Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut regjistron 41 viktima me koronavirus


Staf shëndetësor brenda një automjeti të ambulancës në Shkup. Fotografi nga arkivi.
Staf shëndetësor brenda një automjeti të ambulancës në Shkup. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut të shtunën ka regjistruar 41 të vdekur me koronavirusi, duke thyer rekordin e viktimave brenda këtij viti.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë; 23 në Shkup, katër në Tetovë, tre në Kumanovë dhe Kërçovë, dhe nga një në tetë qytete tjera.

Në mesin e viktimave është edhe një 18-vjeçar, një 23, një 31, dy të moshës 40 vjeçe dhe të tjerët të moshës mes 50 dhe 85 vjeç.

Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 36 kanë ndërruar jetë në spitale dhe gjashtë nëpër shtëpitë e tyre.

Numri i viktimave tani ka arritur në 6,437 persona, shumica prej tyre janë regjistruar në Shkup.

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar edhe për 539 të infektuar me koronavirus nga 5,589 teste të bëra.

Sipas raportit, 245 persona janë shëruar. Numri i rasteve aktive me koronavirusi ka arritur në 13,261.

Ministri në dorëheqje i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar masa shtesë nëse gjendja epidemiologjike me COVID-19 përkeqësohet.

Ai tha se masat e reja nuk kanë për qëllim defokusimin e vëmendjes nga tragjedia e 8 shtatorit në Tetovë ku nga zjarri në spitalin COVID-19 mori jetën e 14 personave, por se kjo sipas tij bëhet për ta mbajtur situatën nën kontroll.

“Njëra nga masat e cila me siguri se do të propozohet ka të bëjë me hapësirat e mbyllura ku për të hyrë do të kërkohet certifikatë me dy doza të vaksinës dhe jo me vetëm një siç është për momentin. Kjo gjithsesi do vendoset diku nga muaji tetor”, ka deklaruar Filipçe.

Ai ka ftuar popullatën që t’iu përgjigjet thirrjeve për vaksinim, pasi, sipas tij, kjo mbetet mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e virusit por edhe për të evituar masat shtrënguese.

Deri të dielën, bazuar në regjistrin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë, në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 770 mijë persona.

XS
SM
MD
LG