Ndërlidhjet

HRW: Kirgizia e Taxhikistani mund të kenë kryer krime lufte më 2022


Kufiri Taxhikistan-Kirgizi. Shtator, 2022.
Kufiri Taxhikistan-Kirgizi. Shtator, 2022.

Veprimet e kryera nga forcat kirgize dhe taxhike gjatë një konflikti katërditor përgjatë kufirit të tyre të kontestuar, përfshinë “shkelje serioze të ligjeve të luftës nga të dyja palët”, vlerësoi organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW).

Konflikti, që u zhvillua në shtator të vitit të kaluar, la mbi 100 civilë dhe ushtarë të vrarë. Rrënjët i kishte në disa mosmarrëveshje kufitare, që datojnë nga koha kur Kirgizia dhe Taxhikistani ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Raporti, i publikuar më 2 maj, është i pari nga një organizatë e madhe e të drejtave të njeriut, në lidhje me këtë incident.

HRW tha se shumë nga veprimet e të dyjave vendeve “ka gjasa të përbëjnë krime lufte”.

Incidentet e përmendura në raport përfshijnë: sulme ndaj automjeteve civile dhe ambulancave, përdorim të eksplozivëve “pa dallim”, vrasje jashtëgjyqësore nga forcat ushtarake dhe sulme me zjarrvënie në shtëpi dhe infrastrukturë civile.

Përmes një serie rekomandimesh, grupi u bëri thirrje të dyja qeverive që të mbajnë përgjegjësi për “shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, si dhe t’i trajnojnë forcat e tyre të armatosura për zbatimin e ligjit ndërkombëtar humanitar në situata konflikti.

Grupi gjithashtu tha se çdo marrëveshje e arritur në bisedimet e vazhdueshme për demarkacionin e kufirit, duhet t’i njohë të drejtat e popullatës lokale për “arsimim, strehim adekuat dhe ujë”.

Raporti prej 89 faqesh i HRW-së u bazua në 86 intervista, përfshirë 69 me dëshmitarë okularë, viktima ose të afërm të viktimave; 10 ditë hetime në vendngjarje në tetor dhe në nëntor të vitit 2022; rishikim të të dhënave mjekësore dhe dokumenteve të tjera; analizë të imazheve satelitore; verifikim të 12 videove që tregojnë sulmet dhe pasojat e tyre etj.

Fokus i raportit ishte ndikimi i konfliktit te civilët dhe jo te personeli ushtarak.

HRW-ja dokumentoi 37 vdekje të civilëve - pesë prej tyre fëmijë, dhe plagosje të 36 të tjerëve nga të dyja anët. Por, “marrë parasysh raportet e mediave dhe listat zyrtare të viktimave, numri i plotë mund të arrijë në 51 civilë të vrarë dhe 121 të plagosur”, tha HRW-ja, duke mos përfshirë viktimat midis personelit ushtarak.

Mbi 100.000 njerëz u zhvendosën në Kirgizi gjatë konfliktit. Taxhikistani nuk dha ndonjë shifër për numrin e njerëzve të zhvendosur në konflikt.

Raporti nuk nxori ndonjë përfundim se kush e nisi konfliktin në shtator.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vetëm disa ditë pas konfliktit, presidenti kirgiz, Sadyr Japarov, tha se Taxhikistani “e sulmoi” Kirgizinë.

Presidenti kirgiz, Sadyr Japarov.
Presidenti kirgiz, Sadyr Japarov.

Ministria e Jashtme e Taxhikistanit, në anën tjetër, akuzoi Kirgizinë për “sulm në territorin e Taxhikistanit, përgjatë gjithë vijës së kufirit me Kirgizinë”.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë përpara publikimit të raportit, Jean-Baptiste Gallopin, hulumtues i krizave dhe konflikteve pranë HRW-së, tha se e drejta ndërkombëtare humanitare “zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha palët në konflikt”.

“Pavarësisht nëse një ushtri sulmon apo mbron, ajo e ka të njëjtën detyrë - të mos i shkelë ligjet e luftës”, tha Gallopin.

HRW tha se dita e tretë e konfliktit - 16 shtatori - ishte veçanërisht e mbushur me shkelje.

Shtator, 2022.
Shtator, 2022.

Pothuajse gjysma e kufirit Kirgizi-Taxhikistan, i gjatë 970 kilometra, nuk është demarkuar ende.

Presidenti kirgiz, Japarov, tha më 17 prill se përparimi në demarkacionin e kufirit është “ngadalësuar”, pasi Taxhikistani është duke u thirrur në një hartë të vitit 1924.

“Vitin e kaluar kam thënë se deri në maj do të përfundojmë gjithçka, sepse palët janë marrë vesh dhe puna ka ecur shpejt. Fatkeqësisht, ende nuk ka përfunduar asgjë”, tha ai.

Taxhikistani nuk e komentoi ecurinë e bisedimeve.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG