Arild Syvertsen është një nga shumë marinarët e pensionuar që po përjetojnë sërish kujtime traumatike nga Ngushtica e Hormuzit, në mes të krizës aktuale në këtë rrugë ujore.
“Ne po përjetojmë rikthimin e [Çrregullimit të Stresit Post-Traumatik] gjatë kësaj lufte”, tha ai për Radion Evropa e Lirë nga shtëpia e tij në Norvegji. Syversten tha se “marinarë që ishin atje në vitet ‘80 po kalojnë një periudhë të vështirë sepse të gjitha kujtimet po rikthehen”.
Syversten ka drejtuar anije përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë kulmit të luftës të anijeve cisternë, konflikt i viteve 1981-1988 që i ngjason krizës së sotme në Gjirin Persik.
Lufta e cisternave ishte një degëzim i luftës Iran-Irak, që nisi më 1980 me pushtimin e Iranit nga Iraku. Konflikti u përhap shpejt në ujërat e Gjirit Persik, teksa Iraku, e më pas edhe Irani, shënjestruan objekte të naftës dhe transportin detar të palës tjetër.
Nga mesi i viteve ‘80, Iraku, duke përdorur aeroplanë të marrë nga Franca dhe raketa kundër anijeve, sulmoi anije neutrale që transportonin naftë iraniane, ndërsa Irani përdori fregata detare dhe skafe të shpejta për të sulmuar anijet cisternë të naftës të vendeve të treta që përdornin portet e Kuvajtit dhe Arabisë Saudite. Të dy këto vende arabe e kishin mbështetur Irakun në luftë.
Qindra anije u sulmuan gjatë konfliktit detar dhe më shumë se 100 tregtarë detarë u vranë.
Pavarësisht rreziqeve, marinarët u bindën që të shërbenin në cisternat që kalonin nëpër Gjirin Persik, pjesërisht për shkak të pagesave shtesë për rrezikun, të cilat në disa raste ua dyfishonin pagën për çdo ditë që kalonin nëpër ujëra të rrezikshme. Syvertsen tha se edhe anëtarët më të vjetër të ekuipazhit ndjenin një detyrim për të mbajtur në lëvizje furnizimet energjetike përmes kësaj rruge jetike ujore.
“Ne donim të bënim detyrën tonë, sepse pronarët e anijeve na thoshin se duhej ta mbanim të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe të transportonim energjinë, përndryshe ekonomia e gjithë botës do të shembej”, u shpreh ai.
Olav Myklebust punoi si inxhinier në bordin e anijeve që lundronin në Gjirin Persik gjatë viteve ‘80 dhe ai i ka mbijetuar dy sulmeve nga aeroplanët irakianë. Gjatë njërit prej këtyre sulmeve, pranë brigjeve të Dubait, një raketë që përdoret kundër anijeve kaloi shumë pranë anijes së tij para se të godiste një mjet tjetër lundrues që ndodhej në afërsi, duke vrarë disa persona, që gjendeshin brenda dhomës së motorëve. Ai vazhdon të punojë edhe sot si menaxher i cisternave të naftës.
Ky veteran i kësaj industria tha se të njëjtat taktika që përdornin anijet në vitet ‘80 për të shmangur zbulimin, me shumë gjasë po adoptohen nga disa prej mjeteve lundruese që kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit ditët e fundit.
Cisternat në Gjirin Persik në vitet ’80 lëviznin kryesisht kur ishte errësirë, tha ai. “Pa drita, pa llamba”, dhe të gjitha dritaret e kabinave të ekuipazhit mbuloheshin. “Radarin nuk e përdornim pothuajse fare, vetëm herë pas here, sepse mund të japë sinjal drejt bregut. Kështu do të veprojnë edhe sot, do të kalojnë fshehurazi”.
Ai shtoi se anijet mund të fikin transponderët që përdoren për të shmangur përplasjet, pasi këto pajisje po ashtu zbulojnë vendndodhjen e anijeve dhe shfaqen në ueb-faqet e gjurmimit të transportit detar.
Syvertsen, i cili ka shkruar një libër për konfliktin, vazhdon të jetë i prekur thellë nga një vendim që ai mori si kapiteni i një cisterne që po lundronte drejt Ngushticës së Hormuzit në gusht të vitit 1987.
Duke lundruar natën nëpër Gjirin Persik, anija e Syverstenit, kishte ndalur të gjitha dritat dhe kishte ndalur sinjalet, teksa ai përpiqej të kalonte pa u vërejtur me cisternën e tij me amoniak përmes Ngushticës së Hormuzit.
Papritur në det u pa një dritë që ishte tregues se një tjetër mjet lundrues që po tentonte të kalonte po njësoj, në fshehtësi, u sulmua nga një grup i skafeve të shpejta të Iranit.
“Pamë raketat dhe dëgjuam radion. Kapiteni ishte i dëshpëruar”, kujtoi Syversteni. Ndërsa një mesazh për ndihmë urgjente mbërriti përmes radios, marinari i pensionuar tha: “Isha në konflikt me veten”. Të kthehej për të ofruar ndihmë ishte pothuajse si vetëvrasje, por norvegjezi mund të ofronte ndihmë përmes radios, duke iu përgjigjur kërkesës.
“Por, e dija që nëse do ta thërrisja dhe do të dërgoja një mesazh, anijet sulmuese iraniane do ta kuptonin se edhe një cisternë tjetër ishte aty afër”, tha Syversten. Ai mori vendimin që të qëndronte në heshtje.
“Më duhej të mendoja edhe për 24 njerëz të tjerë që gjendeshin në bordin e anijes sonë dhe thjesht të vazhdoja në errësirë pa u përgjigjur”.
Pasi qindra anije u sulmuan nga Iraku dhe Irani gjatë viteve ’80, SHBA-ja dërgoi luftanije për të shoqëruar cisternat përmes Gjirit. Por, intervenimi kishte pasoja tragjike. Në maj të vitit 1987, luftanija amerikane USS Stark u godit nga raketa që u gjuajtën nga një aeroplan irakian. Bagdadi më vonë tha se piloti ngatërroi luftanijen, duke kujtuar se ishte një cisternë. Tridhjetë e shtatë marinsa amerikanë u vranë gjatë këtij incidenti.
Një vit ë vonë, pasi u vendosën rregulla të “liberalizuara” të angazhimit për anijet amerikane, që shoqëronin cisternat në Gjirin Persik, luftanija USS Vincennes e ngatërroi një aeroplan iranian të pasagjerëve me një aeroplan luftarak.
Pasi e paralajmëroi fluturaken që të ndryshonte kurs, Vincennes lëshoi dy raketa që bëri që aeroplani të shkatërrohej në qiell. Të 290 njerëzit në bordin e aeroplanit u vranë.
Lufta Iran-Irak përfundoi në gusht të vitit 1988 dhe një muaj më vonë, luftanijet amerikane ndërprenë operacionin për shoqërimin e cisternave në Gjirin Persik.
Veteranët e luftës së cisternave në vitet ’80 sot thanë se Ngushtica e Hormuzit mund të hapet me forcë nga Marina amerikane. Por, Syvertsen tha se beson që një hap i tillë “vetëm se do të përkeqësonte konfliktin aktual”.
Myklebust kujtoi një incident të korrikut 1987, kur një cisternë që po shoqërohej nga luftanijet amerikane goditi një minë detare, duke e përdorur këtë rast si dëshmi se “edhe me një prej flotave më të fuqishme në botë, nuk mund të kontrollohet plotësisht mjedisi”.
Më 12 prill, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Marina amerikane do të nisë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, duke ua pamundësuar kalimin edhe anijeve, që i kanë paguar një taksë për kalim Iranit.