Ndërlidhjet

Arrin në 21 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut


Shkup, mars, 2020.
Shkup, mars, 2020.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për tre viktima të reja nga koronavirusi. Dy personat që kanë vdekur janë dy nga Tetova të moshës 65 dhe 69 vjeç dhe një 40-vjeçar nga qyteti i Koçanit.

Viktimat, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, vuanin edhe nga sëmundje tjera kronike. Me viktimat e ditës së hënë numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 21.

Numri i të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit është rritur me 15 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm ka arritur në 570. Më shumë raste të të infektuarve, gjithsej tetë janë regjistruar në Kumanovë, ndërsa në Shkup janë regjistruar katër. Në kryeqytet është numri më i madh i të infektuarve, ndërsa Kumanova mbetet qyteti i dytë me numrin më të madh me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndërkohë ka miratuar masa të reja për parandalimin e përhapjes së virusit. Nga dita e mërkurë, në gjithë territorin e vendit do të aplikohet orë e re policore e cila do të nisë nga ora 16:00 deri në orën 05:00, ndërsa në fundjavë do të ketë ndalesë të tërësishëm të lëvizjes, që do të nisë nga ora 21:00 deri të hënën në orën 05.00.

Të moshuarit mbi moshën 67-vjeçare dhe të rinjtë deri në moshën 18-vjeçare do të ketë liri të lëvizjes vetëm nga dy orë, brenda 24 orëve.

“Virusi nuk njeh kufi, nuk zgjedh se kë do të sulmojë.. dëmet nuk mund të llogariten. Ne, me kohë alarmuam për situatë dhe morëm masat që në fazën e parë arritëm në neutralizojmë sulmin. Qëllimi kryesor është ruajtja e shëndetit të qytetarëve dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Urojmë që të gjithë ata që janë prekur apo që do të preken ta kalojmë sa më lehtë infektimin. Fatkeqësisht ka dhe do të ketë nga ata që do të humbin të afërmit e tyre. Po hyjmë një fazë të rëndë të pandemisë, shpresojmë se këtë gjendje do ta përballojmë me sa më shumë dëme”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski, duke theksuar se masat që janë marrë kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë këto masa ndërsa paralajmëroi se edhe festat fetare të Pashkëve dhe Muajin i Ramazanit, qytetarët do t’i kalojnë nëpër shtëpitë e tyre, pa manifestimet tradicionale.

Qeveria ka paralajmëruar edhe masa tjera ekonomike në ndihmë të kompanive të sektorit privat. Ndihmë prej 1.1 milion dollarë kanë ndarë edhe Shtetet e Bashkura për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Fondet do të shpërndahen përmes USAID dhe UNICEF.

“Gjatë kësaj kohe pasigurie dhe ankthi, puna e përbashkët është më e rëndësishme se kurrë. Jam e sigurt se mbështetja e ofruar në këtë paketë ndihme do të japë një kontribut thelbësor në luftën e Maqedonisë së Veriut kundër COVID-19”, ka theksuar ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Byrnes.

XS
SM
MD
LG