Ndërlidhjet

KE rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë


Tirana

Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

"Shqipëria ka çuar përpara reformat, sidomos në transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve", u shpreh zoti Hahn.

Zoti Hahn shtoi se Bashkimi Evropian duhet të përgjigjet pozitivisht dhe “të mbajë premtimet kur vendet i përmbushin zotimet e tyre”.

“Të dyja vendet (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) kanë çuar përpara me reformat, veçanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në qershor të vitit 2018. Për këtë arsye Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi Evropian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre", tha ai.

Video nga arkivi: Hahn shpreson hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë V. para verës

Hahn shpreson të ketë vendim para verës për Shqipërinë dhe Maqedoninë V.
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, duke nënvizuar sukseset e arritura nga Shqipëria në reformën për drejtësi, tha se BE-ja duhet të japë merita aty ku ato ekzistojnë.

“Tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e saj. BE duhet të japë merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të dekurajohen reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion”, u shpreh Mogherini.

Në Shqipëri, rekomandimi pozitiv është mirëpritur nga Qeveria. Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Twitter tha se rekomandimi pozitiv tregon se Shqipëria ka kryer me sukses detyrat e paracaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces”, shkruan kryeministri.

Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike, ku dy partitë opozitare kanë djegur mandatet e tyre në Kuvend, dhe kanë kaluar në protesta të vazhdueshme kombëtare, duke kërkuar largimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kushti i tyre kryesor është krijimi i një qeverie transitore që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në anën tjetër, Partia Socialiste që drejton qeverinë pa koalicion dhe ka shumicën e ulëseve në Parlament, ka kundërshtuar kërkesat e opozitës.

Vendi po ashtu është në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen më 30 qershor, mirëpo opozita thotë se do t’i bojkotojë, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe tashmë pritet që të fillojë negociatat për anëtarësim në muajin qershor të këtij viti.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG