Ndërlidhjet

Zgjidhet kreu i ri i SPAK-ut


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Altin Dumani është zgjedhur drejtues i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri.

Në këtë post, ai zëvendëson Arben Krajën, i cili përfundoi mandatin në krye të këtij institucionit të krijuar tre vjet më parë, e që ka për qëllim të luftojë korrupsionin në nivele të larta.

Seanca për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut zgjati gjashtë orë dhe u monitorua edhe nga përfaqësues të Ambasadës amerikane në Tiranë, ndërsa ambasadorja amerikane, Yuri Kim, mori pjesë në këtë mbledhje kur procesi ishte drejt fundit dhe pritej votimi.

Për këtë post të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë garuan Altin Dumani, i cili mori pesë vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edvin Kondili, i cili mori katër vota dhe Adnan Xholi, që mori vetëm një votë.

Secili prej tre kandidatëve paraqitën platformën e tyre para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Altin Dumani tha se suksesi i këtij institucioni, që sipas tij, shqiptarët presin shumë, është integriteti i tij dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Ai kërkoi nga hetuesit e rinj të mos kenë frikë nga asnjë emër, por të hetojnë me përgjegjshmëri.

“Vijnë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe thonë me rezerva gjëra që kanë të bëjnë me hetimin, nga frika se kush do dalë pas tyre. Unë u them, emri nuk ka asnjë rëndësi, prova po, sepse prova ka të bëjë me një proces të rregullt ligjor”, tha Dumani gjatë prezantimit të platformës së tij.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, uroi drejtuesin e ri të SPAK-ut dhe tha se pret rezultate konkrete.

Para se të zhvillohej votimi, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, tha për mediat se vendimi duhej marrë në bazë të kritereve dhe jo mbi bazën e favoreve dhe kërcënimeve.

Ajo tha se kishte shumë teori konspirative ndaj donte ta shpjegonte pse ndodhej aty.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për reformën në drejtësi dhe SPAK-un. Unë përfaqësoj politikën e SHBA-së dhe mbetet prioritet i SHBA-së që reformat të zbatohet plotësisht. Ka pasur progres, por njerëzit kërkojnë ndryshim. Kush zgjidhet duhet ta dijë që është zgjedhur në bazë të kritereve dhe jo të favoreve apo kërcënimeve, që ta pandehë vetën se i detyrohet diçka”, deklaroi Kim.

Ditët e fundit ambasadorja amerikane ka shprehur disa herë shqetësim për procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK, duke apeluar që të mos kishte presione.

Deklaratave të përsëritura të ambasadores iu përgjigj më 14 dhjetor, kryeministri Edi Rama. Ai tha se Këshilli i Lartë i Prokurorisë varet vetëm nga anëtarët e tij.

“Kreun e SPAK s’e zgjedh as Qeveria, as Ambasada jo e jo, por një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet”, shkroi Rama në Twitter.

Kreu i ri i SPAK-ut, Altin Dumani është 47 vjeç. Ai ka 20 vjet karrierë si prokuror. Një ndër çështjet e bujshme që ka hetuar ka qenë “Gërdeci”. Ai kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008, kur nga një shpërthim në një depo municionesh, vdiqën 26 persona.

Altin Dumani do të marrë zyrtarisht udhëheqjen e SPAK-ut më 19 dhjetor.

XS
SM
MD
LG