Ndërlidhjet

Maqedoni: Përjashtohet mundësia e ngritjes së kampeve për migrantët


Migrantët kalojnë kufirin nga Greqia për në Maqedoni në afërsi të fshatit grek, Idomeni. Gusht, 2016.

Në Maqedoni, në dy qendrat transitore për strehimin e migrantëve, atë në Gjevgjeli përgjatë kufirit me Greqinë dhe Tabanovc përgjatë kufirit me Serbinë, qëndrojnë vetëm 30 migrantë, kryesisht nga Siria dhe Iraku.

Organizatat që në fokus kanë ndihmën e migrantëve thonë se në terren kanë vërejtur lëvizje të ndjeshme të migrantëve, por numri atyre që përdorin Maqedoninë si shtet për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian, mbetet shumë i vogël.

“Në terren ka lëvizje të migrantëve, por nuk është ndonjë numë i madh që mund të paraqesë shqetësim se rritet numri i migantëve në Maqedoni. Pas mbylljes së Rrugës Ballkanike, migrantët për të arritur në vendet e BE-së zgjedhin vendet fqinje, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sedat Rushiti nga organizata humanitare NUN.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski gjatë kësaj jave është shprehur se Maqedonia e ka bërë të qartë se në territorin e saj ka vetëm qendra transitore, ku mund të strehohen për një afat të shkurtër kohor migrantët të cilët mund të kalojnë nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë, siç ishte gjatë periudhës së kaluar.

“Nuk shohim arsye ai qëndrim të ndryshojë, absolutisht se ne mund të bashkëpunojmë, bashkërisht të mbrohemi nga vala e mundshme e emigrantëve. Megjithatë, Maqedonia nuk mund të jetë vend ku do të kemi kampe të përbashkëta dhe këtu të qëndrojnë për një afat më të gjatë”, ka thënë Spasovski.

Këto reagime vijnë pasi Austria dhe Danimarka kanë hedhur idenë për hapjen e kampeve të refugjatëve, kërkesë kjo që paraprakisht është hedhur poshtë nga vendet e Bashkimit Evropian. Këto dy shtete kanë kërkuar që migrantët të transferohen në Evropë, por në shtetet që nuk janë në BE, duke mos precizuar se në cilat shtete.

Organizatat joqeveritare, të cilat fokus kanë ndihmën e migrantëve thonë se shtetet e Ballkanit Perëndimor shihen si vende ku mund të ngritën të ashtuquajturat kampe “në Evropë, por jashtë Bashkimit Evropian”.

Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveritare LEGIS, e cila vepron në terren për të ndihmuar migrantët, për Radion Evropa e Lirë thotë se është më se e qartë se qëllimi i migantëve nuk janë vendet e Ballkanit Perëndimor, aq më pak Maqedonia.

“Edhe sikur të ndërtohen kapacitete për strehimin e migrantëve ato do të mbeten të zbrazëta, sepse gjatë komunikimit që kemi ne si organizatë me migrantët mësojmë se migantët të cilët largohen nga vendet e prekura nga lufta, siç është Siria Iraku apo Afganistani, madje dhe shtetet e Afrikës Veriore, në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë të mbeten në Maqedoni. Si synim kanë vendet e BE-së”, thotë Rexhepi, duke shtuar se nëse insistohet që migrantët të ndalohen në Maqedoni, ashtu siç synon Austria dhe Danimarka, kjo do të jetë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Madje për këtë gjë, Evropa është shumë e vetëdijshme”, thotë tutje Rexhepi.

Edhe në raportin e fundit ë Komitetit të Helsinkit theksohet se ka lëvizje të migrantëve në territorin e Maqedonisë, megjithëse numri i migantëve të strehuar në qendrat transitore mbete i pandryshuar, sepse migrantët nuk dëshirojnë që të qëndrojnë në Maqedoni.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), nga 1 janari deri më 20 mars të këtij viti, përmes territorit të Maqedonisë, nga Greqia për në Serbi dhe anasjelltas kanë kaluar 263 migrantë.

XS
SM
MD
LG