Ndërlidhjet

Ndikimi i luftës në marrëdhëniet SHBA-Venezuelë


Ambasada amerikane në Karakas. Fotografi nga arkivi.
Ambasada amerikane në Karakas. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela nuk takohen sy më sy për vite.

Megjithatë, javën e kaluar janë parë disa shenja se marrëdhënia e tyre mund të ndryshojë – apo që të paktën po krijohet bazë për diçka të tillë, pas takimit të parë të nivelit të lartë – pas disa vjetëve - në mes të zyrtarëve amerikanë dhe atyre nga Venezuela.

Ky është drejtim i ri për të dyja shtetet. Uashingtoni ka goditur me sanksione sektorin e naftës së Venezuelës për shkak të historikut të dobët të presidentit, Nicolas Maduro në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Për vetë kokën e Maduros ekziston një shpërblim prej 15 milionë dollarësh, pasi ai akuzohet në Shtetet e Bashkuara për narko-terrorizëm, trafikim me drogë dhe korrupsion.

Në kthim, presidenti Maduro akuzon Shtetet e Bashkuara për kolonializëm dhe tentim të paarsyeshëm për t’u përfshirë në punët e brendshme të Venezuelës.

Përfitime të përbashkëta

Këto nuk janë periudha të lehta.

Nafta lëviz botën dhe Venezuela ka sasi të mëdha të saj.

Kur bota është në krizë, duke përfshirë vendosjen e ndalesës për eksportet e naftës ruse, kjo ndikon në rritje të çmimeve.

Prandaj liderët u rikthehen lidhjeve të kaluara.

“Në Venezuelë, gjithçka lidhet me naftën”, ka thënë historiania politike, Margarita Lopez Maya.

“Një nga hapat e parë që SHBA-ja ka bërë në Luftën e Dytë Botërore ka qenë dërgimi i një ambasadori të mirë në Venezuelë për t’i dhënë mbështetje Qeverisë që të sigurojë naftën”.

Nuk ka dyshim se nga një marrëdhënie më e mirë do të përfitonte edhe Venezuela.

Maduro dëshiron që të hiqen sanksionet dhe presidenti, i cili është aq i gatshëm të kritikojë SHBA-në, ka treguar shenja për paqe në një paraqitje në televizionin shtetëror.

Ngritja e flamujve të miqësisë

“Flamujt e SHBA-së dhe Venezuelës kanë qenë aty, ata janë dukur mirë, të dy bashkë, siç duhet të jenë”, ka thënë Maduro në një takim të zhvilluar në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, fundjavën e kaluar.

“Është hapur mundësi e re. Ne kemi pasur takime të respektueshme dhe shumë diplomatike. Është koha për diplomaci, të vërtetën dhe paqen”.

Maduro ka thënë se është i gatshëm t’iu kthehet bisedimeve me opozitën e Venezuelës, me Meksikën si nikoqire.

Disa ditë pas takimit mes SHBA-së dhe Karakasit, Venezuela ka liruar dy amerikanë të burgosur.

Ku mund të çojë përmirësimi i lidhjeve?

“Në Shtetet e Bashkuara, tash e një kohë, forcat e brendshme kanë thënë se strategjia e sanksioneve në naftë nuk ka shumë kuptim pas kaq kohësh dhe synimet nuk janë duke u përmbushur”, ka thënë, Luis Vicente Leon, drejtor në kompaninë për konsultime me bazë në Karakas, Datanalisis.

“Kur ka nisur konflikti me Ukrainën, është bërë e qartë se politika e sanksioneve e ka vështirësuar situatën”, ka thënë ai për transmetuesin britanik, BBC.

Dyshimet tejkalojnë shpresën në rrugët e Karakasit

Shumë i shohin këto negociata si "martesë" me marrëveshje.

“Të dyja palët janë shumë kritike, nuk i besoj askujt”, ka thënë, Maria Eugenia Farina, pronare e një dyqani në Karakas.

Kjo është përshtypje edhe e disa banorëve tjerë të Venezuelës, të cilët nuk kanë shpresë se liderët do ta nxjerrin shtetin nga kriza.

Ka edhe të atillë që besojnë se këto negociata përbëjnë mundësi.

“A e shoh këtë gjë pozitive? Po, sepse Venezuela do të falimentonte, dikush duhet të japë”, ka thënë banorja e Karakasit, Ana Pérez.

“Ne jemi të dobët. Nëse ata na heqin sanksionet, gjërat mund të përmirësohen”.

Të gjithë presin që një kthesë në qëndrime mund të shndërrohet në zhgënjim.

“Ata kanë zhvilluar një udhëtim dhe vetëm disa takime, andaj nuk pritet që të ketë lëvizje tektonike ”, ka thënë Eric Farnsworth, nënpresident i Këshillit të Amerikave dhe ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.

Venezuela dikur ka pasur kapacitet për të prodhuar rreth tre milionë fuçi naftë brenda ditës.

Tani prodhon më pak se një milion fuçi.

Secila rritje e prodhimit do të kërkonte investime të mëdha – dhe kjo gjë do të nënkuptonte edhe heqjen e sanksioneve.

Ekspertët thonë se Lindja e Mesme është zgjidhja e vetme në periudhë afatshkurtër.

Enigma e Rusisë te Maduroja

“Venezuela aktualisht është duke eksportuar përmes Kinës dhe Maduro është duke fituar para me tonelata, në krahasim me dy vjetët e fundit”, ka thënë Francisco Monaldi, drejtor i Programit për Energji të Amerikës Latine në Institutin Baker në Hjuston.

“Duke marrë parasysh këtë gjë, pengesat në tregje që po ndodhin tani, do të bëjnë që rusët të dërgojnë naftë me tonelata në Kinë me zbritje të mëdha dhe kjo do të prishë bizneset e Maduros”.

Por, ekziston edhe një çështje e madhe – marrëdhënia në mes të Rusisë dhe Venezuelës.

“Dhuna është shprehje e botës kapitaliste”, ka thënë zëvendës-presidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez javën e kaluar.

“Shtetet e NATO-s janë duke provokuar një fuqi sikurse Rusia. Çfarë po kërkojnë? Shkatërrimin e gjithë botës? Venezuela e ka ngritur zërin për paqe. Ju nuk do të na shihni kurrë në luftë”.

Prandaj, a mund të jetë vizita e zyrtarëve amerikanë më shumë sesa për naftë?

Apo ndoshta përpjekje për të ndryshuar besnikërinë politike të Venezuelës?

“Unë thjesht nuk e di se si e sheh Maduro këtë situatë në interesat e tij, kur mund t’ua kthejë shpinën rusëve për shkak të administratës amerikane, e cila e ka paditur atë”, ka thënë Farnsworth.

“Çfarë e di se do të ndodhë – dhe ndoshta ka nisur të ndodhë – është se banorët e Venezuelës do të ulin tonin e retorikës”.

Nga armiq në miq? Është e mundshme, por jo të gjithë janë të bindur.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG