monstra’, protestat e qytetarëve për rastin ‘Monstra’, ‘Lagja e Trimave’, protestat për rastin ‘Gjorqe Petrov’, si dhe shumë raste të tjera të cilat kontestohen nga ana e qytetarëve dhe nuk e kanë besimin ndaj përfundimit procedural të tyre”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Lubomir Joveski në postin e Prokurorit Publik të Republikës vjen në vendin e Marko Zvërlevski, i cili nga detyra ishte shkarkuar më 17 gusht muaj, pas kritikave të shumta për punën e tij dhe lidhjet me pushtetin e kaluar. Për Zvërlevskin ishin publikuar edhe biseda telefonike nga afera e përgjimeve, se si kurdiste apo ndikonte në procese të ndryshme gjyqësore.

Për shkak të mosbesimit në Prokurorinë republikane ishte themeluar një Prokurori Speciale, e cila deri më tani ka udhëhequr të gjitha lëndët që kishin të bëjnë me aferën e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG