Ndërlidhjet

Abdixhiku: Situata në veri kërkon unitet


Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kreu i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se situata në veri të Kosovës kërkon unitet të plotë.

Ai tha se LDK-ja është e gatshme që ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në veri, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat me Serbinë.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim - pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, tha Abdixhiku.

Ai po ashtu ftoi komunitetin ndërkombëtar që të veprojnë në mënyrë që, siç u shpreh ai, të shmangen “kërcënimet nga Serbia dhe tensionet në veri të vendit”.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet kanë thënë aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit, banorët serbë në veri të Kosovës po protestojnë. Ata kanë bllokuar dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

XS
SM
MD
LG