Ndërlidhjet

Pritjet e qeverisë për rritje ekonomike vlerësohen si joreale


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut beson se vendi ka nisur të rimëkëmbet në aspektin ekonomik, pasi ekonomia mori goditje të rëndë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 mijë persona kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë, por jozyrtarisht ky numër është shumë më i lartë, ndërkohë që mijëra kompani, kryesisht të vogla, kanë mbyllur aktivitetet e tyre për shkak të pamundësisë për t’i mbijetuar krizës ekonomike.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, thotë se këtë vit ekonomia ka nisur të rimëkëmbet, në veçanti në tremujorin e dytë, me një rritje prej 13.1 për qind ndërsa beson se viti do të mbyllet me një rritje prej 4.1 për qind, ashtu siç ishte projektuar nga Ministria e Financave.

“Edhe zyrtarisht mund të themi se kriza tashmë po kalon dhe ekonomia për rimëkëmbet. Kjo konfirmon analizat tona se ekonomia jonë është stabile dhe do të rritet. Në tremujorin e dytë të këtij viti bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, kemi shënuar një rritje ekonomike prej 13.1 për qind të Prodhimit Vendor Bruto. Kjo do të thotë se gjatë gjysmës së këtij viti kemi shënuar një rritje ekonomike prej 5.6 për qind. Këtë vit besojmë se do ta mbyllim me rritje ekonomike prej 4.1 për qind, e ndoshta edhe më shumë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, një forum ekonomik që u mbajt në Shkup.

Raporti i fundit tremujor i Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, vë në pah se treguesit për aktivitetin ekonomik global, janë të favorshëm.

"Treguesit më të fundit makroekonomikë të ekonomisë së brendshme janë përgjithësisht brenda kufirit të pritur. Të dhënat e vlerësuara të Prodhimit Vendor Bruto për tremujorin e parë të vitit 2021 flasin për një rënie prej 1.9 për qind, që paraqet thellim të rënies vjetore, e cila pritej edhe në parashikimin e bërë në prill. Sa i përket inflacionit, norma mesatare vjetore e inflacionit në gjysmën e parë të vitit ishte 2.4 për qind, që edhe pritej duke marrë parasysh rritjen e çmimeve botërore të produkteve primare”, thuhet në njoftimin me shkrim të Bankës Kombëtare.

Marija Potevska, njohëse e çështjeve të ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se parashikimet e qeverisë për rritje ekonomike prej 4.1 për qind dhe një normë inflacioni prej 2.1 për qind, janë joreale dhe të parealizueshme.

“Në kushtet e një pandemie, kur shumë kompani u mbyllën, shumë punëtorë u pushuan nga puna, kur qytetarët po përballen me çmime më të larta të ushqimit dhe prodhimi është i ulët, është pothuajse e pamundur të arrihen parashikimet e autoriteteve në këtë fushë”, thotë Potevska.

"Në kushtet kur kemi pesë mijë kompani të mbyllura, shumë të larguar nga puna, të presim një rritje kaq të lartë, është e pamundur. Ne shohim dyqane të mbyllura përreth nesh, tregtia nuk është në një nivel të lakmueshëm. Maqedonia është një prodhuese e vogël, ne importojmë më shumë sesa eksportojmë, atëherë si mund të presim një rritje kaq të lartë? Nga ana tjetër, inflacioni prej 2 për qind është gjithashtu joreal sepse lehtë mund të shihet se norma është më e lartë dhe kjo diktohet nga faktorët globalë”, shton ajo.

Sipas ekspertëve, shifrat e pretenduara nga drejtuesit e qeverisë, nuk janë gjë tjetër pos marketing parazgjedhor, pasi është vështirë të jepen parashikime të tilla kur gjithçka mbetet e paqartë sa i përket pandemisë së koronavirusit.

Marija Potevska është e bindur se rimëkëmbja e ekonomisë nuk do të ndodhë këtë vit.

"Mund të jetë më mirë, por ndoshta vitin e ardhshëm. Por, tani për tani, kur pandemia është në lëvizje të plotë, dhe numri i të infektuarve dhe të vdekurve po rritet çdo ditë, nuk besoj se ekonomia do të shërohet nga pasojat”, thotë Potevska.

Në raportin e qershorit, Banka Botërore kishte parashikuar një rritje të ekonomisë maqedonase këtë vit prej 3.6 për qind, vitin e ardhshëm rritja parashikohet në 3.5 për qind, dhe në 2023 në 3.4 për qind.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) gjithashtu ngriti parashikimin e rritjes ekonomike të Maqedonisë së Veriut në 4 për qind këtë vit apo 1 për qind më shumë sesa vlerësimi në shtator 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG