Ndërlidhjet

Politika ngufat zhvillimin ekonomik të Maqedonisë


Shkupi (Foto nga arkivi)

Sektori i biznesit i ka paralajmëruar në vazhdimësi autoritetet qeveritare se ekonomia e Maqedonisë ka marrë tatëpjetën si pasojë e politikave të gabuara, duke mos pasur lëvizje të rëndësishme strukturore në asnjë sektor të ekonomisë, thonë afaristët.

Këto reagime vijnë pasi të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave kanë nxjerrë në pah se Maqedonia në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar vetëm 0.1 për qind rritje të Bruto Prodhimit Vendor (BPV-së).

Po sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, rritja e BPV-së është e dukshme në sektorin e bujqësisë, atë të industrisë, si dhe shërbimeve, por kjo nuk arrin në asnjë mënyrë të kompensojë rënien drastike që ka shënuar sektori i ndërtimtarisë, që është mbi 37 për qind.

Menderes Kuçi, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore për Radion Evropa e Lirë thotë se afaristët i vuajnë pasojat e mosstabilitetit politik, por mbi të gjitha, siç thotë ai, “plagë kancerogjene” paraqet mungesa e sundimit të drejtësisë.

“Pasiguria, përkatësisht lëkundjet e shpeshta në Maqedoni, mosstabiliteti politik ka ndikuar negativisht në zhvillimin e ekonomisë. Po kjo në veshin e politikanëve gjithmonë është përkthyer ndryshe: le të ndryshojë përbërja qeveritare dhe ne do të veprojmë ndryshe".

"Por, me të hyrë në Qeveri justifikohen me atë se kriza politike i ka fajet. Një orë e më parë nevojitet stabiliteti politik duke u përqendruar në krijimin e kushteve për funksionimin e shtetit ligjor, që do të dënojë të gjithë aktorët që çuan deri te ky destabilizim”, vlerëson Kuçi.

Duke komentuar rezultat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, ka theksuar se alarmues është fakti se Maqedonia është radhitur e fundit në Evropë për nga rritja e Bruto Produktit Vendor.

“Enti Shtetëror i Statistikave vërtetoi edhe një herë politikën e gabuar ekonomike të LSDM-së. Sipas të dhënave zyrtare, BPV-ja në katërmujorin e parë të vitit 2018, ka shënuar rritje minimale prej 0.1 për qind, ndërsa rënie ka shënuar sektori i ndërtimtarisë, informimit dhe komunikimit. Andaj, gjithë këtë mund ta përmbyllim, se ju nuk jetoni më mirë, qytetarët vuajnë nga politikat tuaja ekonomike dhe prandaj kjo gjendje duhet të ndryshohet dhe qytetarët duhet të jetojnë më mirë”, ka thënë lideri i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, Hristia Mickovski.

Por, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ka paralajmëruar se të gjitha të dhënat do të analizohen dhe se deri në fund të vitit është zotuar se do të realizohet rritja e paraparë e BPV-së me projeksion prej 3.2 për qind deri në fund të vitit.

“Kemi ngritje në bujqësi, në prodhimtarinë industriale, në tregti dhe sektorin e shërbimeve, ndërsa rënie kemi vetëm në sektorin e ndërtimtarisë së ulët në mbi 30 për qind dhe ky sektor ul dhe BPV-në, por me masat e reja dhe vënien në funksion të projekteve dhe me realizimin e atyre projekteve, besoj që BPV-ja deri në fund të vitit do t’i arrijë shifrat e parapara”, ka theksuar Angjushev.

Lidhja e Odave Ekonomike në Maqedoni si dhe përfaqësues biznesesh kërkojnë që Qeveria të jetë më aktive në realizimin projekteve të planifikuara infrastrukturore.

Përfaqësues të bizneseve thonë se për faktin që Maqedonia, nga janari deri në fund të prillit të vitit 2018, ka arritur të realizojë vetëm 11 për qind nga investimet e planifikuara kapitale, tregon për mungesën e kapaciteteve në institucionet përkatëse.

Akademik Taki Fiti, ish-ministër i Financave vlerëson se duhet investuar më shumë në profesionalizimin e administratës që të jetë e aftë të përgatisë “studime fizibiliteti” për nisjen e projekteve kapitale.

“Nuk është mjaftueshëm e aftësuar administrata për menaxhimin e investimeve kapitale. Pra, janë të nevojshme studime fizibiliteti të hartuara në mënyrë profesionale, gjithashtu nevojitet që paraprakisht të parashikohen të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në prolongimin e realizimit të projekteve, që drejtpërdrejt rrit koston e realizmit ë tyre”, ka vlerësuar ai.

Ndryshe, nga janari deri në pill të vitit 2018 janë shpenzuar vetëm 43 milionë euro për investime kapitale nga 393, të cilat ishin parashikuar për këtë vit, respektivisht 11% nga mjetet e planifikuara, që është realizimi më i vogël i mjeteve buxhetore për investime gjatë 10 viteve të fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG