Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut në pritje të datës së bisedimeve me BE-në


Qytetarët kalojnë pranë ndërtesës së Ministrisë së Integrimit Evropian. Shkup, tetor, 2019.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, ka deklaruar ambasadori i Italisë në Shkup, Carlo Romeo. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori italian thotë se qëndrimi i vendit që përfaqëson është se paralelisht me metodologjinë apo reformat brenda BE-së, të zhvillohet edhe procesi i çeljes së negociatave me këto dy vende.

Ai thotë se Italia është për një proces më efikas dhe dinamik të zgjerimit dhe jo për ndërlikimin e procedurave.

“Politika e zgjerimit edhe më tej është fundamentale për Bashkimin Evropian. BE-ja duhet të jetë më e përgatitur për zgjerime të reja. Konsiderojmë se metodologjia e re duhet të realizohet paralelisht me reformat brenda unionit, pra, mund të zhvillohet paralelisht me procesin e hapjes së bisedimeve, që sipas natyrës, është një proces i gjatë që bazohet në sistemin meritor të çdo shteti potencial për anëtarësim në BE. Ne, nuk jemi për komplikimin e procesit, por te kemi një proces më dinamik më efektiv. Nuk duam që debate për mekanizmin e ri të shndërrohet në kusht të ri që do të çonte në shtyrjen e sërishme të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, ka deklaruar ambasadori italian, Carlo Romeo.

Ambasadori italian la thënë se pritjet e tij janë që data e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën të jepen në mbledhjen e Këshillit Evropian në mars.

“Pozicioni i Italisë është shumë i qartë dhe transparent. Ne shpresojmë se Maqedonia e Veriut shumë shpejt do t’i nisë bisedimet me BE-në. Besojmë se kjo do të ndodhë në samitin e ardhshëm të Këshillit të BE-së, në mars. Në samitin e majit në Zagreb mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, nuk do të ketë vendim për hapjen e negociatave pasi ky samit nuk do të mbahet për këtë çështje. Pra, ne shpresojmë se kjo do të ndodhë në mbledhjen e këshillit në mars. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur të gjitha kriteret për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Kjo duhej të ndodhte në tetor të vitit të kaluar, por fatkeqësisht të gjithë ishim të dëshpëruar që kjo nuk u bë”, ka deklaruar ambasadori italian, duke bërë të ditur se javën që vjen pritet të publikohet edhe metodologjia e re për zgjerimin e BE-së.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut janë optimistë për një vendim pozitiv, por tani janë të përmbajtur nga parashikimet, në veçanti pas samitit të tetorit të vitit të kaluar kur Maqedonisë së Veriut, siç thonë padrejtësisht nuk iu dha data e nisjes së bisedimeve.

“Pas asaj që ndodhur në tetor, unë tash nuk bëj premtime, ato ia lë Bashkimit Evropian pasi përgjegjësia është e tyre. Ne premtojmë se do të vazhdojmë të punojnë për samitin e Këshillit Evropian më 26 mars. Do të ketë një raport të jashtëzakonshëm në shkurt, i ndryshëm nga ai i rregullti që është në prill dhe ky raport do të merret si bazë për ndonjë vendim në mars”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Partitë politike ndërkohë kanë qëndrime të ndryshme mbi pritjet e tyre nga zhvillimet në mars dhe në maj. Ish-kryeministri Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate që është në qeveri, thotë se kësaj radhe vendimi do të jetë pozitiv.

“Një orë e më parë presim datën për fillimin e bisedimeve. Në samitin e Bashkimit Evropian, të Këshillit Evropian u tha se kjo do të ndodhë në muajin maj, në samitin e Zagrebit. Unë besoj në vendim pozitiv, pra çelja e negociatave duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Zaev.

Por, nga opozita maqedonase janë pesimiste për ndonjë vendim pozitiv, për shkak të siç thonë, ngecjes së proceseve, në veçanti në gjyqësor për shkak të shumë aferave në të cilat, sipas saj janë të përfshirë zyrtarë të lartë.

“Për fat të keq Maqedonia nuk do të marrë datën, nuk do të marrë vendim pozitiv nga ana e institucioneve evropiane deri sa të mos ketë një kthesë pozitive serioze në politikën e qeverisjes aktuale”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Maqedonia e Veriut, statusin e shtetit kandidat e ka marrë që në vitin 2005, por nisja e bisedimeve të anëtarësimit ishte kushtëzuar me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Pas mbylljes së këtij problemi në qershor të vitit 2018, dhe vlerësimeve pozitive se janë përmbushur edhe kriteret tjera, vendi është në pritje të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

XS
SM
MD
LG