Ndërlidhjet

Luftimet në Ukrainë dhe Sudan nxisin rritje alarmante të rasteve me tuberkuloz


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Zyrtarët e lartë të OKB-së dhe udhëheqësit e industrisë shëndetësore po përpiqen ta ndalojnë një rritje alarmante të rasteve me tuberkuloz, që tani po vret më shumë njerëz në mbarë botën sesa COVID-19 apo SIDA.

Problematike mbetet çështja e numrit të madh të rasteve në zonat e konfliktit, në Ukrainë dhe Sudan, ku është e vështirë të gjurmohen njerëzit e infektuar dhe të diagnostikohen të sëmurët e rinj.

Tuberkulozi është aktualisht vrasësi më i madh nga sëmundjet infektive në botë, duke marrë jetën e rreth 4.400 njerëzve çdo ditë, përfshirë 700 fëmijë, tha mjekja Lucica Ditiu, drejtoreshë ekzekutive e Partneritetit për Ndalje të Tuberkulozit (PNTB), para seancës dëgjimore të 9 majit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Përpara COVID-19, që si tuberkulozi transmetohet përmes ajrit, “ne nuk pamë numër dramatik të rasteve të tuberkulozit”, tha ajo.

Ditiu tha se ndikimi në ekonomi i COVID-19 dhe konfliktet – veçanërisht i luftës në Ukrainë, por tani edhe në Sudan – kanë “ndikim të madh” në përpjekjet për t’i trajtuar njerëzit e sëmurë me tuberkuloz dhe për të diagnostikuar raste të reja.

Ukraina ka numrin më të lartë të njerëzve të vlerësuar me tuberkuloz në rajonin evropian, gjithsej 34 mijë, tha ajo në një konferencë shtypi javën e kaluar.

“Është mbresëlënës fakti që populli ukrainas në fakt po tregon një qëndrueshmëri të mahnitshme duke bërë më të mirën për t’i ruajtur shërbimet për tuberkulozin”, tha Ditiu. “Por, padyshim që shumë njerëz u larguan nga vendi”.

Edhe pse, sipas saj, janë bërë përpjekje të mëdha për t’i gjurmuar të sëmurët, dyshimet se a kanë qasje ukrainasit në trajtim po sjellin shqetësime të mëdha.

Në Sudan, 18.000 njerëz morën trajtim për tuberkuloz në vitin 2021, sipas PNTB-së, që menaxhohet nga Zyra e OKB-së për Shërbimet e Projektit dhe synon ta arrijë një botë pa tuberkuloz.

Ditiu vuri në dukje se sa shpejt u zhvillua vaksina për COVID-19, brenda më pak se një viti, dhe u ankua se u deshën 19 vjet për të pasur tre ose katër vaksina për tuberkulozin në fazën e tretë të provave për shkak të mungesës së fondeve.

XS
SM
MD
LG