Ndërlidhjet

Familja e zëvendëskryeministrit zotëron bizneset me hidrocentralet e vogla


Koço Angjushev, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike në Maqedoninë e Veriut zotëron biznese të hidrocentraleve.

Zyrtarë të lartë të qeverisë dhe opozitës janë figurat kryesore në Maqedoninë e Veriut të cilët menaxhojnë me biznesin e energjetikës në vend, përkatësisht hidrocentraleve të vogla.

Sipas të dhënave nga Regjistri i Komisionit Rregullator për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e vogla, si dhe nga të dhënat e Regjistrit Qendror, del në pah se një e treta e biznesit të hidrocentraleve nga gjithsej 75 sa funksionojnë në vend janë në pronësi të familjes së zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Të dhënat nga dokumentacioni i Regjistrit Qendror në Maqedoninë e Veriut tregojnë se 27 hidrocentrale të vogla kanë ndërlidhje direkte ose indirekte me zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Koço Agjushev.

Edhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, duke investuar kapital prej 700 mijë euro, në vitin 2014 është bërë pjesë e kompanisë e cila ka në pronësi 3 hidrocentrale të vogla në Maqedoninë e Veriut.

Organizatat joqeveritare thonë se kemi të bëjmë me rast eklatant të konfliktit të interesave sepse vetë kryeministri Koço Angjushev është pjesë e hartimit të politikave për energjetikë, ndërkohë që në këtë biznes pjesën më të madhe e menaxhon familja e tij.

“Në pjesën që ka të bëjë me konfliktin e interesave, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe kabineti i tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të përfshirë në përpilimin e rregullativës ligjore për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme".

"Për momentin, legjislacioni është shtrirë në atë mënyrë që i favorizon hidrocentralet e vogla sepse hidrocentralet e vogla kanë çmime të sigurta blerëse të energjisë elektrike ndërsa energjia diellore dhe ajo e erës, duhet të garojnë nëpër tenderë, ku duhet të ofrojnë çmime më të lira për të fituar subvencion për energjinë e prodhuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Davor Pehçevski nga organizata joqeveritare “Ekosvest”.

Ndërkohë, Komisioni për Anti-korrupsion është duke shqyrtuar lëndën që ka të bëjë me procedurat rreth marrjes me qira të tokës ndërtimore shtetërore nga kompania “Topolki” për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla , kompani kjo që është në pronësi të vëllait të zëvendëskryeministrit Koço Angjushev dhe lënda e dytë ka të bëjë me konfliktin e interesave.

Nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit bëjnë të ditur se shqyrtimi i lëndës është ne procedurë dhe se nevojitet kohë për të marrë vendim ngase siç kanë sqaruar, presin informacione nga 12 institucione të ndryshme përkatëse.

Zyrtarët e Komisionit Anti-korrupsion theksojnë se kjo lëndë mbetet e hapur pa marrë parasysh që prona i është dhënë me qira vëllait të Koço Angjushevit, Todor Angjushevit.

Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare “Transparency International” thotë se nuk është kontestuese nëse një biznesmen futet në politikë, por kontestuese është nëse ai përmes influencës politike arrin të shtrijë në mënyrë të paligjshme biznesin e tij duke përfituar favore të shumta.

Taseva thotë se pavarësisht supozimeve se familja Angjushev ka qenë lider në biznesin me hidrocentralet edhe para futjes në Qeveri, organet përkatëse duhet të shqyrtojnë se sa kanë përfituar përmes politikës kompanitë që menaxhohen nga anëtarët e kësaj familje.

“Sa funksioni që bart në qeveri ka ndihmuar në rritjen e vëllimit të punës, si zhvillohet biznesi, puna nëse është ose jo e njëjtë, dhe nëse shfrytëzojnë privilegje të caktuara ndryshe nga kompanitë e tjera të të njejtit biznes, këto çështje duhet të shqyrtohen", thotë Taseva.

Por, nga Qeveria e Maqedonisë janë arsyetuar se në asnjë mënyrë nuk janë shkelur procedurat gjatë vendimit për dhënien me qira të tokës në pronësi të shtetit, ndaj ndërmarrjes “Topolki”, e cila menaxhohet nga Todor Angjushev, vëllai i zv/kryeministrit Koço Angjushev, duke sqaruar se e gjithë procedura është e ligjshme.

Komisioni Anti-korrupsion, njëherësh është duke shqyrtuar dhe lëndën e iniciuar nga Social-demokratët e kryeministrit Zoran Zaev, ku duhet të vendoset nëse ka pasur konflikt interesash gjatë ndarjes së koncesionit për kompaninë në të cilën bashkëpronar është lideri i opozitës Hristian Mickoski.

XS
SM
MD
LG