Ndërlidhjet

Afaristët kërkojnë masa lehtësuese për shkak të rritjes së inflacionit


Një treg në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se gjithnjë e më shumë po e ndjejnë presionin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe të karburanteve, prandaj ata kërkojnë që autoritetet t’u ofrojnë lehtësira tatimore.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në periudhën janar-shtator të këtij viti, çmimet me pakicë janë rritur për 3.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, ndërkaq kostoja e jetesës është rritur për 2.8 për qind, duke paraqitur inflacion në këtë shkallë.

Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut theksojnë se nuk ka vend për panik pasi inflacioni do të rritet, por norma mesatare nuk do ta kalojë shifrën prej 3 për qind.

Megjithatë në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thonë se kompanitë e para që do të goditen nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike, janë ato kompani që bëjnë shpërndarjen e energjisë.

“Natyrisht se goditja e parë do të bie mbi kompanitë e elektro-distribuimit, të cilat në fakt do të duhet t’i zbatojnë kontratat e tyre paraprake që janë bërë me një çmim tjetër dhe tani rrymën të cilën e importojnë, është më e shtrenjtë nga ajo që ishte paraparë në kontratat e realizimit. Kjo ka efekt zinxhiror, pasi atë do ta ndiejnë kompanitë vendore të cilave do t’u rritet kostoja e veprimit dhe si rrjedhojë e kësaj, do të jenë të detyruara të rrisin çmimet e shërbimeve të tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Durim Zeqiri nga kjo Odë.

Ai nënvizon se është e vështirë që të analizohen parametrat e inflacionit gjatë kësaj periudhe, pasi siç thotë Zeqiri, ekonomia e Maqedonisë së Veriut varet nga importi.

Nga Qendra për Efikasitet Energjetik kanë theksuar se Maqedonia e Veriut mund të përballet me rritjen e çmimeve të gazit dhe naftës, që ndodhën në shumë vende të botës, përfshirë edhe ato të rajonit, pasi siç kanë thënë nga kjo Qendër, shteti nuk ka rezerva të gazit e as të naftës.

Në këtë drejtim, Durim Zeqiri thotë se autoritetet maqedonase duhet të veprojnë sa më shpejt që të krijohen lehtësira për kompanitë vendore që të mbijetojnë nga rritja e inflacionit.

“Në këtë drejtim, qeveria duhet të intervenojë me lehtësimin e tatimeve normave të tatimeve për qytetarët dhe kompanitë, në mënyrë që ata të mund të mbulojnë kostot shtesë që vijnë si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të energjisë”, thotë ai.

Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar te karburantet e lëngëta me 24.1 për qind. Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se po monitoron presionin e çmimeve, por tani për tani, nuk planifikohet që të ndërmerren masa për “shtrëngimin” e mundshëm të politikës monetare.

“Në mungesë të presionit nga ana e kërkesës, lëvizjet e moderuara rritëse të inflacionit tani për tani janë për shkak të faktorëve në anën e ofertës. Prandaj, tani për tani nuk ka nevojë për një reagim monetar ndaj këtyre lëvizjeve të çmimeve, por ne do të vazhdojmë t’i monitorojmë nga afër”, ka thënë Banka Popullore.

Njohësit vlerësojnë se problemi më i madh është rritja e çmimit të energjisë elektrike, pasi Maqedonia e Veriut mbetet e varur nga eksport i rrymës.

Bllagica Petreski nga Qendra për Analiza Ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se është koha e fundit që autoritetet të angazhohen seriozisht në investimet në fushën e energjetikës.

“Për një kohë të gjatë nuk kemi asnjë hap korrekt sa i përket rritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo ka koston e vet që vendi mbetet i ndjeshëm ndaj çdo lëvizjeje të çmimit të energjisë pasi varet kryekëput nga importi”, thotë ai.

Ndërkaq, autoritetet qeveritare kanë thënë se po ndjekin me vëmendjen situatën dhe se do të veprojnë në ata sektorë ku do të jetë e nevojshme, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i çmimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG