Ndërlidhjet

Maqedoni e Veriut: Deri në orën 13:00 dalja në votime 20.76%


Disa qytetarë votojnë në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut deri në ora 13:00 të drejtën e votës për zgjedhjet lokale e kanë shfrytëzuar 20.76 për qind e votuesve, apo 197.952 votues nga 1.824.864 sa kanë të drejtën e votës.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se për dallim nga orët e para, kur ishin regjistruar probleme teknike me votimin biometrik, tani procesi po zhvillohet kryesisht pa probleme.

Për shkak të pamundësisë për të votuar me sistemin “fingerprint”, votimi në gjashtë komuna nga 80 sa janë gjithsej, po zhvillohet me mënyrën e vjetër ndërsa në 11 komuna ka pasur ndërprerje të votimit për më shumë se një orë. Në këto komuna votimi do të vazhdojë edhe pas orës 19, por jo më shumë se tre orë.

Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi, dhe komunat tjera më të vogla.

Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Social - Demokrate e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ndërsa komuna me shumicës shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet do të mbikëqyren nga 1,100 vëzhguesit vendorë dhe 217 vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE-ODIHR.

XS
SM
MD
LG