Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize


Maqedonia e Veriut përballet me zjarre
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Maqedonia e Veriut përballet me zjarre

Një grua 59-vjeçare nga fshati Çellopek në Komunën e Staro Nagoriçanës, ka humbur jetën për shkak të zjarreve. Autoritetet bën të ditur se viktima e identifikuar si Stojanka, pasi flakët kapluan shtëpinë e saj, nga paniku ishte mbyllur në një dhomë të shtëpisë.

“Në mesin e flakëve unë arrita të dalë, kurse Stojanka u fut në shtëpi. Pas kësaj më nuk e pash. Për disa minuta e gjithë shtëpia u dogj nga zjarri që erdhi nga lëndina afër shtëpisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Boris Dimovski, që ka bashkëjetuar me Stojankën.

Edhe fqinja e saj tregon se me Stojankën është parë teksa ka nisur të shpëtojë kafshët shtëpiake dhe pas hyrjes në shtëpi nuk ka dëgjuar asgjë më nga ajo.

“Hyri në shtëpi dhe më nuk e pash edhe pse në një moment synoi të shkojë kah ahuri për të shpëtuar kafshët. Për pak minuta shtëpinë e mori flaka, e cila filloi të rrënohej shpejt, pasi ishte shumë e vjetër” thotë Bllagica Jakimovska fqinje e viktimës.

Shtëpi e djegur në Staro Nagoriçane. 5 gusht 2021.
Shtëpi e djegur në Staro Nagoriçane. 5 gusht 2021.

Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar aksionin, por edhe pas rrënimit të shtëpisë dhe dy objekteve ndihmëse, nuk kanë arritur që të gjejnë trupin e 59-vjeçares.

Komuna e Staro Nagoriçanës gjendet në kufi me Bullgarinë dhe Serbinë. Kryetarja e kësaj komune, Zhaklina Jovanovka tha se do të punohet derisa të gjendet trupi i Stojankës.

Në pasditen e së enjtes janë aktivizuar dhjetëra vatra të reja të zjarrit në rajonin e Shkupit, të Komunovës dhe në vendbanime të tjera.

Gjendja më kritike paraqitet në rajonin e Dellçevës dhe Pehçevës ku flakët e zjarrit përhapen shumë shpejt për shkak të erës së fuqishme, që u paraqit në orët e pasdites.

Një pjesë e banorëve të këtyre zonave kanë lëshuar vendbanimet e tyre pasi zjarri afrohet drejt shtëpive të tyre.

Gjendje e krizës

Ndërkaq, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë vendin për 30 ditë, për shkak të gjendjes alarmante të shkaktuar nga zjarret që kanë kapluar vendin gjatë ditëve të fundit, një pjesë e të cilave ende janë aktive.

“Vendimi u miratua në bazë të nevojës së shfrytëzimit racional të burimeve nacionale dhe veprimit koordinues të të gjitha institucioneve të interesuara, për shkak të paraqitjes së madhe të zjarreve dhe parandalimit të përhapjes së tyre”, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Hoxha.

Në luftë me zjarret
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Në bazë të të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza në Maqedoninë e Veriut, mbi dhjetë zjarre janë aktive.

Ekipet zjarrfikëse janë angazhuar dhe në hapësirat pyjore në rajonin e Berovës, Koçanit dhe Vallandovës.

Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se në shuarjen e zjarreve, krahas Qendrës për Menaxhim me Kriza, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, janë angazhuar të gjitha kapacitetet me të cilat disponon pushteti vendor, Armata maqedonase, policia dhe qytetarët që janë paraqitur si vullnetarë për të ndihmuar.

Zjarrfikësit nga rajoni ndihmojnë Maqedoninë e Veriut

Për të vënë në kontroll situatën me zjarret, që ende mbeten aktive, nga nata e së mërkurës, në ndihmë kanë arritur dhe ekipet zjarrfikëse nga Serbia dhe Bullgaria, përderisa gjatë ditës së enjte duhet të arrijnë dhe ekipet zjarrfikëse nga Sllovenia.

Ekipet e zjarrfikësve nga Sllovenia, në pikëkalimin kufitar në Tabanovc.
Ekipet e zjarrfikësve nga Sllovenia, në pikëkalimin kufitar në Tabanovc.

Ndihmë për shuarjen e zjarreve është paralajmëruar edhe nga Greqia.

Tre avionët për shuarjen e zjarreve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim mbeten jashtë përdorimit, për shkak se ata nuk kanë kryer kontrollet teknike si rrjedhojë e problemeve rreth tenderimit dhe mungesës së fondeve për këtë çështje.

Nga ndërmarrja publike “Pyjet Kombëtare”, thonë se nuk po arrijnë t’i përgjigjen sfidës së zjarreve për shkak të kapaciteteve të limituara, pasi ky institucion aktualisht disponon vetëm me një cisternë për fikjen e zjarreve dhe 18 automjete më të vogla, të cilat kanë pompa uji.

Nga kjo ndërmarrje thonë se kanë mungesë të theksuar edhe të burimeve njerëzore për angazhim në terren.

“Të gjitha ekipet tona dolën menjëherë në terren dhe kanë reaguar në kuadër të mundësive teknike të cilat i posedojmë. Por, pasi zjarret janë në lokacione më të mëdha, i njoftuam edhe institucionet e tjera për ndihmë. Me këtë rast dua të theksoj se na mungojnë rojet e pyjeve, realisht kemi nevojë për një numër më të madh të rojeve. Problematike mbetet ajo se ky sektor gjithnjë e më pak mbetet i popullarizuar dhe shumë pak ka të interesuar. E them këtë pasi për të reaguar shpejt dhe me sukses, faktori njeri është shumë i rëndësishëm, gjithashtu dhe automjetet adekuate”, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e ndërmarrjes “Pyjet Kombëtare”, Juliana Nikollova.

Reforma në sistemin e menaxhimit të krizave

Pavle Trajanov, ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe koordinator i më shumë shtabeve të krizës, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi me zjarret po nxjerrë në sipërfaqe nevojën e reformave urgjente në gjithë sistemin e menaxhimit të krizave.

“Me dhjetëra vjet nuk është reformuar sistemi i menaxhimit të krizave. Mungon bashkëdyzimi i shumë institucioneve për të vepruar si tërësi në rrethana të krizës, ndërkohë që më shumë institucione veprojnë pa pasur koordinim të ndërsjellë, kështu që krijohet kaos në sigurimin e resurseve adekuate që duhet të jenë në funksion gjatë menaxhimit të krizave”, thotë Trajanov.

Zjarrvënia, vepër penale

Ndërkohë nga policia kanë rikujtuar se “nxitja e zjarreve me qëllim apo pa vetëdije, llogaritet vepër penale, që krahas gjobave, parashihet edhe burg prej tetë vjetësh varësisht nga lloji i zjarrit, rrethanat tjera dhe pasojat që ka shkaktuar zjarri”.

Bajram Saqipi nga fshati Çajlanë në rrethinën e Shkupit, tregoi për Radion Evropa e Lirë se askush nuk di të thotë me saktësi se si ka shpërthyer zjarri mbi fshatin e tij, që ka kapluar edhe objektet ku ruhet ushqimi i kafshëve.

“Nga i nxehti... nuk e di saktë ta them sesi shpërtheu zjarri, nga i nxehti, tani bari është tharë. Nuk e di, ndoshta nga hedhja e ndonjë cigareje apo nga xhamat (copat e qelqit) sepse thonë se mund të shkaktojnë zjarr sepse ka shtëpi të vjetra, ku nuk jeton askush”, thotë Saqipi.

Ai shton se falë reagimit të shpejtë të banorëve të fshatit është pamundësuar që zjarri të përhapet edhe nëpër shtëpi.

“Të them të drejtën, arritëm të fikim shpejt zjarrin sepse shtëpia e vëllait dhe fshatarëve përreth sa nuk u kapluan nga zjarri dhe do të kishte dëme të mëdha”, tregon ai.

Ndërkaq, Hamdi Sulejmani nga Tetova, i cili është vullnetar në ekipin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në rajonin e Pollogut, ku përfshihen Tetova e Gostivari, tregon për REL se në mungesë të pastrimit të hapësirave për kullota, fshatarët ndezin zjarre në male, për të pastruan terrenet nga shkurret.

Sulejmani thotë se nga përvoja ka mësuar se janë dy faktorë që shkaktojnë shpërthimin e zjarreve, mungesa e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rreziqet që sjellin zjarret, por mbi të gjitha, sipas tij, është mosveprimi i institucioneve.

“Para dy vjetësh, teksa hulumtonim shkaqet që erdhën deri te shpërthimi i një zjarri zjarreve, mësuan se zjarri ishte vënë nga një çoban i cili kulloste bagëtitë në malet e Sharrit. Ai ishte detyruar ta bënte një gjë të tillë pasi institucionet përkatëse nuk dalin që ta pastrojnë terrenin që shfrytëzohet për kullota dhe nga neglizhenca institucionale, (banorët) detyrohen që vetë t’i pastrojnë terrenet nga shkurret”, thotë Suljemani.

Autoritetet bëjnë të ditur se në zonën pyjore të Koçanit, të gjitha vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll. Zjarri kishte kapluar edhe disa shtëpi në këtë qytet dhe autoritetet lokale kanë dalë në terren për t’i vlerësuar dëmet, në mënyrë që të mund të subvencionojnë qytetarët e dëmtuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG