Ndërlidhjet

Në Maqedoninë e V. lokalizohet pjesa më e madhe e zjarreve


Zjarret gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës në Maqedoninë e Veriut.
Zjarret gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës në Maqedoninë e Veriut.

“Mbi 50 hektarë hapësira të përfshira nga zjarri gjatë ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut tashmë janë vënë nën kontroll”, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti.

Ai shton se për momentin këto vatra zjarri në pjesë të ndryshme të vendit, ndonëse janë aktive, nuk paraqesin rrezik për qytetarët.

“Diku rreth 50 hektarë hapësira janë kapluar nga zjarri dhe po përpiqemi që këto shifra të mos rriten gjatë orëve në vijim”, thotë Maksuti.

Maksuti thotë se situata më kritike paraqitet në Koçani, pavarësisht se gjatë natës, 500 zjarrfikës, pjesëtarë të Armatës dhe banorë lokalë, kanë arritur që ta lokalizojnë zjarrin në këtë zonë.

“Brenda pesë ditëve, nga tri anë të ndryshme, rrethina e Koçanit është përfshirë nga zjarri, gjë që ka bërë që gjendja të jetë mjaft serioze, por që realisht ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të lokalizuar zjarret në terren. Mbrëmë është bërë një punë goxha e madhe. Është arritur që të vendosen nën kontroll disa zjarre që ishin më problematike në Koçani, në Novaci në afërsi të Manastir si dhe në zjarret në Komunën e Makedonski Brodit. Mbetet që të vihet nën kontroll edhe zjarri në Gorno Nagoricani, që ka një terren më të vështirë për qasje”, thotë Maksuti.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u ka bërë thirrje qytetarëve që të informojnë autoritetet nëse hasin në vatra të zjarrit.

Një problem që po paraqitet në shuarjen e zjarreve përmes avionëve është se avionët për shuarjen e zjarreve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë jashtë funksionit, pasi nuk i janë nënshtruar servisimit.

Kreu i kësaj drejtorie, Bekim Maksuti thotë se për këtë gjë do të kërkojnë më vonë përgjegjësi, pasi tani janë të fokusuar, që me kapacitetet që kanë, të shuajnë vatrat e zjarreve.

Ai po ashtu tregon se Maqedonia e Veriut, për shkak të situatës me zjarret, ka kërkuar ndihmë edhe nga vendet e rajonit.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim posedon tre avionë për shuarjen e zjarreve, por të njëjtin janë jofunksional pasi nuk kanë kryer kontrollet teknike për shkak të problemeve rreth tenderimit.

Edhe Armata e Maqedonisë së Veriut posedon tre helikopterë, por gjatë natës së kaluar nuk kanë mundur që të vihen në funksion, pasi siç ka informuar presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, këta helikopterë nuk mund të fluturojnë gjatë natës.

Nuk shpallet gjendje e krizës

Pas takimeve mes drejtuesve të institucioneve të vendit, është marrë vendim që nuk ka nevojë që në Maqedoninë e Veriut të shpallet gjendje krize, pavarësisht se dhjetëra zjarre janë ende aktive.

“Do të mblidhemi vazhdimisht dhe në rast se gjërat shkojnë më keq, do të kërkojmë shpalljen e gjendjes së krizës për një pjesë të territorit në shtet, që është prekur nga zjarret”, bëri të ditur drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov.

NATO ofron ndihmë për shuarjen e zjarreve

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska pas një bisede me homologun e saj slloven, Matej Toni ka njoftuar se Sllovenia, si anëtare e NATO-s ka ofruar ndihmë të plotë për shuarjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës, në Koçani ka qëndruar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili ka theksuar se pret ndihmë nga shtetet fqinje.

“Do të qëndrojmë me ministrin (e Shëndetësisë, Venko) Filipçe tërë natën në Koçan. Nesër në mëgjes pres ndihmë nga fqinjët. Presidenti (maqedonas, Stevo) ka biseduar me president bullgar (Rumen) Radev, ndërsa unë bisedova me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq dhe me kryeministrin bullgar. Po e ndjekim me kujdes situatën, nuk ka panik, situata është nën kontroll, pjesa më e madhe e zjarreve janë lokalizuar”, ka shkruar në Facebook kryeministri Zaev.

Ndërkohë në rajonin e Kumanovës, përkatësisht në Mugrash dhe Pezovo, zjarrfikësit kanë arritur që të shuajnë zjarret.

Zjarre më të vogla kanë shpërthyer dhe në rrethinën e Shkupit, atë të Kërçovës dhe në disa rajone të tjera.

Autoritetet qeveritare u kanë bërë të ditur se ndalohet lëvizja e qytetarëve në zonat pyjore, për shkak të sigurisë personale dhe parandalimit të përhapjes së mëtejmë të zjarreve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG