Ndërlidhjet

Paqartësi rreth koalicionit mes partive shqiptare opozitare


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni të Veriut janë caktuar të mbahen më 12 prill.

Kanë mbetur edhe dy muaj deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, ndërkohë është ende e paqartë nëse në Maqedoni të Veriut, do të formohet një koalicion i gjerë i partive opozitare, për të garuar kundër partisë shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo që më shumë se 15 vjet, është pjesë e pushtetit.

Aleanca për Shqiptarët, partia që ka iniciuar formimin eventual të një blloku opozitar, pas mbledhjes së kryesisë së partisë të mbajtur më 3 shkurt, ka njoftuar se do t’u dërgojë një ofertë konkrete subjekteve politike me të cilat mund të realizojë një koalicion, por nga kjo parti nuk kanë dhënë më shumë detaje për këtë ofertë.

Ilmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, thotë për Radion Evropa e Lirë, se partia e tij mbetet e interesuar që blloku opozitar, përkatësisht siç thotë ai, partitë që duan ta sjellin ndryshimin e sistemit qeverisës në Maqedoninë e Veriut duke e çuar në opozitë Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Motivi kryesor i yni është që disponimi anti-BDI, që është prezent gati dhjet vjet në Maqedoni të Veriut, ta materializojmë dhe ta shndërrojmë në fitore të partive opozitare, respektivisht të spektrit politik që mendon ndryshe. Nuk do të lejojmë që për shkak të segmentimit të skajshëm të skenës politike, përkatësisht të partive politike të bllokut opozitar, që edhe një herë të triumfojë Bashkimi Demokratik për Integrim”, thotë Aziri.

Por, nga Lëvizja Besa kanë theksuar se është joserioze që oferta për koalicion të përcillet përmes mediave, ndërkohë që për më shumë se një muaj, nuk është realizuar asnjë takim ndërmjet tri partive shqiptare në opozitë, përkatësisht Lëvizjes Besa, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Nga Lëvizja Besa kanë kërkuar që të mos vazhdohet me oferta publike, por partitë të ulen dhe të merren vesh për një koalicion të mundshëm.

“Ne edhe sot ashtu si edhe para një muaji, po, jemi për një koalicion, por të ulemi dhe të bisedojmë për të gjitha detajet e bashkëpunimit, përfshirë këtu edhe ndarjen e listave. Për Lëvizjen Besa, e rëndësishme është arritja e një marrëveshjeje për formimin e një koalicioni fitues, që do të sjellë ndryshimin, oferta e koalicionit të tillë të bazohet në platformë dhe program konkret”, ka deklaruar për mediat, Arianit Hoxha, zyrtar i Lëvizjes Besa.

Përderisa partia Alternativa, që u formua pas shkëputjes nga Lëvizja Besa, preferon që të arrijë koalicion vetëm me Aleancën për Shqiptarët.

Njohësit e çështjeve politike thonë se për ta bërë funksionale votën e elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, do të duhej që tri partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa, të krijonin një koalicion.

Njohësi i çështjeve politike, Shpëtim Pollozhani, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse këto tri parti nuk bashkohen dhe nuk garojnë me listë të përbashkët, sipas tij, kjo do të thotë se këto parti, në zgjedhjet e 12 prillit, humbjen e kanë të garantuar.

“Për momentin, ajo parti e cila ngulë këmbë për mosbashkim, do të thotë se e çon ujin në favor të pushtetit aktual LSDM-BDI. Do të thosha se pak jemi vonuar, qoftë me dinamikën, qoftë me ritmin e publikimit të një marrëveshjeje definitive, pasi kjo amulli dhe kjo gjendje e padefinuar, është shumë e dëmshme dhe nuk bën mobilizimin e elektoratit për ta votuar opozitën, përkatësisht bllokun opozitar”, thotë Pollozhani.

Vendimi për një koalicion të mundshëm ndërmjet tri partive shqiptare, ishte pritur që të merrej në fillim të muajit janar. Por, ky vendim është shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Alternativës dhe Lëvizjes Besa.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka kërkuar që partitë e vogla të bashkohen, me qëllim që të mos ulet numri i deputetëve, por kjo kërkesë, sipas njohësve të çështjeve politike u cilësua si jo e sinqertë.

XS
SM
MD
LG