Ndërlidhjet

Premtimet e mëdha ekonomike, të parealizueshme në kohë pandemie


Shkup

Fushata elektorale e partive politike në Maqedoninë e Veriut, ka hyrë në javën e fundit para zgjedhjeve më 15 korrik, ndërkohë që përfaqësuesit e tyre në takimet me simpatizantët, edhe pse në tubime të kufizuara dhe me masa mbrojtëse për shkak të pandemisë, kanë ofruar pothuajse gjithçka, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, investime, rritje pagash, pensione për të papunët, ulje taksash e premtime tjera.

Por, drejtuesit e tyre fare nuk kanë sqaruar se si mund të realizojnë këto premtime në gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vend për shkak të koronavirusit, që ka paralizuar thuajse të gjitha kapacitetet ekonomike, si dhe institucionet tjera.

"Fokusi kryesor në punën e qeverisë të udhëhequr nga LSDM është pikërisht ndërtimi i infrastrukturës cilësore që do të sjellë përfitime afatgjata, zhvillim të ekonomisë për të gjithë qytetarët në vend, hapje të vendeve të reja të punës. Kemi mbi një mijë projekte në të gjitha sferat e jetë, si në ekonomi, arsim, investime e projekte të ndryshme infrastrukturore. Rritje të rrogës mesatare deri në 550 euro, rritje të pagës minimale, rritje të pensioneve, ulje të tatimeve e shumë projekte tjera”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kandidati i mundshëm i kësaj partie për kryeministër.

Me premtime të ngjashme ka dalë edhe VMRO DPMNE-ja, e cila për gjendjen e rëndë, ka fajësuar pushtetin aktual duke ofruar ndërkohë rimëkëmbje të shtetit, por pa sqaruar se si mund të realizojnë këto premtime.

“Programi jonë për rimëkëmbje do të mundësojë rritje të pagës mesatare për 25 për qind, të pensioneve për 20 për qind, ulje të papunësisë nën 10 për qind, zero për qind taksë për të ardhurave për të rinjtë deri në 29 vjet. Ne jemi të përkushtuar për një një program ekonomik që do rris prodhimin bruto vendor për më shumë se 4 për qind në vit, 90 për qind realizim të investimeve kapitale, rrugë rajonale, pra rindërtim të plotë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kandidat për kryeministër i kësaj partie.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në tubimet e tyre kanë ofruar madje edhe pensione për çdo grua sikur edhe të mos ketë bërë asnjë ditë punë.

“Përveç mbështetjes për shëndetësinë dhe përballjes me pandeminë, prioritet do të kemi mbështetjen edhe për sektorë të tjerë, atë të turizmit, hotelerisë, gastronomisë. Gjithashtu do të analizojmë mundësinë e pensioneve për gratë të cilët nuk e kanë këtë të drejt por për nga mosha i plotësojnë kushtet”, ka deklaruar Naser Zyberi, kandidati i BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar.

Premtime të ngjashme në ekonomi kanë edhe partitë tjera. Opozita shqiptare e përbërë nga Aleanca dhe Alternativa ofrojnë “barazi ekonomike” si dhe përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomiko-sociale pasi sipas këtij koalicioni 500 mijë njerëz jetësojnë në varfëri dhe prej tyre 66 për qind në zonat e banuara me shqiptare.

“Programi 'Shtet për të gjithë', paraqet një tërësi të masave për transformimin e shoqërisë, para se gjithash në raportin shtet-qytetar”, ka deklaruar Hilmi Aziri, përfaqësues i koalicionit.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se të gjitha këto premtime të partive nuk janë asgjë tjetër përveç se populizëm dhe mashtrim të opinionit për vota, në veçanti tani në kohën e pandemisë kur e gjitha bota po merret me sëmundjen e rëndë dhe nuk ka ende një parashikim se sa mund të zgjasë kjo gjendje.

Angel Dimitrov nga organizata e punëdhënësve nuk ndalet fare në premtimet e partive, por thekson nevojën që sa më shpejt të formohen institucione të qëndrueshme dhe funksionale të cilat së pari duhet të merren me menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Tani vjen periudha më e rëndë për shtetin. Ne, së pari duhet të hartojmë strategji afatgjata për përballje me virusin dhe më pas të bëjnë politika të mëdha, pra vetëm pasi të kemi arritur të përballemi me pandeminë, jo vetëm ne por edhe e gjithë bota. Për t'iu përgjigjur në mënyrë të duhur sfidave aktuale dhe të ardhshme, janë të nevojshme institucione të forta dhe një parakusht për këtë është formimi i shpejtë i një qeverie të qëndrueshme dhe një kuvendi funksional që do të punojë për të zbatuar një program ekonomik që përfshin zgjidhje efektive të krizës aktuale”, ka deklaruar Dimitrov.

XS
SM
MD
LG