Ndërlidhjet

Lufta në Lindjen e Mesme po ndryshon hartën e turizmit – mundësi apo rrezik për vendet e rajonit?

Fotografi nga lart e një plazhi në afërsi të Durrësit, e shkrepur më 2021.
Fotografi nga lart e një plazhi në afërsi të Durrësit, e shkrepur më 2021.

Vetëm në 48 orët e para pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt, mbi 5.000 fluturime u anuluan në rajon, sipas të dhënave të platformës FlightAware.

Kjo ishte një nga ndërprerjet më të mëdha të trafikut ajror botëror që nga pandemia e COVID-19.

Pas fillimit të konfliktit, kompanitë e mëdha ajrore pezulluan fluturimet drejt Lindjes së Mesme, ndërsa shtete si Irani, Izraeli, Iraku dhe Katari mbyllën tërësisht hapësirën e tyre ajrore.

Në javët që pasuan, një pjesë e madhe e hapësirës ajrore të Lindjes së Mesme mbeti e mbyllur ose nën kufizime të rrepta.

Rrethanat e reja po ndryshojnë turizmin global, por edhe atë evropian.

Në rajonin e Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria dhe Kroacia janë në pozicionin më të mirë për të përfituar nga këto ndryshime, Mali i Zi mbetet i paqëndrueshëm, ndërsa Greqia është më e ekspozuara ndaj rënies së besimit dhe rritjes së kostove.

Local residents and tourists walk along a street of Gjirokastra, a UNESCO World Heritage site in southern Albania, on May 7, 2025, ahead of Albania's general election on May 11. Albanians go to the polls on May 11, 2025 for legislative elections seen as crucial to gauge the country's democratic development and determine its widely held goal of a European future. (Photo by Adnan Beci / AFP)
Banorë vendas dhe turistë në rrugët e Gjirokastrës, që është qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. 11 maj 2025.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë Wadim Strielkowski, drejtor dhe profesor në Shkollën e Biznesit në Pragë të Republikës Çeke.

Megjithatë, ai shpjegoi se këto përfitime nuk do të vijnë vetë, por kërkojnë një përgjigje adekuate të qeverive të këtyre shteteve për të zbutur njëkohësisht rreziqet për turizmin lokal dhe për të tërhequr turistë të rinj.

Lufta në Lindjen e Mesme dhe turizmi botëror

Organizata Botërore e Turizmit raporton se gjatë vitit 2024, Lindja e Mesme ishte rajoni më i suksesshëm sa i përket turizmit krahasuar me periudhën para pandemisë, me rreth 95 milionë të turistëve ndërkombëtarë.

Ky rajon përbën rreth 5 për qind të turizmit botëror dhe 14 për qind të trafikut ndërkombëtar transit ajror, sipas të dhënave të Këshillit Botëror për Udhëtime dhe Turizëm (WTTC).

Të dhënat e EUROCONTROL tregojnë se frekuenca e fluturimeve në Evropë mbeti e qëndrueshme pas fillimit të luftës, me përjashtim të trafikut midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, ku u regjistrua një rënie prej 52 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pamje nga Qyteti i Vjetër i Jerusalemit.
Pamje nga Qyteti i Vjetër i Jerusalemit.

Po ashtu, më shumë se gjysma e turistëve në Lindjen e Mesme janë nga Evropa.

Profesori Wadim Strielkowski nga Shkolla e Biznesit në Pragë tha se lufta në Lindjen e Mesme nuk çon në kolaps të plotë të udhëtimeve evropiane, por në një rishpërndarje të kërkesës turistike.

“Turistët largohen nga destinacionet që perceptohen si më afër zonave të konfliktit dhe kthehen tek alternativa që duken më të sigurta dhe më të lehta për t’u operuar”, shpjegoi ai.

Rajoni i Adriatikut dhe Jonit si alternativë?

Shtetet e rajonit të Adriatikut dhe Jonit – Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi – ofrojnë turizëm bregdetar veror që mund të shndërrohet në një alternativë për destinacionet më të ekspozuara të Mesdheut Lindor, tha profesori Strielkowski për REL-in.

Greqia, shtoi ai, ka një pozicion më kompleks: mbetet një destinacion turistik i fuqishëm, por shpesh perceptohet mendërisht si pjesë e Mesdheut Lindor, duke bërë që njëkohësisht të tërheqë dhe të humbasë pjesë të turistëve.

Këto përfitime, megjithatë, nuk do të vijnë automatikisht, tha profesori Strielkowski, por varen nga politika e çmimeve, qasja e transportit dhe përgjigja institucionale në këto vende.

Ai shtoi se konflikti në Lindjen e Mesme rrit çmimet e karburantit dhe transportit, duke krijuar një goditje tjetër që prek si turistët ashtu edhe bizneset turistike. Kjo ndihet më shumë në Greqi dhe Mal të Zi, që varen shumë nga trafiku ajror, ndërsa Kroacia është më e qëndrueshme pasi një pjesë e madhe e turistëve atje vijnë me rrugë tokësore nga Evropa Qendrore.

Nga Ministria e Turizmit dhe Sportit e Kroacisë thanë se lufta për REL-in në Lindjen e Mesme për momentin nuk ndikon ndjeshëm në flukset turistike drejt këtij vendi, por është i dukshëm një ngadalësim i rezervimeve.

Një plazh në Dubrovnik, që njihet edhe si "Perla e Adriatikut" .
Një plazh në Dubrovnik, që njihet edhe si "Perla e Adriatikut" .

Nga Shoqata Turistike e Kroacisë shpjegojnë se 80 për qind e turistëve që vizitojnë Kroacinë vijnë nga vendet evropiane, kryesisht nga Gjermania, Sllovenia dhe Austria, të cilat janë mirë të lidhura me destinacionet kroate si me rrugë tokësore, ashtu edhe me fluturime ajrore.

Nga ana tjetër, Mali i Zi, sipas profesorit Strielkowski, është në pozicionin më të ndjeshëm. Ai mund të përfitojë, por është gjithashtu më i prekshëm ndaj çmimeve të biletave të aeroplanëve, pasigurisë në rezervime dhe ndryshimeve të papritura në perceptimin e rrezikut.

Ranko Jovoviq, kryetar i Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes në Dhomën e Tregtisë së Malit të Zi, tha se Mali i Zi në këtë krizë gjeopolitike ka avantazh si një destinacion i qëndrueshëm dhe i sigurt, por shpesh “vonon me reagimin”.

“Ne mund të jemi një alternativë, por vetëm nëse kemi kampanja promovuese të gatshme, qasje të duhur ajror dhe oferta konkurruese. Përndryshe, ky potencial do të përfitohet nga destinacione të tjera që do të jenë më efikase operacionalisht”, theksoi Jovoviq.

Shën Stefani, një nga destiacionet më të njohura turistike në Mal të Zi. Fotografi nga arkivi.
Shën Stefani, një nga destiacionet më të njohura turistike në Mal të Zi. Fotografi nga arkivi.

Sipas Organizata Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi, rritja e çmimeve të karburantit tashmë ndikon në kostot e turizmit, kryesisht përmes shtrenjtimit të karburantit për avionë, transportit dhe shërbimeve të varura nga energjia. Megjithatë, ata theksojnë se kjo është pjesë e një tendence më të gjerë globale dhe nuk i referohet vetëm Malit të Zi.

Profesori Strielkowski konsideron se Shqipëria mund të jetë fituesja më e madh në rajon, falë imazhit të një destinacioni të përballueshëm dhe rritjes së shpejtë turistike, por sfida qëndron në përshtatjen e kësaj rritjeje me investimet në infrastrukturë dhe cilësinë e shërbimeve.

Gjiri i Gramës, Shqipëri.
Gjiri i Gramës, Shqipëri.

Megjithatë, më 1 prill Ambasada amerikane në Tiranë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të “ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, pasi tha se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA-në ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë paralajmërim, duke e cilësuar si “hamendje”.

Greqia, ndërkaq, mbetet ekonomia më e fuqishme turistike në grup, vlerësoi Strielkowski, por është edhe më e ekspozuara direkt ndaj goditjes aktuale, sepse turistët shpesh e lidhin me Mesdheun Lindor dhe Athina është veçanërisht e ndjeshme ndaj rritjes së kostove të transportit ajror.

Për përfitime, të nevojshme nxitjet nga qeveritë

Profesori Strielkowski paralajmëroi se qeveritë nuk duhet të shohin krizën në Lindjen e Mesme vetëm si një mundësi marketingu, por edhe të punojnë për diversifikimin e transportit dhe kontrollin e kostove.

Kroacia duhet të forcojë fluksin rrugor dhe hekurudhor nga Evropa Qendrore, Mali i Zi dhe Shqipëria aeroportet dhe lidhjet rajonale, ndërsa Greqia duhet të mbështetet më shumë te destinacionet kontinentale dhe ishujt që i ka më afër.

Në të katër vendet, shtoi ai, është e rëndësishme të shmangen taksat e reja gjatë sezonit turistik.

Këto ndryshime, tha Strielkowski, krijojnë hapësirë për zhvillimin e formave alternative të turizmit dhe zvogëlimin e presionit mbi bregdetet verore, veçanërisht në Kroaci dhe Mal të Zi.

Split, Kroaci.
Split, Kroaci.

Gjithashtu, qeveritë duhet të mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme në turizëm, të cilat ndiejnë të parat pasojat e krizave.

Nga Ministria e Turizmit dhe Sportit e Kroacisë thanë se Qeveria në fund të marsit miratoi një paketë masash prej afërsisht 450 milionë euro, e cila siguron çmime të përballueshme të energjisë dhe stabilitet për qytetarët dhe sipërmarrësit, dhe për rrjedhojë, për të gjithë sektorin turistik.

“Kur flasim për pjesën më intensive të vitit turistik, muajt verorë, besojmë se këtë vit do të bëhet edhe më e dukshme rëndësia e ofertave të minutës së fundit, dhe sektori turistik kroat po përgatitet edhe për këtë segment, në mënyrë që t’u ofrojë mysafirëve paketë të përballueshme,” thanë nga kjo ministri.

Ministritë e Turizmit të Greqisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk kanë përgjigjur pyetjeve të REL-it mbi ndikimin e luftës iraniane në sistemet e tyre turistike.

Akropoli, që gjendet në Athinë të Greqisë. Fotografi nga arkivi.
Akropoli, që gjendet në Athinë të Greqisë. Fotografi nga arkivi.

Lufta në Lindjen e Mesme filloi më 28 shkurt, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën një operacion të përbashkët ushtarak kundër objektivave në Iran.

Teherani iu përgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj vendeve arabe në Gjirin Persik, si dhe ndaj anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG