Ndërlidhjet

“Lufta e klaneve për fronin e Putinit ka nisur”


"Ata e kuptojnë se pasi Rusia ta humbë luftën – sepse askush në mesin e tyre nuk beson më në fitore –  do të jetë pika e nisjes së kësaj lufte për fron", tha për REL-in, gazetari rus, Roman Anin.
"Ata e kuptojnë se pasi Rusia ta humbë luftën – sepse askush në mesin e tyre nuk beson më në fitore –  do të jetë pika e nisjes së kësaj lufte për fron", tha për REL-in, gazetari rus, Roman Anin.

Roman Anin është gazetar hulumtues rus që punon për Novaya Gazeta dhe është në mesin e themeluesve të medias së pavarur, iStories, që u krijua më 2020.

Ai ka ligjëruar lëndën e gazetarisë në Moskë dhe ka punuar për rrjete ndërkombëtare, përfshirë Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) dhe në Projektin për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Gjithashtu, ai ka hulumtuar miliona dokumente, në hulumtimin që njihet si Letrat e Panamasë. Anin, po ashtu ka raportuar për udhëheqjen brenda Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Më 2021, autoritetet ruse e shpallën atë “agjent të huaj”. Ai jeton jashtë Rusisë.

Anin bisedoi me Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë lidhur me rreziqet potenciale për Vladimir Putinin, që dalin si pasojë e vendimit të liderit rus për ta pushtuar Ukrainën, manovrat aktuale për pushtet nga persona sikurse shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe kreu i Gardës Kombëtare ruse, Viktor Zolotov, dhe çfarë do të mund të sillte humbja eventuale e Rusisë në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Shumë ekspertë perëndimorë janë skeptikë për skenarin në të cilin Putin do të sfidohej apo do të rrëzohej nga pushteti nga persona brenda Rusisë. Nëse bazohemi në titullin e artikullit tuaj, që u publikua në janar në iStories, “Një luftë klanore për fronin e Putinit ka nisur”, ju nuk ndani këtë skepticizëm. Pse?

Gazetari rus, Roman Anin.
Gazetari rus, Roman Anin.

Roman Anin: Besoj se lufta klanore për fronin e tij ka nisur. Kjo nuk do të thotë se ata do të tentojnë ta rrëzojnë nga pushteti. Putin është 70 vjeç, nuk është i ri. Kjo nënkupton se qarqet e tij e kuptojnë se herët apo vonë ai do të vdesë apo do të largohet nga pushteti. Ata e kuptojnë se duhet të punojnë për një skenar pas vdekjes së tij. Problemi i qarqeve të tij është se ata janë të ndarë, ata kanë luftuar vazhdimisht kundër njëri-tjetrit për vite të tëra, për qasjen ndaj Putinit, për mundësinë e ndikimit në vendimet e tij, për pushtet. Këto luftëra shpesh nuk ishin “të ftohta”.

Ka shumë shembuj. Për shembull, [anëtari i Këshillit të Sigurisë dhe drejtori i Gardës Kombëtare, Viktor] Zolotov, është njeri shumë i afërt me Putinin ose më saktë ka qenë një njeri shumë i afërt me të. Ai ka qenë truproja e tij, një person që kalonte shumicën e kohës me Putinin. Zolotov urren [drejtorin e FSB-së, Aleksandr] Bortinkov, dhe Bortnikov e urren Zolotovin, ata përplasen vazhdimisht. Kjo e bën të vështirë që ata të pajtohen për një pasardhës të mundshëm. Prandaj, unë mendoj se kjo rrit shanset që njëri prej tyre, apo një koalicion i tyre, do të fillojë të veprojë edhe para se Putin të vdesë apo para se të humbë pushtetin – vetëm për faktin se tani ata e kanë kuptuar se nuk duan të humbin më shumë kohë.

Radio Evropa e Lirë: Kur ju shkruani se beteja për fronin e Putinit veçse po zhvillohet, çfarë duan këta njerëz: ta zëvendësojnë Putinin apo t’i afrohen më shumë carit, për t’i përshpirtur në vesh?

Roman Anin: Është shumë e thjesht. Ata duan të shpëtojnë jetën e tyre, asetet, jetën e familjarëve të tyre. Ata e kuptojnë se pasi Rusia ta humbë luftën – sepse askush në mesin e tyre nuk beson më në fitore – do të jetë pika e nisjes së kësaj lufte për fron. Dhe kushdo që e humbë betejën, do të humbë gjithçka, pushtetin, asetet.... Imagjinoni, presidenti i ardhshëm i Rusisë është dikush nga klani i [Nikolai] Patrushevit, që është shef i Këshillit rus të Sigurisë Kombëtare, një prej trupave më të mëdhenj qeveritar në shtet. Kjo do të thotë se njerëzit që kanë luftuar kundër tij gjatë gjithë këtyre viteve nuk do të jenë në gjendje të shpëtojnë asetet e tyre, apo edhe jetën apo lirinë e tyre, dhe ata e kuptojnë këtë gjë. Prandaj, unë mendoj se kjo do të bëjë që të ketë luftë për pushtet. Ata do të luftojnë për jetën e tyre.

Sepse problemi tjetër është se ata kanë ngecur në këtë anije, për shkak të sanksioneve, për shkak të përfshirjes së tyre në krime të ndryshme. Ata nuk mund të largohen nga shteti. Ata nuk mund thjesht të thonë “Në rregull, le ta tradhtojmë Putinin dhe të ikim diku”. Ata janë bllokuar në Rusi. Dhe imagjinoni, gjarpërinj të bllokuar brenda një shisheje, dhe që të gjithë ata e urrejnë njëri-tjetrin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendon vetë Putini për këtë luftë për pushtet? Një interpretim është se ai po tenton që t’i vendosë njerëzit e tij të afërt kundër njëri-tjetrit në mënyrë që vetë të qëndrojnë i fortë dhe të tjerët të dobësohen.

Roman Anin: Para luftës, kjo vërtetë ishte pjesë e strategjisë së tij. Ai adhuron që të sillet si një gjykatës në këto lloj betejash brenda qarqeve të brendshme. Sot, puna nuk qëndron më kështu sepse këto përplasje publike midis [ish-truprojës dhe themeluesit të grupit Wagner, Yevgeny] Prigozhin dhe [ministrit të Mbrojtjes së Rusisë, Sergei] Shoigu, midis Prigozhinit dhe [liderit të Republikës Çeçene, Ramzan] Kadyrov, definitivisht nuk e bëjnë pushtetin e Putinit më të fortë. Është e kundërta, këto përplasje po e bëjnë më të dobët. Problemi i Putinit është se ai është një politikan që vazhdimisht ka frikë të marrë vendime, që preferon të qëndrojë duke mos bërë asgjë dhe të presë derisa problemi disi zgjidhet vet.

Radio Evropa e Lirë: Ky është një vlerësim i çuditshëm për një person që mori vendim për të pushtuar fqinjin e tij.

Roman Anin: Por, këto janë lloje të ndryshme vendimesh. Sepse ai besoi, kur e mori atë vendim, se do të ishte një luftë shumë, shumë e lehtë. Ata besuan se do ta pushtonin Ukraina për tri ditë. Prandaj, ai realisht nuk po rrezikonte asgjë.

Vendimi për të bërë diçka brenda klanit të tij [është diçka tjetër] dhe realisht Putin nuk ka shumë zgjidhje. Nëse lexoni deklaratat publike të Prigozhinit dhe të shumë liderëve të tjerë, të ashtuquajtur patriotë, ata veçse kanë nisur që ta kritikojnë atë. Ata veçse kanë nisur të thonë se Putin po e tradhton shtetin. Këto janë akuza shumë serioze, dhe Putin ose do të veprojë vetë – që nënkupton të nisë represionin ndaj ish-aleatëve të tij – ose do të bëhet tepër vonë. Ky është një vendim shumë i vështirë. Është qesharake që këto lloj vendimesh për të janë më të vështira sesa vendimi për ta pushtuar Ukrainën. Dhe ai nuk e ka marrë këtë vendim. Por, unë besoj se teksa po u afrohemi zgjedhjeve presidenciale, aq më shumë duhet që ai të veprojë, dhe besoj se do të jemi dëshmitarë të represionit ndaj ish-aleatëve të tij.

Radio Evropa e Lirë: Një tjetër vendim që ai ka mundur ta marrë, por nuk e ka marrë, është emërimi i ndonjë pasardhësi. Pse nuk e ka bërë këtë?

Roman Anin: Besoj se nuk e ka bërë pasi nuk ka ndonjë figurë të mirë. Ai e di se klani i tij është i ndarë dhe është shumë e vështirë të gjendet dikush që do t’iu shërbejë të gjitha klaneve. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka zgjedhur një pasardhës sepse vërtetë është i frikësuar për lirinë e tij dhe jetën e tij. Ai ka frikë nga humbja e pushtetit. Mendoj se pendesa më e madhe që ai mund të ketë këto ditë është që nuk ka një djalë, që do të ishte pasardhësi i tij natyral... Pesë vjet më parë, unë shkrova një artikull për truprojat e tij, se si ata nisën të merrnin pozita në agjenci të ndryshme, veçanërisht në shërbimet sekrete. E pyeta njëri nga truprojat, “pse po e bën këtë Putini?”. Përgjigja ishte shumë e thjesht: “Sepse ai u beson këtyre personave. Këta persona për 20 vjet kanë qëndruar prapa tij me armë dhe nuk e kanë vrarë”. Gjetja e një pasardhësi është vërtetë një vendim i rrezikshëm, sepse si mund të jetë ai i sigurt që pasardhësi i tij nuk do ta tradhtojë një ditë pasi të bëhet president? Prandaj ai është i frikësuar dhe jam i sigurt se Putini do të synojë edhe një mandat presidencial.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë kjo luftë për pasardhësin e Putinit për vetë trashëgimin e tij, me të cilin Putin është i fiksuar?

Roman Anin: Këto ditë është bërë e qartë se cila do të jetë trashëgimia e tij dhe roli i tij historik. Në historinë e Rusisë dhe të botës, është e qartë tashmë, ai do të vazhdojë të jetë më i përafërt me Hitlerin, si një prej diktatorëve më të këqij, një prej personave që nisi një prej luftërave më mizore në Evropë. Ai dëshironte të jetonte në historinë ruse dhe të botës midis Pjetrit të Parë dhe Katerinës së Madhe. Por, ai tashmë do të jetë diku midis Hitlerit dhe Qaddafit.

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për ata që janë në garë për fronin e tij dhe të nisim me atë më famëkeqin, që padyshim është Prigozhini. Kush është “gjyshi i lumtur” me të cilin po tallej Prigozhin në videon e tij të fundit? A e ka pasur fjalën për [shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjeneralin Valery] Gerasimov, siç pretendoi ai më vonë, apo për “gjyshin e bunkerit”, siç e quan ai vazhdimisht Putinin që kur ka nisur lufta?

Roman Anin: Jam absolutisht i sigurt se e kishte fjalën për Putinin, e jo Gerasimovin. Pikë së pari “gjysh” është nofkë për Putinin dhe të gjithë e dinë këtë. Prigozhin nuk e zgjodhi këtë nofkë aksidentalisht. Pastaj, sigurisht, ai e kupton se Gerasimov zyrtarisht është përgjegjës për atë që ata e quajnë “operacion të posaçëm ushtarak”, por të gjitha vendimet e mëdha sigurisht që merren nga Putini. Vendimi për t’i dërguar ose jo armë dhe municione Wagner-it nuk merret nga Gerasimovi, por nga Putini.

Ajo që është më e rëndësishmja dhe më interesantja në kuadër të kësaj lufte klanore dhe Prigozhinit ishte deklarata e tij publike [në po të njëjtën video] që ishte pikërisht e njëjta deklaratë... se ata do të largohen nga Bahmuti më 10 maj. Të gjithë i kushtuan vëmendje vetëm pjesë së parë të deklaratës së tij. Por, për mendimin tij, pjesa e fundit ishte më e rëndësishme. Ajo se çfarë tha ai ishte se “ne do të largohemi më 10 maj, dhe do të presim derisa populli rus të ketë nevojë për ne, që ne besojmë se do të ndodhë shumë shpejt nëse shikoni sesi liderët tanë po veprojnë”. Qartësisht ai po i referohej një lloj revolucioni, puçi, apo diçka të ngjashme. Ai e sheh Wagner-in si një lloj grupi ushtarak që përfaqëson interesat e shumicës së rusëve dhe nëse rusët kanë nevojë për të, ata do të jenë të gatshëm. Kjo është një deklaratë e rrezikshme që askush nuk e vërejti. Por, unë besoj se Putini dhe njerëzit e tij në Kremlin vërtetë kanë lexuar mes rreshtave.

Radio Evropa e Lirë: Nëse është kështu, a ka vërtetë leverdi Putini që ta lejojë Prigozhinin të bëjë diçka të tillë pa u ndëshkuar? Ka pasur edhe një deklaratë tjetër, kur Prigozhin tha se “ne duhet të reduktojmë humbjet tona, të konsolidojmë fitoret tona dhe të ngrijmë luftën në Ukrainë”. Njerëzit në Rusi janë dënuar me burg për deklarata më të buta se kjo.

Roman Anin: Absolutisht. Sërish, këto deklarata dobësojnë pushtetin e Putinit... Është shumë interesante sepse ata varen shumë nga njëri-tjetri. Prigozhin udhëheq 50.000 njerëz në seksionin më të rëndësishëm në vijën e frontit. Nëse ata largohen, do të jetë fundi i luftës, ose të paktën do të jetë një humbje serioze për ushtrinë ruse. Prigozhin varet nga Putini sepse ata [luftëtarët e Wagner-it] nuk mund të luftojnë pa municion, pa armë. Prandaj, besoj se Putini është duke ëndërruar më shumë sesa [presidenti ukrainas, Volodymyr] Zelensky që Prigozhin të vdes atje. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë problem të Putinit.

*Video: Sa e rrezikon Putinin shefi i Wagner-it?

Sa e rrezikon Putinin "kuzhinieri" i tij?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:25 0:00

Radio Evropa e Lirë: Por, çfarë thotë kjo për vetë Rusinë që një ish-abuzues i grave, një bandit, që tani është shndërruar në një person që tallet duke mbajtur në duar një çekiç, e i cili po garon për vendin kryesor të pushtetit? Këtu ne kemi shembuj nga historia, precedentin e Stalinit, i cili ishte një grabitës bankash.

Roman Anin: Vërtet nuk mendoj se ka shembuj, të paktën në historinë moderne, të një shteti të tillë. Ndonjëherë i mbylli sytë dhe imagjinoj që jam në vitin 2007, dhe një skenarist nga Hollywood-i vjen dhe më thotë: “Shiko, këtu është një libër apo një skenar i jashtëzakonshëm që thotë se Rusia do të nisë një luftë kundër Ukrainës, Putin qëndron në bunkerin e tij për dy vjet, ushtaraku kryesor është një ish-kriminel që rrihte gratë dhe i grabiste. Ai po rekruton dhjetëra mijëra të burgosur dhe ata do të vriten në frontet e luftës, dhe Rusia do të bëhet shteti më i izoluar, diku midis Iranit dhe Koresë së Veriut”. Do t’i thosha këtij skenaristi se është i çmendur. Por, ky është realiteti. Ne folëm për trashëgiminë e Putinit. Kur ai u bë president, Rusia ishte një prej shteteve më të zhvilluara, një prej shteteve më elite në botë. Ku është sot? Është tragjedi, sigurisht, pikë së pari për Ukrainën. Por, po ashtu është tragjedi ajo çfarë Putini i bëri Rusisë: Ai e ktheu shtetin dhjetëra e dhjetëra vite pas, dhe nuk e di se sa kohë do t’i duhet shtetit që të rimëkëmbet apo nëse ka gjasa që të rimëkëmbet.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Prigozhin vërtetë ka ndonjë plan të madh në mendje, si do ta bindte ai popullin rus?

Roman Anin: Duhet ta pranojmë se ai është një person shumë i talentuar sa i përket marrëdhënieve me publikun dhe ai veçse po e shet idenë që “shikoni se si këto lopë të trasha nga Rublevka, një prej pjesëve më të pasura të Rusisë, po e tradhtojnë shtetin. Ata po na i dërgojnë djemtë tuaj në vijat e luftës pa asgjë. Ata kanë vjedhur gjithçka. Djemtë tuaj po vdesin atje. Unë e di se si ta fitoj luftën, por këta tradhtarë nuk po më lejojnë, nuk po na lejojnë që të fitojmë”. Dhe rusët po i besojnë kësaj ideje. Ai po bëhet gjithnjë e më popullor. Sepse ai praktikisht po thotë të vërtetën, ose po thotë diçka që rezonon me rusët. Sepse, fatkeqësisht, shumica e rusëve e mbështesin luftën, ose të paktën jo vetë luftën, por ata këto ditë po mendojnë se “nëse ne e nisim luftën, atëherë nuk ka shanse që ne ta humbim atë, ne do ta çojmë deri në fund”. Idetë e Prigozhinit rezonojnë me rusët.

Radio Evropa e Lirë: Ai po ashtu është i vetmi që mundet, deri në njëfarë mase, të pretendojë se ka arritur një sukses në Ukrainë, krahasuar me të tjetër.

Roman Anin: Pikërisht. Këtë po e thonë edhe ukrainasit. Këtë po e thonë edhe ekspertët perëndimorë. Dhe popullata në Rusi po thotë se ushtria e tij private është më efektive sesa ushtria zyrtare.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh këtë, kë shihni që do të fitonte në një duel midis Prigozhinit dhe Shoigut e Gerasimovit?

Roman Anin: Vërtetë varet se çfarë do të ndodhë pas dhe gjatë ndonjë kundërofensive ukrainase. Gjërat mund të nisin të ndryshojnë dhe të zhvillohen shumë shpejt, dhe unë kam frikë se ne jemi një hap para nisjes së kaosit të vërtetë në Rusi – përveç nëse Putin vendos të tërheqë trupat, të mbyllë shtetin, të shpallë diktaturë ushtarake, të arrestojë të gjithë armiqtë e tij dhe të transformojë shtetin në një Kore të Veriut...

Radio Evropa e Lirë: Nëse ai vendos të veprojë kështu, a do të ishte në gjendje ta bënte?

Roman Anin: Këtu qëndron problemi, mendoj se ai nuk është i gatshëm ta bëjë këtë. Ai po shpreson që të ndodhë një mrekulli. Ai nuk po bën asgjë. Ai duket sikur është bllokuar në bunkerin e tij. Prandaj ai kritikohet. Nëse lexoni kanalet më të famshme “Z”, ato thonë: “Ku është lideri ynë? Cili është plani ynë? A do të fitojmë?”. Ai ka frikë ta bëjë këtë, prandaj unë mendoj se ai nuk do të zgjedhë këtë rrugë. Në njërën anë, unë kam frikë, në anën tjetër shpresoj që një kundërofensivë e suksesshme do të nisë luftën e nxehtë mes elitave, këtë kaos.

Por, kam frikë se dikush edhe më i keq mund ta fitojë këtë betejë. Dhe kjo do të ishte një sfidë e vërtetë për Perëndimin. Si do të veprojë Perëndimi? Sepse, imagjinoni, Prigozhin fiton betejën, dhe tani shteti, që ka arsenalin e dytë më të madh në botë të armëve bërthamore, është në duart e një krimineli famëkeq, një kriminel që është edhe më i keq se Putini, një kriminel i çmendur, një sadist, një person që i pëlqen të torturojë dhe vrasë njerëz. Dhe shpresoj që Perëndimi ka plan se si do të veprojë nëse dikush si Prigozhini apo Girkini [Shënim i redaksisë: Igor Strelkov, që ka luajtur rol në aneksimin e Krimesë më 2014 dhe ka mbështetur separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës] ose kushdo tjetër që fiton luftën [për pushtet].

Fatkeqësisht, nuk ka njerëz të arsyeshëm brenda elitës, në mesin e atyre që kanë pushtet. Liberalët janë shumë të dobët. Ka disa liberalë në mesin e rrethit të Putinit – njerëz sikurse [strategu i kamotshëm i Kremlinit, Sergei] Kiriyenko, njerëz sikurse [Aleksei] Kudrin, sikurse [Anatoly] Chubais – por këta persona nuk kanë pushtet fizik. Në një shtet të dështuar – dhe për mendimin tim Rusia është bërë shtet i dështuar – personi që ka armët më të mëdha fiton, që kanë pushtet fizik... dhe ata që nuk janë të frikësuar që t’i përdorin ato. Këto forca liberale, si brenda rrethit të Putinit dhe në përgjithësi në Rusi, fatkeqësisht nuk kanë fuqi të tillë, prandaj nuk mund ta përdorin.

Radio Evropa e Lirë: Edhe Ramzan Kadyrov, “akademiku i shquar çeçen”, siç e keni portretizuar ju në artikujt tuaj, ishte i gatshëm të zëvendësonte trupat e Wagner-it me detashmentin e tij Akhmat, në Bahmut. Cilat janë ambiciet reale dhe joreale që mund të ketë Kadyrov në këtë luftë për pushtet?

Roman Anin: Mendoj se shumica e ekspertëve disi i ekzagjerojnë ambiciet e tij. Nuk mendoj se ai ka ambicie për t’u bërë president apo diçka tjetër. Nëse shikoni se çfarë po bën ai në Republikën [Çeçene]e tij, ai po emëron familjarët e tij në poste të mëdha shtetërore. Është qesharake. Besoj se ai ka emëruar mbi 30 ose 25 anëtarë të familjes së tij në postet më të rëndësishme në Çeçeni.

Radio Evropa e Lirë: Një qasje monarkike?

Roman Anin: Pikërisht. Sipas meje, ai vetëm dëshiron të jetë aty ku është tani: lider i Çeçenisë, të mbretërisë së Çeçenisë, një person që mund të bëjë çfarë të dojë në Çeçeni dhe të vazhdojë të marrë para federale. Është një shtet i jashtëzakonshëm brenda një shteti që financohet nga të gjithë rusët. Çeçenia, sipas meje, mbi 90 për qind varet nga paratë që vijnë nga buxheti federal. Prandaj, nuk mendoj se ai ka ndonjë ambicie tjetër veçse të qëndrojë në pushtet dhe të vdesë në fronin e tij, dhe t’ia japë pushtetin një prej familjarëve të tij.

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për një figurë tjetër. Kemi një mori klanesh, sikurse ai i [sekretarit të Këshillit të Sigurisë, Nikolai] Patrushev, [miliarderit, Yuri] Kovalchuk, [oligarkut, Igo] Sechins, e kështu me radhë. Si i vlerësoni shanset e tyre për marrjen e drejtimit të shtetit?

Roman Anin: Sigurisht, që të gjitha këto figura janë të ndryshme. Besohet se – mendoj se është fakt – Kovalchuk është njeriu i dytë më i fuqishëm në shtet. Ai është një prej njerëzve më të afërt të Putinit, dhe definitivisht ishte ai që e dinte për pushtimin, dhe ndoshta ishte ai që ndikoi në këtë vendim. Nuk e dimë, por kështu mendojnë shumica e ekspertëve. Njëkohësisht, këta persona konsiderohen si miqtë më të vjetër të Putinit, sikurse Sechin, [drejtuesi i konglomeratit të mbrojtjes, Rostech, Sergei] Chemezov, Kovalchuk. Po ashtu, ka shumë përplasje mes tyre. Për shembull, [drejtuesi i Transneft, Nikolay] Tokarev, që ka shërbyer së bashku me Putinin në Gjermani si pjesë e KGB-së, vazhdimisht përplaset me Sechinin, i cili po ashtu është një mik i vjetër i Putinit. Në disa raste, këto përplasje kanë rezultuar në raste penale kundër personave të tjerë. Personat brenda qarqeve të brendshme nuk mund të iniciojnë raste penale ndaj njëri-tjetrit, prandaj ata iniciojnë raste të tilla ndaj njerëzve të tretë apo katërt, vartësit e bëjnë këtë dhe kjo nuk ka ndryshuar. Burimet po më thonë se këto përplasje janë intensifikuar gjatë vitit të fundit, sepse torta është bërë më e vogël, ata e kuptojnë se rreziqet janë të larta, dhe, sigurisht, ata duan të mbrojnë klanin e tyre në mënyrën më të mirë dhe duan të dobësojnë klanet e tjera. E gjitha kjo po zhvillohet pas perdeve. Por, më e rëndësishmja, shumicën e tyre ne nuk i shohim.

Biznesmeni rus, Yuri Kovalchuk, që besohet se është njeriu i dytë më i fuqishëm në Rusi.
Biznesmeni rus, Yuri Kovalchuk, që besohet se është njeriu i dytë më i fuqishëm në Rusi.

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj, ju në njëfarë mënyre i ndani këta persona në tri kampe kryesore. Një prej tyre thatë se ishte “i etur për gjak”, ku bëjnë pjesë njerëz sikurse Prigozhin dhe të tjerë. Kampin e dytë e keni përshkruar si “të privilegjuarit”, ku përfshihet rrethi i brendshëm i Putinit, sikurse oligarkët dhe njerëzit e sektorit të financave. Ndërkaq, ju thatë se ka edhe një kamp tjetër të “patriotëve”, pra njerëz që duan të largojnë personat që kanë pushtet në Kremlin për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, por po ashtu ata duan ta fitojnë luftën. Si po zhvillohet kjo garë?

Roman Anin: Opsioni më i mirë për Rusinë – jo vetëm për Rusinë, por edhe për Ukrainën dhe mbarë botën – do të ishte nëse do të fitonte klani i “të privilegjuarve”. Çfarë dua të them është se brenda rrethit të brendshëm të Putinit – nuk ka njerëz të mirë, që të gjithë janë të korruptuar dhe që të gjithë janë të përshirë në krime të ndryshme – ka disa persona që janë më të arsyeshëm sesa Prigozhin dhe Strelkov. Nëse koalicioni i këtyre personave e kuptojnë se në fund ata mund ta ndalin luftën dhe mund të ndryshojnë gjithçka në Rusi shumë shpejt. Imagjinoni situatën ku ky koalicion klanesh e dorëzon Putinin para Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe premton se “ne do të tërheqim të gjitha trupat nga Ukraina në kufijtë e vitit 1999, do t’i japim Ukrainës garanci të sigurisë dhe në këmbim Perëndimi të na japë garanci për sigurinë tonë, të aseteve tona, të anulojë të gjitha sanksionet dhe të nisim gjithçka nga fillimi”. Besoj se Perëndimi, që veçse është i lodhur nga kjo luftë, do të pajtohej me këtë, sepse do të nënkuptonte fitore për Ukrainën, fundin e luftës dhe nisjen e një raporti të ri me Rusinë. Ky do të ishte skenari më i mirë. Vërtetë shpresoj që një koalicion, i atyre që ne i quajmë “të privilegjuar”, sa më shpejt ta kuptojë këtë. Në të kundërtën, Rusia do të mbetet diku midis Prigozhinit dhe Strelkovit. Dhe, ky nuk është një opsion i mirë.

*Video: Putin, në kërkim nga drejtësia ndërkombëtare

Kërkohet: Vladimir Vladimirovich Putin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:22 0:00

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Ukraina e fiton luftën në fushëbetejë?

Roman Anin: Ne të gjithë shpresojmë se kështu do të ndodhë, që Ukraina të fitojë në fushëbetejë. Kjo do të nënkuptonte nisjen e kaosit në Rusi dhe nisjen e kësaj “lufte të klaneve” për të cilën folëm.... Nisjen e Smuta-s [Shënim i redaksisë: Kjo është referencë për të ashtuquajturën Koha e Trazirave në historinë ruse që përfshin ngjarjet në periudhën 1598-1612]. Dhe më pas ne do ta shohim se kush do ta fitojë këtë luftë. Ne nuk mund të parashikojmë skenarë se çfarë do të ndodhë më pas, sepse përfshihen shumë aspekte: nga një kaos i plotë dhe transformimit të Rusisë në një shtet sikurse ndonjë shtet afrikan me banda dhe luftime të vazhdueshme në rrugë, deri te transformimi në një shtet demokratik pas 20 apo 50 vjetësh. Nuk e di. Do të varet se kush do ta fitojë luftën për fronin.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG