Ndërlidhjet

Maqedonia e V. dëshiron kornizën negociuese me BE-në, pa kërkesat bullgare


Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai bullgar, Boyko Borisov. Foto nga arkivi.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synimi kryesor dhe strategjik i Maqedonisë së Veriut, pavarësisht vetos bullgare për bllokimin e kornizës negociuese me BE-në. Kështu kanë deklaruar drejtuesit e institucioneve në Shkup, duke komentuar qëndrimin e palëkundur të palës bullgare se edhe në takimet e kësaj jave të drejtuesve të lartë të BE-së, nuk do të lëshojë pe sa i përket Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Bullgaria ka mbetur e vetmuar në pozicionin e saj, por kjo pengesë, sipas tij, nuk duhet të dekurajojë vendin në vazhdimin e agjendës evropiane.

“Njëzetegjashtë vende tjera anëtare po bëjnë thirrje që të kapërcehet kjo pengesë dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt BE-së, meqë vërtetë vendimi i marsit i vitit 2020 ka qenë i pakushtëzuar sa i përket fillimit të bisedimeve. Maqedonia e Veriut ka kryer të gjitha detyrat që janë kërkuar nga BE-ja dhe nëse ka pasur ndonjë dosje të pastër, e cila ka merituar fillimin e bisedimeve, ajo ka qenë Maqedonia e Veriut. Por, kjo tani nuk duhet të na fut neve në ndonjë situatë dëshpërim, meqë rrugëtimi evropian, në parim është rrugëtim i ngarkuar me shumë pengesa. Kemi pasur pengesa dhe do të kemi pengesa”, ka deklaruar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Ai beson se do të arrihet zgjidhje mes dy vendeve, por pa sqaruar nëse pala maqedonase do të pranojë kërkesat e palës bullgare, që lidhen me identitetin dhe gjuhën.

Bullgaria ka thënë se nuk konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas, por kërkon që Shkupi të pranojë se ato kanë rrënjë bullgare.

Megjithatë, zyrtarë tjerë maqedonas, kanë mohuar në mënyrë kategorike që për çështjen e identitetit do të bisedohet me palën bullgare.

“Gjuha maqedonase është në zemrën e sovranitetit tonë. Kjo është punë e jona. Deklarimi ynë si popull maqedonas, është punë e jona. Për një çështje të tillë mendoj se më së paku që duhej të bënte BE-ja, është që thirrjen për kapërcimin e dallimeve duhej t’ia dërgonte dy vendeve, pra edhe shtetit anëtar të BE-së”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov.

Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që edhe BE-ja të angazhohet që edhe anëtarët e saj të respektojnë dallimet gjuhësore e kulturore të popujve të Evropës.

“Ne, absolutisht se jemi të interesuar për Bashkimin Evropian, pra nuk heqim dorë nga agjenda për evropianizimin e rajonit dhe asnjëherë nuk do të ngremë duart. Megjithatë edhe vet Bashkimi Evropian, duhet të respektojë shumëllojshmërinë gjuhësore, kulturore të të gjithë popujve të Evropës. Ne tani po festojmë 20-vjetorin e deklaratës së BE-së për të drejtat fundamentale. Besoj se BE-ja do të gjejë forca, që të bindë të gjitha shtetet anëtare që të jenë në vijë me këto vlera”, ka deklaruar Dimitrov.

Sinjalet mbi arritjen e një zgjidhje të mundshme me palën bullgare, ishin paraqitur pas deklaratës së kryeministri maqedonas Zoran Zaev, një intervistë për mediat bullgare, kur kishte mohuar ekzistimin e fashizmit bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa kishte folur edhe për afërsinë gjuhësore mes dy popujve.

Por, kjo deklaratë e Zaevit kishte nxitur reagime të shumta e deri në protesta nga ana e opozitës në Maqedoni të Veriut, pas çka kreu i qeverisë, Zaev tha se për çështjen e identitetit asnjëherë nuk do të ketë negociata.

Vetoja bullgare është kritikuar edhe nga zyrtarë të lartë evropianë. Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, e ka quajtur si “gabim serioz politik” dështimin që të miratohet korniza negociuese për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe, me disa kushte, edhe me Shqipërinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG