Ndërlidhjet

Maqedoni: Gjykatat pengojnë konfiskimin e pronave të paligjshme


Ilustrim

Gjykatat e Maqedonisë duhet t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë Speciale për aplikimin e masës për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, në të kundërtën qytetarët do të vazhdojnë të mos u besojnë institucioneve shtetërore, theksojnë ekspertët, duke theksuar nevojën e depolitizimit të sistemit gjyqësor.

Ndërkohë që Qeveria, në bazë të propozimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka miratuar informacionin për nevojën nga përpunimi i strategjisë së Republikës së Maqedonisë, për forcimin e kapaciteteve për udhëheqje të hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës së siguruar në mënyrë të paligjshme.

Ndryshe, deri më tani prona i është konfiskuar vetëm një politikani, përkatësisht Lube Boshkoskit, drejtues i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, i cili njëherësh është edhe ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Gjykatat në Maqedoni, masën për konfiskimin e pronës, kryesisht e kanë shqiptuar gjatë procesi të tranzicionit, kur prona shtetërore kalonte në duart e sektorit privat.

Së fundmi, Prokuroria Speciale Publike, e cila ka ngritur dhjetëra padi ndaj ish-zyrtarëve të lartë të shtetit për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka kërkuar ngrirjen dhe konfiskimin e pronës në shumë raste, por gjykatat i janë përgjigju pozitivisht kësaj kërkese vetëm në një rast, përkatësisht me kompaninë “Transmet”, të drejtuar nga Sead Kocan për të cilin rast ka ngritur padi Specialja.

Njohësit e çështjeve juridike, problemin e fokusojnë tek gjykatat, të cilat, siç thonë ata, veprat e ngritura për krime të rënda ndaj politikanëve i kanë shikuar përmes gishtërinjve.

Përderisa, numri i rasteve të konfiskimit të pronës për personat fizikë dhe juridikë, kundrejt rasteve të iniciuara sa i përket sigurimit të pronës në mënyrë të paligjshme, është i papërfillshëm, nuk mund të flitet për kthimin e pronës së vjedhur në duart e qytetarëve, thonë ekspertët.

Nuk mund të krijohen politika reale të Qeverisë, përderisa nuk çlirohet tërësisht sistemi gjyqësor, përkatësisht gjykatat të mund të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat juridikë, që qytetarëve tu kthehet prona e përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ana e personave të caktuar, të cilët kanë drejtuar institucionet dhe të cilët nuk kanë pasur për synim interesat e qytetarëve, por interesat e ngushta personale ose partiake”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve juridike.

Ndërkaq, Besa Kadriu nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se Maqedonia ka ligje të mira për të kontrolluar rrjedhën e parave, por sipas saj, problemi qëndron në moszbatimin e ligjeve.

Nëse ne duam ta rikthejmë me të vërtetë besimin e qytetarëve në funksionimin e drejtësisë, atëherë shteti duhet të veprojë përmes institucioneve, të ndërmarrë masa në një situatë kur ka keqpërdorime të pronës shtetërore. Në këtë mënyrë qytetarët do të mund më lehtë ta kuptojnë se çka do të thotë mbrojtje e interesit publik përmes formës institucionale ose përmes mekanizmave shtetëror”, thotë Kadriu.

Ndërkohë, Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva është shprehur e bindur se asnjë person, i cili ka dëmtuar buxhetin e shtetit nuk mund të ikë nga konfiskimi i pronës që e ka përfituar në mënyrë kriminale.

Ekspertët druajnë se një pjesë e madhe e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme është nxjerrë jashtë shtetit, gjë që do ta vështirësojë procesin e kthimit të pronës në duart e qytetarëve nga keqbërësit.

XS
SM
MD
LG