Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur në fshatin Majac të Podujevës më 22 mars.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Ajo tha se menjëherë pas pranimit të informatës për këtë rast, prokurorja kujdestare nga departamenti për krimet e rënda ka dalë në vendngjarje për të ndërmarrë veprime hetimore.
Autoritetet ende nuk kanë njoftuar zyrtarisht për rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe motivin, teksa po kryejnë hetime për zbardhjen e këtij rasti.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, i tha Betimit për Drejtësi se një burrë ka vdekur dy gra janë plagosur, njëra prej tyre e moshës 70-vjeçare.
Sipas Betimit për Drejtësi, media e specializuar në fushën e drejtësisë, e plagosura tjetër është tani e dyshuar për vrasjen. Ajo po ashtu dyshohet se tentoi të kryente vetëvrasje.
Kjo media po ashtu raportoi se besohet që viktima ka qenë i dashuri i të dyshuarës.
Ky është rasti i tretë i dhunës me armë zjarri që përfundon me fatalitet brenda kësaj jave. Një ditë më parë një person u vra në një fshat të Klinës. Ndërkaq, në fillim të javës një person u vra në Gjakovë dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Viteve të fundit janë regjistruar një sërë rastesh të dhunës me armë zjarri në Kosovë, që kanë çuar edhe në vrasje. Mijëra armë zjarri pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Ekspertët argumentojnë se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.