Ndërlidhjet

Basha: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor


Basha: Nuk ka zgjedhje pa opozitën
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:09:38 0:00

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu opozitar nga Partia Demokratike, Lulzim Basha thotë se nuk ka dalje nga kriza politike në Shqipëri “pa u ndëshkuar personat që kanë kapur shtetin me krim të organizuar dhe korrupsion” dhe se ky është kushti i panegociueshëm i opozitës. Zoti Basha ripërsëriti se zgjedhje më 30 qershor nuk mund dhe nuk do të ketë me një parti të vetme dhe se ftesa e kryeministrit Edi Rama për dialog të brendshëm politik është vetëm “hedhje hi syve” të qytetarëve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Basha, Shqipëria ndodhet në një ngërç politik. Cili është vizioni dhe kompromisi juaj për daljen nga kjo krizë?

Lulzim Basha: Kriza politike ka tre dimensione. Ka kapjen e gjithë pushteteve në një dorë, pra autokracinë, atë që njihet si autokracia – të gjithë pushtetet janë në dorë të një njeriu, Qeveria, Parlamenti, drejtësia. Mediat janë të kapura nga ky pushtet, ekonomia është monopolizuar dhe është në duart e të njëjtit pushtet, dhe publikimet e fundit të gazetës prestigjoze gjermane “Bild”, dëshmojnë se kemi jo thjeshtë kapje të këtij shteti nga krimi, por shkrirjen e krimit, partisë në pushtet dhe institucioneve shtetërore në një.

Zgjidhja e kësaj krize politike nuk mund të kalojë thjeshtë dhe vetëm nga një marrëveshje e rëndomtë politike, me një pazar mes palësh. Nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj krize pa drejtësi, dhe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe kriminelëve që së bashku kanë asgjësuar procesin politik, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë devijuar vullnetin popullor dhe kanë prodhuar themelet e kësaj krize, një Parlament ilegjitim, një Qeveri ilegjitime të dalë jo nga vota e qytetarëve, por nga diktati i krimit të organizuar me paratë e drogës e të krimit, dhe që si rezultat vazhdon të mbetet peng i interesave kriminale dhe private në vend që t’i shërbejë interesave publike.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që bojkotimi i zgjedhjeve, por edhe bojkotimi i mandateve në Kuvend është zgjidhja e duhur për Shqipërinë.

Lulzim Basha: Ne përfunduam së qeni si fasadë e një Kuvendi tashmë të faktuar si produkt i diktatit të krimit. Provuam për afro dy vjet që brenda këtij Kuvendi të bënim reformat e duhura për të shkatërruar këtë lidhje midis politikës dhe krimit. Këtë shkrirje një të pushtetit me krimin.

E nisëm me komisione hetimore parlamentare për rolin e politikanëve kryesorë në vend për kthimin e Shqipërisë në një bazë të krimit dhe drogës, dhe komisionet së pari u refuzuan dhe pastaj u sabotuan, ndonëse Kushtetuta e thotë qartë që është e drejta e opozitës të ketë hetime parlamentare, të hetonte këto dosjet e famshme që tashmë kanë dalë përgjimet. Një pjesë shumë e vogël e përgjimeve janë bërë publike. Dhe vumë re që përmes kapjes së Prokurorisë, pushteti, Qeveria arriti jo thjeshtë t’i ngadalësonte, por praktikisht t’i stoponte investigimet e dosjes 339/1 dhe dosjes 184 që është vjedhja e zgjedhjeve në Dibër dhe vjedhja e zgjedhjeve nga funksionarët më të lartë të Partisë Socialiste në bashkëpunim me krimin.

Vendimi ynë, pa dyshim i paprecedent, u zbulua të ishte vendimi i vërtetë sepse tashmë e gjithë bota e ka parë se Parlamenti shqiptar, Qeveria shqiptare, nuk janë produkt i votës së popullit, por janë produkt i shkrirjes një të qeverisë, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar.

Radio Evropa e Lirë: Bashkësia ndërkombëtare në Shqipëri ka kërkuar që kjo krizë të zgjidhet me një dialog. Po ashtu, kryeministri Edi Rama ka ftuar për një dialog. Cila është përgjigja juaj ndaj një ftese të tillë?

Lulzim Basha: Ftesat për dialog që bëhen për sy e faqe, apo akoma më keq për propagandë, nuk janë ftesa por janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve. Në krizën aktuale në Shqipëri është e qartë se shkaktari kryesor është pikërisht zoti Rama i cili për pushtetin e tij, për karrigen e tij, ka lidhur një pakt me krimin – çka faktohet edhe nga këto dosje hetimore (339 dhe 184). Disa gjëra dalin qartë nga këto dosje hetmore, megjithëse vetëm pak minuta janë zbardhur.

E para që në Shqipëri zgjedhjet janë vjedhur në gjithë territorin, nga Durrësi në Dibër, nga Shkodra në Lezhë, në Vlorë dhe kudo. Rrjetet kriminale kanë bashkëpunuar me Partinë Socialiste për të vjedhur zgjedhjet.

Së dyti, vjedhja e zgjedhjeve është bërë me të gjitha metodat, me blerjen e votave, me vjedhjen e kartave të identitetit, me ndalimin e votuesve të opozitës për të shkuar për të votuar, me frikësimin e tyre, me presion ndaj administratës publike, me përdorimin e policisë së shtetit...Pra, janë përdorur të gjitha metodat për të vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet.

Së treti, në këtë proces ka qenë e përfshirë e gjithë kupola shtetërore dhe e gjithë administrata shtetërore. Pra, nga kryeministri te ministrat, te deputetët, te zëvendësministrat – sa i përket kupolës politike. Nga drejtorët e administratës, nga drejtorët e policisë te polici i thjeshtë, tek mësuesi i thjeshtë që kërcënoheshin me bukën e gojës në qoftë se nuk shërbenin si kamikazë politikë, si militantë për të vjedhur apo për të marrë dhe blerë vota për partinë në pushtet. Së treti, është e qartë se në këtë ndërmarrje janë mobilizuar të gjithë kriminelët e Shqipërisë. Nga bosët e krimit të organizuar, nga Imer Lajlët, Bajlët, Shullazët me shokë, deri te kriminelët më të rëndomtë – janë bërë njësh me këtë përpjekje të Partisë Socialiste për të marrë pushtetin përmes shitblerjes së votës, intimidimit të votuesve dhe përdorimit të resurseve shtetërore.

Pra, ajo që ne mësuam nga “BILD”, radiografia që “BILD” i bëri procesit zgjedhor në Shqipëri, është që nuk kemi të bëjmë më thjeshtë me një shtet të kapur nga krimi. Kemi të bëjmë me një shtet të shkrirë në një me krimin e organizuar. Ndaj, asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, qofshin kriminelë të rrugës apo politikanë të bërë njësh me krimin. Ky është një kusht i panegociueshëm, jo thjeshtë për opozitën, por në qoftë se nuk e arrijmë këtë, nga kjo krizë do të shkojmë në një krizë tjetër akoma më të thellë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Basha, megjithatë, edhe pse presidenti i vendit anuloi realisht datën e zgjedhjeve, Partia Socialiste insiston që do t’i mbajë zgjedhjet. Cili do të jetë reagimi i Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: Për ne është fare e qartë, 30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Votime ka edhe në Korenë e Veriut, për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës dhe procese farse mban edhe Berdimuhamedow i Turkmenistanit. Por, këto nuk janë standarde perëndimore.

Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, nuk mund të ketë zgjedhje me një kandidat. Pra, çfarë zgjedhje është ajo, kur ti ke një kandidat? Kjo na kthen pas në kohën e sundimit të diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk bëhet fjalë për një proces zgjedhor, nuk ka zgjedhje më 30 qershor. Ka një tentativë të një partie të kriminalizuar nga një kupolë njerëzish që e kanë braktisur interesin publik prej kohësh, kanë braktisur edhe interesin e socialistëve të thjeshtë dhe që i shërbejnë vetëm karriges – pushtetit pra – dhe pasurimit të tyre, e për këtë interes janë në bashkëpunim të ngushtë me një grusht kriminelësh, me një grusht oligarkësh grabitqarë. Është një kupolë njerëzish që kanë shtënë në dorë gjithçka në këtë vend: pushtetin, pasuritë, buxhetin, drejtësinë, institucionet, mediat dhe duan që përmes një procesi farsë zgjedhor të kapin edhe pushtetin lokal, pra të kapin të gjitha pushtetet.

Dilema është fare e qartë, zgjidhja është fare e qartë ose do të pranojmë Shqipërinë e atyre – një grushti njerëzish që kontrollon dhe ka gjithçka – ose do të bëjmë çdo përpjekje për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve. Dhe kjo e dyta, mund dhe do të kalojë vetëm përmes vlerave dhe parimeve perëndimore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Basha, si mendoni se do të reflektojë kjo në hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian?

Lulzim Basha: Është e qartë, ka tre vjet që Shqipërisë i refuzohet hapja e negociatave sepse nuk përmbush detyrat. Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar vazhdojnë të mbeten prioritetet kryesore për shtetet anëtare, në të cilat Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, por ka bërë hapa pas. Dëshmia e kësaj është edhe vota e Parlamentit holandez për t’i rikthyer shqiptarëve regjimin e vizave, diçka që ne me shumë sakrifica e arritëm ta hiqnim në vitin 2010.

Tani, akoma pa u mbushur dhjetë vjet nga ky moment – dhjetori i vitit 2010, e mbaj mend shumë mirë sepse kam qenë ministër i Brendshëm që udhëhiqte procesin e plotësimit të kushteve për heqjen e vizave – një nga vendet anëtare ka vënë në lëvizje mekanizmin për rikthimin e vizave për shqiptarët. Pse? Është e qartë, për shkak të drogës, për shkak të krimit, për shkak të korrupsionit të bërë njësh me qeverisjen në Shqipëri.

Evropa nuk është raciste, Evropa nuk është kundër shqiptarëve, Evropa është kundër drogës. Evropa nuk është kundër qytetarëve, është kundër qeveritarëve të korruptuar.

Ndaj, rruga për të hapur negociatat është e qartë dhe e thjeshtë: nuk shkohet në Evropë pa u sjell si evropian, nuk shkohet në Evropë pa respektuar themelet e bashkëjetesës demokratike evropiane, zgjedhje të lira e të ndershme, një standard e jo dy standarde në drejtësi, pra ligji i barabartë për të gjithë, fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Këto janë vlerat për të cilat qëndron Evropa, këto janë vlerat për të cilat lufton Partia Demokratike, opozita dhe tashmë edhe aleanca më e madhe e qytetarëve që vendi ka njohur do të thosha që prej vitit 1992.

XS
SM
MD
LG